Çfarë të bëni kur ndonjë nxënës nuk feston disa nga festat?
Si i përfshini në aktivitete nxënësit që nuk festojnë disa nga festat, posaçërisht festat e fundvitit? Shumë nga klasat tona kanë nxënës që nuk festojnë dhe mësimdhënësit mund të mos dinë se si ta menaxhojnë këtë lloj situate. Lexoni disa ide se si t’ia dilni mbanë në situata të tilla.
Njihuni me nxënësit
Gjatë vitit të dytë të mësimdhënies kisha një nxënës në klasën time, i cili, për shkak të bindjeve të tij fetare, nuk festonte ditëlindje apo festa. Në atë kohë, nuk ia njihja familjen. Nuk dija si ta menaxhoja këtë situatë pa u ndier se do ta veçoja nxënësin tim ose do ta bëja të mos ndihej rehat. Për fat të mirë, nëna e nxënësit kontaktoi herët. Ajo shpjegoi bindjet e tyre dhe pyeti nëse mund të planifikonim paraprakisht për të gjetur alternativa për të përshtatur situata të ndryshme që mund të lindin gjatë gjithë vitit.
Komunikoni me prindërit
Mbani linjat e komunikimit të hapura me prindërit. Unë kam pasur disa familje të cilat kanë qenë shumë të hapura për të më ndërgjegjësuar dhe për të më bërë të ditur llojet e aktiviteteve që fëmija i tyre mund dhe nuk mund të bëjë. Megjithatë, ajo që ka funksionuar për një familje, nuk ka qenë domosdoshmërisht e pranueshme për të tjerët. Secila nga familjet ka qenë e ndryshme.
Takohuni me prindërit e nxënësve për të pyetur se cilat janë kufizimet. Bëni një plan me prindërit për situata si ditëlindjet dhe aktivitetet e festave dhe diskutoni se cila mund të jetë një alternativë e pranueshme. Kjo ka nënkuptuar ndonjëherë që prindi do ta merrte fëmijën e tij më herët nga shkolla ose nxënësi do të kërkonte leje për të shkuar në bibliotekë ose diku tjetër përveç klasës gjatë aktiviteteve të caktuara. Gjithashtu, me disa familje, ka qenë e pranueshme që fëmija të qëndrojë në klasë, por të punojë në diçka ndryshe nëse pjesa tjetër e klasës është e angazhuar në një aktivitet që ka të bëjë me festat e fundvitit.
Komunikoni me stafin dhe mësimdhënësit
Ndërgjegjësoni mësuesit dhe administratën për besimet fetare të nxënësit. Mendoni rreth projekteve alternative të artit ose aktiviteteve të bibliotekës në të cilat nxënësit tuaj mund të marrin pjesë ndërsa janë në orët e tyre. Për shembull, kur nxënësit po bënin kartat e Vitit të Ri në lëndën e artit, nxënësi im bëri një vizatim të stinës së dimrit.
Përshtatini aktivitetet në klasë
Nëse klasa juaj po hulumton traditat e festave në mbarë botën, thoni nxënësit tuaj që nuk feston, të kërkojë një temë tjetër që lidhet me një nga vendet. Shembull, tema për çokollatën e nxehtë, njerëzit e dëborës, arinjtë apo sportin e skijimit, janë aktivitete që mund t'i bëjnë edhe nxënësit që nuk festojnë. Nëse numëroni mbrapsht ditët deri në pushimin e Krishtlindjeve apo Vitit të Ri, merrni parasysh ndryshimin e termit në "pushim dimëror".
Si mësimdhënës, ne kemi mësuar t'i përshtasim nevojat e ndryshme të nxënësve. Me pak largpamësi, partneritet dhe planifikim prindëror, ne mund t'i bëjmë të ndihen mirë nxënësit që nuk festojnë festa, në klasat tona.
Shpresoj ta keni gjetur këtë artikull të dobishëm dhe të keni gjetur ide që mund t'i përdorni në klasën tuaj.
Burimi: Klikoni këtu
Përgatiti: Era Baliu, gazetare përgjegjëse e Portalit Shkollor Albas për Kosovën
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Çdo lloj dhune nuk është bullizëm, por çdo lloj bullizmi është dhunë.
Ramazan 2024, çfarë duhet të kenë parasysh mësuesit për nxënësit që agjërojnë?
Sa duhet të peshojë çanta e fëmijës?