E djeshmja dhe e sotmja e kësaj copëze “Parisi” në qendër të Tiranës

Studiuesi i traditës së Tiranës, Valter Gjoni saktëson se kafeneja e sotme Flora nuk ka lidhje me emërtimin e vjetër apo kafen historike

Për ata që nuk e dijnë, le ta mësojnë se Kafe Flora ndodhet midis rrugës së Durrësit dhe rrugës Mine Peza, shumë afër qendrës së Tiranës. Përballë ka sheshin Paris (pa asnjë ndodhi të trishtë me përmasa terroriste), që është një ambient pak metra katrorë me një lulishte të madhe ku mblidhen të vjetër e të rinj, të njohur ose jo për të shijuar orët e fundit me diell të nëntorit.

Emri, një fotografi e vjetër dhe një pronar i ri që di shumë pak për historinë nga ka ardhur emri “Flora”, janë detajet e vetme të kafenesë së famshme të Tiranës.

Pyetja që të gjithë kanë në mendje ka lidhje me emrin që u kthye në motiv për poezi, për këngë, histori dashurie dhe dëshirë për civilizim. Një pjesë e lidhin me ish-diktatorin, Enver Hoxha.

Studiuesi i traditës së Tiranës, Valter Gjoni saktëson se kafeneja e sotme Flora nuk ka lidhje me emërtimin e vjetër apo kafen historike. Kafja ku Enver Hoxha shiste edhe cigare në vitin 1941 ka qenë në rrugën e Dibrës, sot ndoshta një qofteri me pak shije. Kafes së sotme Flora i erdhi emri si një dëshirë të asaj kohe për të ndjekur shembullin e kafenesë së dikurshme që ishte me nam dhe ku shkrimtarët me shumë fantazi i thurrën poezi, në rrugën e famshme Broduej që diktoi modën e kryeqytetit.

Historia e kafe Flora, coffe de Flour, Paris

Nëse emërtimi Kafe Flora erdhi si dëshirë e ish-diktatorit për të ndjekur kujtimet e tij gjatë shkollimit në Francë, këtë askush nuk e ka dokumentuar, por kafeneja me këtë emër erdhi pas fabrikës së Cigareve. Fabrika “Elbasani” – Tiranë (e njohur edhe si “Flora”), ka funksionuar në vitet 1930-1940. Në vitin 1947 u shtetëzua dhe quajt “Ndërmarrja Industriale Shtetërore Cigare Tiranë”. Pronari i fabrikës ka qenë kapitalisti i madh dhe politikani i njohur Ibrahim Biçaku, i cili pas çlirimit u dënua me burgim të përjetshëm, por që u lirua në vitin 1962.

Pranë fabrikës u ngrit dhe një kafene e modelit francez “bureau de tabac” me cigaret e kësaj fabrike. Në këtë kafene punoi Enver Hoxha gjatë pushtimit ku edhe është organizuar lëvizja për rezistencë ndaj pushtuesit.

Në fakt, Enveri kishte një lidhje miqësore me Biçakçinjtë. Ai kishte qëndruar tek tezja e Ibrahimit në Korçë gjatë studimeve në liceun e Korçës dhe, kjo miqësi vazhdoi edhe në dhënien e licencës për shitjen e markës së cigareve të Biçakçiut.

Ndoshta kjo i shpëtoi jetën pinjollit të Biçakçinjve, edhe pse jetën nuk e pati aspak të thjeshtë në diktaturë.

Pas çlirimit, “Flora” kafja moderne në Tiranë

Kafeneja e famshme Flora vazhdoi edhe për pak vite pas çlirimit dhe ndodhej pikërisht pranë pallatit të shkrimtarëve të njohur si Kadare dhe Agolli, por që më pas u harrua, edhe pse rruga ku ndodhej u kthye për shumë vite në “Broduejin” e famshëm ku të rinjtë e Tiranës së viteve 60-të kalonin pasditet dhe ndiqnin modën duke thyer tabutë e një Shqipërie në diktaturë.

Jo shumë larg, një tjetër Kafe Flora mori jetë. Këtë herë veç kafe dhe cigare qytetarët e Tiranës do të shijonin edhe ëmbëlsirat. Madje për pastiçerinë e famshme të Tiranës është shkruar aq shumë dhe janë thurrur aq poezi për çiftet që takoheshin, dashuroheshin dhe kurorëzonin dashurinë e tyre me të ëmblën pastiçeri, sa të gjithë e kanë në mendje dhe në zemër. Kafe Flora u kthye gjithashtu në një vend ku thyheshin tabutë, pasi femrat e bukura që ndiqnin modën dhe ishin të dëshiruarat e Tiranës mund t’i gjeje pikërisht në këtë kafene. Sërish u kthye në frymëzimin e shkrimtarëve dhe, ajo që bëri bujë ishte poezia e Xhevahir Spahiut “Kafe Flora, burra plot”, poezi që u kthye në këngë nga kompozitori Agim Krajka, e kënduar nga Lindita Theodhori në festivalin e 11-të.

