Evans Drishti: Dhuntitë që na bëjnë të pasur?
Secili prej nesh jemi qënie njerëzore, që zotërojmë dhunti të mëdha me plot energji që na japin përherë mundësinë të bëhemi më të pasur se kurrë… S’ka gjë më të arrirë se integrimi i vetes në nivele të larta shoqërore duke zhvilluar aftësitë tuaja profesionale!
Kishte menduar gjatë një natë më parë se ç’do të bënte të nesërmen që të ishte një ditë e mbushur plot me shije…
U ngrit që herët në mëngjes, hapi dollapin e rrobave, ku kishte reshtuar më së miri të gjitha veshjet e kohës dhe të stinës, madje në një gërshetim tepër të goditur edhe të ngjyrave. Përjashta rrezet e arta diellore të mbështillnin si pa kuptuar në rrezatimet e tyre dhe të tjetërsonin…
Dëshironte të shihte çdo gjë të bukur, që s’e kishte parë që prej shumë ditësh, madje ndoshta që s’e kishte parë fare… Dëshironte të dëgjonte tingujt më të ëmbël, qofshin ato edhe të zogjve shtegtarë, zërat e njerëzve që e donin dhe i donte t’i kishte pranë … madje edhe fëshfërimën e pemëve gjelbëroshe…. Dëshironte të nuhaste çdo aromë kundërmuese që vetëm ia zgjaste jetën… Dëshironte të shijonte çdo ëmbëlsi që ofronte dita dhe bukuria e jetës… Dëshironte të prekte më të shtrenjtat dhe më të pastrat gjëra që do ia lumturonin shpirtin e dashuruar…
Secili prej nesh jemi qënie njerëzore, që zotërojmë dhunti të mëdha me plot energji që na japin përherë mundësinë të bëhemi më të pasur se kurrë…
Vërini në funksion të mirëfilltë shqisat që zotërojmë:
Shqisa e të parit:
Dëshirojmë të shohim gjërat më të bukura? E kemi ne në dorë. Mund të shohim gjelbërimin e mahnitshëm të një vendi, mund të shohim bukurinë natyrore që na rrethon, mund të shohim natyrën e mrekullueshme buzë liqenit apo detit, mund të shohim filma apo seriale televizie argëtuese dhe kulturore, mund të shohim shfaqje të ndryshme dhe të larmishme, mund të shohim një lojë sportive apo edhe një organizim që mund të hasim në një kënd të qytetit, mund të shohim bukuritë arkitekturore të ndërtesave të ndryshme apo antikitetin e ruajtur me aq përkujdesje… Mjafton të kërkojmë të shohim diçka të bukur dhe e bukura bëhet e arritshme…
Shqisa e të dëgjuarit:
E kush nuk ka dëshirë të dëgjojë gjëra që ia kënaqin shpirtin dhe ia qetësojnë mendjen? Edhe këtë e kemi në dorë. Mos dëgjoni ato që ju bezdisin…
Dëgjoni një muzikë, ku vërtet ta ndjeni veten shumë mirë, dëgjoni një intervistë të realizuar në mënyrë profesionale, ku në fokus të jetë një individ që ju dhuron kënaqësi, dëgjoni një bisedë mes miqsh, ku të besoni se vërtet do të jetë çlodhëse, dëgjoni një interpretim artistik që ju pushton zemrën, dëgjoni me ëndje bisedën e një njeriu me peshë të lartë në shoqëri, dëgjoni puhizën ledhatuese të dallgëve të detit… Gjithsesi përpiquni të jeni një dëgjues i mirë, jo thjesht sa për të kaluar kohën, por të përftoni diçka që do ju bëjë vërtetë të lumtur…
Shqisa e të nuhaturit:
Çdo aromë kundërmuese shpeshherë na bën të tjetërsohemi, na bën të rigjenerohemi… Një aromë e këndshme e luleve, një aromë e këndshme e rrobave që përdorim, një aromë e këndshme e natyrës që na rrethon, një aromë e këndshme e një parfumi …. Çdo gjë që ka të bëjë me nuhatjen dhe që na qetëson dhe lumturon është pjesë e patjetërsueshme e një misteri që më shumë se çdp gjë na bën të ndjehemi vetvetja…
Shqisa e të shijuarit:
E dëgjojmë shpeshtazi shprehjen klasike “Shijoje jetën!”, por që në të shumtën e rasteve as që jemi të vetëdijshëm se ç’nënkupton në realitet. Kjo lloj shqise nuk na ofron vetëm mundësinë e shijimit të shijeve të larmishme ushqimore, por edhe përjetimin e çdo sjelljeje pozitive që na bën të jemi njerëz me vlera njerëzore…
Shqisa e të prekurit:
Shumë gjëra na ofrohen në botën e internetit, por asnjëherë s’mund të sjellin një emocion dhe përjetim për sa kohë që nuk i kemi të prekshme. Shijojeni leximin e një libri duke shfletuar faqet e tij, shijojeni bukurinë e një vendi duke rrugëtuar nëpër të, shijoni gjallërinë e qenieve dhe gjallesave duke i kuptuar nga afër, shijoni bukurinë dhe kënaqësinë që të ofron një koleksion i caktuar vetëm duke i soditur me gishtërinjtë e juaja… Butësia dhe ngrohtësia shpërtërore që të ofron prekja e një materieje të bën të përjetosh se tjetër mister fshihet në qenien tënde të brishtë…
Të rinj!
Tani është koha më e volitshme të vëmë në funksion ato që mësuam gjatë tërë kësaj kohe. Kërkoni gjërat më të bukura që ju bëjnë të ndjeheni më mirë dhe më komod. Shamgjuni banalitetit dhe vrazhdësisë në komunikim.
S’ka gjë më të arrirë se një miqësi e mirëfilltë që të bën të ndjehesh krenar për veten dhe jetën!
S’ka gjë më të arrirë se integrimi i vetes në nivele të larta shoqërore duke zhvilluar aftësitë e juaja profesionale! Mos ngelni thjesht vetëm në ndërtimin e një profesioni të caktuar, por përpiquni të dilni përtej duke e integruar veten sipas aftësive që zotëroni.
S’mjafton të jesh vetëm një mjek, një inxhinier, një arkitekt, një mësimdhënës, një këngëtar, një piktor, një muzikant… Përkundrazi aftësitë e tua shkojnë përtej një profesioni apo zanati të caktuar pasi dhuntitë e tua përmbajnë mistere të shumta që vetëm natyra njerëzore arrin t’i kuptojë dhe t’i vërë në zbatim në kohën dhe vendin e duhur…
Provoni të gërshetoni profesione dhe zanate të larmishme dhe vetëm atëherë do ta kuptoni se nuk keni thjesht dhe vetëm një emër…
Nga Evans Drishti
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Prindër, kuptoni fëmijën tuaj dhe respektoni punën e mësuesit!
Çdo lloj dhune nuk është bullizëm, por çdo lloj bullizmi është dhunë.
Çfarë mund të bëjë shkolla për të parandaluar bullizmin?