Çfarë mund të bëj një prind për të ndihmuar fëmijën në shtëpi?
Mënyrat sesi një prind mund të ndihmojë fëmijën na i rendit Valbona Imeraj për Portalin Shkollor. Praktiko, kontrolloje, ndiq..., janë disa prej tyre.
Praktiko me fëmijën atë ҫfarë po mëson në shkollë kudo që të jeni; në makinë, në kuzhinë duke gatuar, në supermarket, në shëtitje, etj. Numëroni, tregoni kohën, matni, llogaritni, lexoni, tregoni histori, recitoni, këndoni së bashku.
Kontrolloje fëmijën gjatë kryerjes së detyrave të shtëpisë. Nëse ti nuk e kontrollon atë, nuk do të kuptosh kurrë vështirësitë që ai ka dhe nevojën për ndihmë. Mos harro që detyrat e shtëpisë janë të tijat dhe jo të tuat. Ndihmoje të kalojë vështirësitë por mbështete që t’i kryejë vetë.
Ndiq ecurinë e fëmijës në shkollë; notat, vlerësimet, progresin, komentet e mësuesit. bindu që ai po e kupton dhe ndjek proçesin mësimor që po zhvillohet në shkollë. Korrigjo detyrat së bashku me të dhe kërkoji t’i përsërisë derisa të ketë një përmirësim të dukshëm.
Dëgjoje fëmijën të lexojë me zë të lartë për të kuptuar saktësinë dhe rrjedhshmërinë e leximit. Bëji pyetje rreth përmbajtjes së leximit për të zbuluar kuptueshmërinë e pjesës që ai lexoi.
Zbato një regjim ditor me fëmijën tënd. Fëmijët pëlqejnë shumë që t’i kryejnë veprimet ҫdo ditë në të njëjtën rradhë dhe kohë. Ndihmoje atë të krijojë rregull në jetën e vet!
Pyete fëmijën si e kaloi ditën në shkollë? Mos përdor pyetje të mbyllura prej të cilave të marrësh përgjigje të tilla. Si p.sh.: “Mirë”, “Keq”, “Asgjë”. Përdor pyetje të hapura si p,sh,; “Cila ishte pjesa më e bukur e ditës?”, “Cila ishtë gjëja më qesharake që ndodhi sot në klasë?”, “Cila ishte gjëja më e mërzitshme sot në shkollë?, “Çfarë të bezdisi më shumë sot në shkollë”?.
Lexoji fëmijës pjesë të librave të tij. Ai do të përmirësojë kuptueshmërinë e leximit dhe do të përjetoni një eksperiencë të bukur së bashku.
(Portali Shkollor)
Stop bullizmit te të gjithë!
Ramazan 2024, çfarë duhet të kenë parasysh mësuesit për nxënësit që agjërojnë?
Çfarë mund të bëjë shkolla për të parandaluar bullizmin?