HAPAT

Disa nga praktikat ose strategjitë e të mësuarit për nxënësit me aftësi të kufizuara

Në këtë material jepen 7 hapat që duhen ndjekur për t’u mësuar të shkruarin nxënësve me aftësi të kufizuara. Ai është përgatitur nga mësuesja Aranita Haklaj, shkolla 9-vjecare “Azem Hajdari”, Paskuqan, Tiranë.

Strategjitë e të mësuarit

Disa nga praktikat ose strategjitë e të mësuarit për nxënësit me aftësi të kufizuara intelektuale përfshijnë këto pika, por nuk janë të limituara vetëm në këto:

  • Të mësojë vetëm një koncept ose një përbërës të një aktiviteti.
  • Të mësojë me hapa të vegjël në mënyrë që të arrijë të memorizojë.
  • Të mësojë i përfshirë në grupe të vogla,ose në veçanti po të jetë e mundur.
  • Gjithmonë ofrojini mundësi të shumta në mënyrë që të shfaqin aftësitë e tyre .
  • Përdorni nxitje fizike dhe verbale për të arritur përgjigjet e sakta dhe përdorni vlerësime pozitive për t’i përforcuar ato.

   

                                               TË MËSOJMË AFTËSITË E TË SHKRUARIT

7 hapat që duhen ndjekur për t’u mësuar të shkruarin nxënësve me aftësi intelektuale të kufizuara.



1. Vlerësoni gjendjen aktuale të nxënësit

Identifiko,cilat fjalë dhe përgjigje komunikuese përdor nxënësi. Përpara se të zgjidhni objektivat mësimore të një nxënësi filloni duke përcaktuar gjendjen aktuale ose aftësitë që ka nxënësi në shkrim dhe komunikim përmes vlerësimeve zyrtare dhe të standardizuara.

Një vlerësim i tillë duhet të synojë:

  • Aftësitë e folësit ose aftësitë shprehëse: aftësi komunikimi që ndikojnë në shprehjet e të tjerëve.
  • Aftësitë e dëgjuesit ose aftësitë pritëse: aftësi komunikimi që përfshijnë përgjigjen ndaj fjalëve të të tjerëve


2. Bëjeni të shkruarin me kuptim

Përqendrimi në teknikën e të shkruarit shpesh do ta ndalojë një nxënës të kuptojë dhe të përmbushë qëllimin e të shkruarit. Mendoni përtej mënyrave tradicionale që nxënësit kanë mësuar të shkruajnë dhe përqendrohuni në bërjen e shkrimit me kuptim.

  • Pyeteni se çfarë është e rëndësishme për të dhe përdorni përgjigjet si tema tërheqëse për të shkruar. Provoni t’i paraqisni nxënësit fotografi të personazheve nga një libër dhe t’i kërkoni se:”Për kë dëshironi të shkruani?”.Lëreni nxënësin që të zgjedhë tre personazhet më të preferuar për tu përqendruar më pas gjatë shkrimit rreth tyre.
  • Mësojeni nxënësin që të kërkojë objekte të dëshiruara duke shkëmbyer fjalë të shkruara paraprakisht për sendet e preferuara. Për shembull ju mund të udhëzoni një nxënës për të marrë nga shoku i tij një objekt p.sh:një laps duke i dorëzuar shokut një fletë me fjalën e shkruar të objektit “LAPS”. Sapo nxënësi ta ketë zotëruar këtë teknikë ai ose ajo mund të mësohet të kombinojë fjalët për të komunikuar dëshira më të mëdha. Kjo është një mënyrë efektive për tu dhënë nxënësve kontroll mbi mjedisin e tyre,pasi mësojnë përdorimin funksional të fjalëve të shkruara. Kjo teknikë ju lejon gjithashtu nxënësve të përdorin fjalë të shkruara paraprakisht pa pasur nevojë të mësojnë më pare aftësi më të ndërlikuara motorike apo konjitive.
  • Vlerësoni me pozitivitet dhe me stimuj lavdërues të menjëhershëm. Sapo nxënësi juaj të shfaqë një sjellje që ka të bëjë me shkrimin si p.sh: duke shkarravitur me një laps,duke shkruar me një shkumës,duke shtypur tastierën e një kompjuteri ndiqeni atë me lavdërime dhe vlerësime të menjëhershme. Kjo do të rritë shpeshtësinë e sjelljes së tyre të shkrimit dhe të përmirësojë aftësitë e motorikës fine që u nevojiten për shkrimin. 


3. Inkurajoni kopjimin ose imitimin


 Mësojini nxënësit se si të kopjojnë fjalët nga etiketat,librat dhe burimet e tjera. Siguroni disa lista fjalësh që mund të kopjojnë nxënësit tuaj për të rritur angazhimin e tyre akademik. Për shembull mund të siguroni një listë fjalësh që nxënësit mund të kopjojnë me kontekst edukativ për shkollën si:(pjesët e trupit,sistemi diellor,ditët e javës,qytetet e Shqipërisë etj). Ose të kopjojmë nga amballazhi i një produkti psh: nga kartoni i një kutie ku shkruan” Qumësht “ ,ose një shisheje ku shkruan “Ujë”.