Kjo këngë përveçse theu tabutë, kishte ritmin modern që rrezikoi edhe burgimin e shkrimtarit të njohur por edhe kompozitorit që u vu në shënjestrën e sigurimit të shtetit edhe prej kësaj kënge.

Ismail Kadare gjithashtu ka ngritur poezitë e tij më të njohura dhe romanin “E penguara” i frymëzuar nga Kafe Flora. Shumë tregime e romane morën pak nga kjo kafe e famshme. Aq e njohur ishte për kohën sa nëse nuk kishe shkuar në Kafe Flora dhe në pastiçerinë ngjitur saj, atëherë nuk ishe tiranas dhe nuk kishe shijuar asgjë në Tiranë.

Pas viteve ’90-të

Vazhdimi i Flora-s do të ishte si shumë objekte të tjera shtetërore. Punëtorët morën aksionet e këtij lokali të famshëm dhe ata e nxorrën në shitje. Ish-pronari i truallit nuk e kishte të mundur ta blente, kështu që e blenë disa kosovarë. Më vonë pasardhësit e pronarit të truallit mundën të merrnin pronësinë për sipërfaqen e lulishtes por jo për vetë Kafe Flora-n. Nipi i familjes Lezha, Oltjoni ka gjetur si zgjidhje marrjen me qera të një ambjenti që sot është Kafe Flora dhe kthimin e lulishtes së dikurshme dhe imazhit të hershëm të kafes së famshme të Tiranës. Ai thotë se po zgjeron ambientin e brendshëm ndërsa lulishtja rri gjithmonë plot.

Si ka arritur Kafe Flora deri tek ju?

Punëtorët e pastiçerisë dhe kafes së dikurshme të komunizmit e nxorrën në shitje pasi e kishin përfituar nga privatizimi. Ne na e ofruan si parablerje, por nuk kishim mundësi dhe disa kosovarë arritën ta blejnë. Jashtë objektit është trualli që ka pasur gjyshi im, Isuf Lezha. Në vitin 1997 ka ndodhur privatizimi. Më pas ne na është kthyer trualli si ish-pronarë por vetë godina ishte shitur. Më është dashur që ta marr me qera një pjesë të objektit për të vazhduar kafenenë “Flora”.

A e dini nga vjen emri “Flora”?

Në fakt gjithmonë kam pyetur por askush nuk më ka dhënë një shpjegim bindës. Sipas disave, Flora më është komunist e dikush thotë se e ka nga ish-diktatori. Unë ende nuk e di se nga vjen dhe do të doja ta mësoja.

Keni menduar t’ia ndryshoni emrin?

Më parë e ka pasur me qera një kosovar. Tani e kam marrë unë vetë si pronar trualli. Pavarësisht ndryshimeve të pronarëve apo marrjes me qera, emri nuk ka ndryshuar në asnjë rast. Se edhe sikur ta ndryshojmë, prap njerëzit Kafe Flora do t’i thërrasin.

Ju ka ndihmuar ky emër për të pasur më shumë klientë?

Sigurisht që emri ka të bëjë shumë. Njerëzit Kafe Florën e përdorin për lehtësi orientimi, shumë të tjerë e kanë nostalgji. Këtu vijnë tiranas të vjetër, artistë, të rinj. Kafe Flora vazhdon të mbledhë shumë njerëz rreth saj dhe vazhdon të jetë po aq magjike si dikur.

Valter Gjoni: sheshi me emrin Paris, prej kafe Florës

Studiuesi Valter Gjoni, i njohur për studimet e tij për Tiranën, thotë se Kafe Flora vjen pikërisht nga modeli parizien kafe dhe duhan. Ai shpjegon se për këtë arsye propozoi që sheshi para Kafe Flora-s sot, mori emrin Paris. Në një vizitë mjaft të diskutuar të presidentit francez Fransua Miterrand në Shqipëri në vitet e para të demokracisë, pritej që ai të vizitonte edhe këtë shesh. Valter Gjoni që mban edhe titullin e “Kalorësit” nga presidenti francez, thotë se Miterrand është shprehur me shaka “do ta shoh edhe Parisin tuaj” dhe bëhej fjalë pikërisht për sheshin Paris përballë Kafe Flora-s.

Megjithëse vizita nuk u realizua, sërish kjo histori mbeti dhe një copëz franceze që lulëzon jo shumë larg qendrës së Tiranës dhe jeton në kujtesën e shumë njerëzve që vazhdojnë të kthehen në Kafe Flora me shumë dashuri.

(Nga Bardha Nergjoni, tesheshi.com)

1,765 Lexime
8 vjet më parë