“Tri lëndë në gjashtë orë”

Edukim fizik, sporte dhe shëndet

Kjo orë model në lëndën e Edukimit Fizik, klasa e dytë është përgatitur nga mësuesja e arsimit fillor Aida Çela, shkolla 9-vjeçare “Skënder Luarasi”, sipas nismës së re të MASR “Tri lëndë në gjashtë orë”.

Fusha: Edukim fizik sporte dhe shëndet 

Lënda: Edukim fizik sporte dhe shëndet

Shkalla:1

Klasa: e II-të

Mësuese: Aida Çela

Tema mësimore:

1- Lojë lëvizore “Rrëmbimi i shamisë”

2- Lojë lëvizore “Rrëmbimi i shamisë”

Situata e të nxënit: 

Rikujtojmë se edhe lojërat kanë rregulla nga lënda Edukim për shoqërinë.

Rikujtim i pjesës “Loja e flamurit” në lëndën e Gjuhës shqipe.

Rezultatet e të nxënit të kompetencave të fushës sipas temës mësimore:

Nxënësi/ja:

1- Mëson  rregullat e lojës.

2- Luan lojën duke respektuar rregullat e saj.

3- Respekton partnerët (shokët) gjatë zhvillimit të lojës.

4- Garon në mënyrë të drejtë.

5- Tregon shkathtësi, vullnet dhe përgjegjësi në zhvillimin e lojës.

6- Bashkëpunon me shokët/shoqet dhe i vlerëson për atë çfarë bëjnë gjatë orës së mësimit.


Fjalët kyçe: shami, rrëmben, vrapon, rregulla, garë, skuadra, numra.

Burimet: Shami e bardhë (gjysmë metër pëlhurë), terreni sportiv i përshtatshëm për realizimin e lojës, mjet kartoni i përgatitur me rregullat kryesore të një loje.

Lidhja me fushat e tjera: Gjuhët dhe komunikimi, Shoqëria dhe mjedisi, Matematika.

Metodologjia dhe veprimtaritë e nxënësve: Unë di..., Pyetje, Stuhi mendimesh, Veprimtari  individuale, Veprimtari në çift, Veprimtari në grup, Veprimtari me gjithë klasën.


Hapi i parë (përgatitore): 15 min

1- Rreshtohen nxënësit sipas gjatësisë nën komandën “Eja në radhë!”.

2- Vëzhgimi i uniformës së lojës (kjo të jetë e përshtatshme që fëmija të ndihet lirshëm kur kryen veprimtaritë).

3- Vazhdojmë me ushtrime shkrifëse të gjymtyrëve të sipërme dhe të poshtme (një nxemje e lehtë që i paraprin lojës).


Hapi i dytë (zhvillimi) 65 min


Pyetje: 5 min

1- A dini disa të drejta kryesore të fëmijëve?

Fokusohemi tek e drejta për të luajtur.

2- A ju kujtohet nga lënda Edukim për shoqërinë se cilat ishin rregullat kryesore në një lojë?

3- Cilat janë ato ?

Stuhi mendimesh: Pranoj mendime të ndryshme nga një sasi e konsiderueshme nxënësish. Kërkoj t’i formulojnë saktë rregullat kryesore të lojës.

Paraqes para tyre mjetin e përgatitur të cilin e var diku që të jetë i lexueshëm. Një nga nxënësit lexon rregullat e grupuara.

RrTë mësojmë rregullat e lojës që do luajmë.
ETë luajmë në bazë të rregullave pa e dëmtuar shokun.
GTë dëgjojmë njeri -tjetrin dhe mos të shkaktojmë zhurma shumë të mëdha.
UTë respektojmë shokun/shoqen kur ai/ajo luan.
LlTë dëgjojmë drejtuesin e lojës dhe të garojmë në mënyrë të drejtë.
ATë motivojmë shokët gjatë lojës dhe të mos grindemi.

(Unë di...) Kujtojmë nga lënda e Gjuhës shqipe pjesën “Loja e flamurit”.

- Si luhej kjo lojë?

- Sa persona duhet të merrnin pjesë?

Rikujtojnë pjesën duke plotësuar njeri –tjetrin që rregullat të dalin më të formuluara.

Tema e re: Njohja me temën dhe shpjegimi i rregullave të saj. (10 min)

Loja “Rrëmbimi i shamisë”


Rregullat 

1- Gjithsej (në klasë) janë 27 nxënës/nxënëse që do të ndahen në dy grupe me nga 13 persona, një nxënës/nxënëse do të mbajë shaminë.

2- Nxënësve u vendosen numra që janë të njëjtë mes dy skuadrave.

3- Rreshtohen secila skuadër në drejtimin e një vije të hequr dukshëm.

4- Personi që mban shaminë ka distancë të njëjtë nga të dyja skuadrat.

5- Kur ai thërret një numër ,të dy lojtarët vijnë dhe cili e rrëmben shaminë dhe kalon vijën e skuadrës së tij pa u kapur është fitues.

6- Gjatë një seance loje duhet të përfshihen të gjithë numrat.

* Realizojmë një provë demonstruese me tre persona dhe një të dytë me gjashtë persona.

* Fillon loja që do të ndahet në tre pjesë .(50 min)

* Vendosen numrat e lojtarëve dhe pikët shënohen për tre seancat në një vend të dukshëm.

Natyrisht monitorohen nga unë dhe motivohen në çdo moment. Pas çdo seancë loje, bëhet nga një pushim i shkurtër, ku u bëj ndonjë vërejtje të vogël nëse duhet dhe numrat ndërrohen përsëri. (po kështu edhe personi që mban shaminë)

Në fund në bazë të sasisë së pikëve të mbledhura ( i le t’i mbledhin dy nxënës pikët) shpallen fituesit.

I le të brohorasin pak dhe i rreshtoj përsëri për një.


Hapi i lll-të (10 min)

1- Zhvillojnë një ecje rrethore për rregullimin e frymëmarrjes (duke lëvizur krahët dhe marrë  frymë rregullisht me hundë dhe nxjerrjen e saj nëpërmjet gojës)

2- Jap vlerësime të ndryshme të motivuara dhe të argumentuara.(stimuj që ngjiten si  buzëqeshje, yje...etj.)

3- Thonë bashkërisht himnin e klasës.

4- U lë porosi të ndryshme për orën pasardhëse.


Vlerësimi bëhet për:

- respektimin e rregullave gjatë lojës. 

- realizimin bukur të lojës.

- bashkëpunimin dhe mbështetjen e partnerit.

- organizimin e duhur në grup.

- vlerësimin dhe motivimin që i bëjnë njëri-tjetrit.

(Portali Shkollor)

46,007 Lexime
6 vjet më parë