4. Mësojini aftësitë drejtshkrimore

Pasi nxënësit mësojnë të kopjojnë fjalë , ata mund të përparojnë drejt drejtshkrimit të fjalëve pasi t'i dëgjojnë ato duke i folur. Provoni këto strategji për të rritur aftësitë drejtshkrimore: 

  • Strategjia e zinxhirit të prapambetur. Paraqisni fjalën e folur dhe më pas siguroni një model të shkruar për nxënësin që tju ndjekë. Fsheh modelin e shkruar duke hequr në mënyrë graduale shkronjat në fjalë nga shkronja e fundit tek e para.
  •  Mbuloni, Kopjoni,Krahasoni (MKK) teknikën. Jepini nxënësit një copë letër të ndarë në katër kolona. Kolona e parë përmban fjalën drejtuese të drejtuar. Nxënësi kopjon fjalën dhe e shkruan atë në kolonën e dytë. Pastaj nxënësi palos kolonën e parë në të majtë drejt qendrës (duke mbuluar kolonën e dytë) dhe shkruan fjalën nga kujtesa në kolonën e tretë. Studenti shpalos letrën dhe krahason, dhe nëse ai ka bërë një gabim, kopjon fjalën tre herë në kolonën e fundit.


5. Inkurajoni ndërtimin e fjalisë

  • Filloni të udhëzoni nxënësin për të shkruar së pari fjalë të konkretizuara me figura ose me objekte konkrete.
  • Pasi nxënësi të ketë shkruar një grup fjalësh me konkretizim, filloni të përdorni fjali të thjeshta si: ("Unë shoh një _____," "Djali është ______") dhe përdorni fjalë nga grupi i fjalëve për të zgjeruar gjatësinë e këtyre përgjigjeve.
  • Me fjalitë e thjeshta të ndërtuara filloni të fshihni fjalët një nga një,në mënyrë që nxënësit të krijojnë në mënyrë të pavarur fjalitë.
  • Pasi nxënësit të arrijnë të shkruajnë një fjali në lidhje me një foto, inkurajojini ato të shkruajnë dy a më shumë fjali në lidhje me foton.
  • Paraqitini nxënësve fotografi që të përmbajnë një sërë elementesh dhe ku nxirren në pah tiparet e figurës, në mënyrë që të ndihmohen nxënësit që të identifikojnë përmbajtjen të cilën do të përshkruajnë. Në ndonjë rast nxënësit mund t’i tregohet një foto dhe t’i lihet pak kohë për të reflektuar dhe për të zgjedhur detaje të fotos që atij ose asaj i duken të rëndësishme ose tërheqëse për të ndërtuar fjali mbi to.
  • Përdorni këtë teknikë në mënyrë që nxënësit të mund të shkruajnë për gjërat që kanë mësuar. Rritni gradualisht sasinë e kohës midis vëzhgimit të figurës dhe përgjigjes së shkrimit. Kjo pjesë është e rëndësishme duke patur parasysh se nxënësve rrallë herë do t’u kërkohet të shkruajnë për gjëra ose përgjigje të menjëhershme.


6.Mësojini shkrimin me diktim

  • Nxënësit të cilët mund të përfshihen në shkrimin me diktim janë në gjendje të artikulojnë atë që ato dinë dhe të ndajnë perspektivën e tyre mbi botën që i rrethon. Planifikoni me kujdes aktivitetet mësimore për t’i ndihmuar nxënësit që të fitojnë aftësi për të realizuar këtë lloj shkrimi.
  • Filloni duke i mësuar nxënësit të shkruajnë paragrafë të thjeshtë. Shpjegojuni atyre se një paragraf emërton një temë dhe më pas tregon më shumë rreth asaj teme.
  • Mësojini nxënësit të zbatojnë këtë rregull kur shkruajnë një paragraf në lidhje me një figurë. Ndihmojini ata të identifikojnë përmbajtjen e një fjalie duke nënvizuar një element kryesor brenda figurës.
  • Kur dëshirojmë të shkruajmë histori të thjeshta,tregojuni nxënësve një model të një tregimi të thjeshtë p.sh: një seri ngjarjesh në foto( fëmija luan top, fëmija bie, fëmija qan)
  • Pasi nxënësit të kenë arritur të mësojnë të shkruajnë një paragraph në lidhje me një foto ose ndihmë tjetër vizuale, fsheh përdorimin e mbështetësve vizual dhe gradualisht praktiko të shkruarin me diktim.


7. Mësoji të korrigjojnë vetveten

  • Ju mund të ndihmoni në përmirësimin e cilësisë dhe të qartësisë së shkrimit të nxënësve duke i nxitur ata të kontrollojnë punën e tyre. Për shembull:
  • Pasi ta mësoni një nxënës të shkruajë fjali të thjeshta, udhëzojeni nxënësin të përcaktojë nëse ai ose ajo ka përfshirë një person ose një send dhe diçka më shumë rreth temës.
  • Orientoni nxënësin që të kontrollojë shenjat e pikësimit.
  • Kërkojuni nxënësve të identifikojnë elementet që mungojnë në tregimet e tyre. Bëni ata të praktikojnë duke i nxitur nxënësit të gjejnë praninë ose mungesën e elementeve. 
  • Krijoni disa “lista kontrolli” në të cilat përfshihen disa element kritik të të shkruarit si p.sh: fjalia fillon me të madhe, lihet një hapësirë mes fjalëve, vendosim ".", "?" ose "!" në fund të fjalisë etj. Mësojini nxënësit që t’i përdorin ato.
  • Shpjegojuni dhe mësoni nxënësit si të grafikojnë përdorimin e elementëve të shkrimit dhe të monitorojnë progresin e tyre, në mënyrë që të mësojnë të shkruajnë në mënyrë të pavarur dhe sa më efikase.                      




Burimet e materialit: https://blog.brookespublishing.com/

Përktheu dhe përshtati nga anglishtja: mësuesja mbështetëse, Aranita Haklaj, shkolla 9-vjecare “Azem Hajdari” Paskuqan Tiranë.




(Portali Shkollor) 

7,118 Lexime
4 vjet më parë