Avantazhet e një konference edukimi
Mësuesi është truri i një kombi dhe e ka për detyrë ta pasurojë nxënësin e tij me këtë pasuri shpirtërore, sepse kanë kurrikulën e tillë, lexojnë apo kanë pasur shancin të lexojnë më shumë se ata të profesioneve të tjera, rreth pasurisë shpirtërore.
Të marrësh pjesë në një konferencë edukimi është avantazh për punën tënde të përditshme me nxënësit, për risitë që do të dëgjosh, mësosh apo përvetësosh dhe mbi të gjitha është avantazh për idetë e reja që do të lindin në mendjen tënde.
Do të mundohesh se si do t`i përcjellësh ato ide, ato mesazhe te brezat e rinj, do të mundohesh se si do t`ua lehtësosh punën, se si do t`ua bësh më të këndshme orën e mësimit.
Konferenca hapet me një mesazh të fortë nga fëmijët e ngujuar drejtuar moshatarëve të tyre, ta duan leximin, ta duan letërsinë, ta duan shkollën, ta duan dijen, që është burimi si drita e vetme e jetës, të cilët dhe pse në shekullin XXI, nuk kanë mundësi ta ndjekin normalisht shkollën nga afër si nxënësit e tjerë, pasi për arsye familjare po u “mohohet jeta”.
Do të rrënqethet mishi, kur dëgjon se si nxënësit e një shkolle “i kapin” për rrobash mësuesit e tyre duke i pyetur se : “Kur do të hamë bukë?, “A ka shumë orari i drekës, pasi disa prej tyre në shtëpitë e tyre nuk dihet se kur kanë ngrënë apo a kanë ngrënë darkë apo jo, se për mëngjesin s`u premton koha dhe mbase s`kanë. Dhe do të mahnitesh njëkohësisht me sakrificat dhe punën e palodhur të drejtoreshës së shkollës me stafin e saj, duke parë gjendjen e mjerueshme të komunitetit të tyre, se si kanë marrë përsipër nismën që fëmijët e shkollës së tyre do të ushqehen në shkollë të paktën një vakt, pasi në familjet e disa prej tyre mungojnë nevojat bazike për jetë, se si mësuesit krahas mësimdhënies, ndajnë punët në blerjen e ushqimeve, në përgatitjen e drekës, në shtrimin e tavolinave dhe larjen e enëve me punë vullnetare dhe pa marrë asnjë shpërblim, përveçse gëzimit kur shohin fytyrat e qeshura të të ardhmes së atij qyteti. Duke marrë mbështetjen e familjeve të thjeshta dhe të fondacineve të atij qyteti për këtë nismë.
Vazhdon konferenca me një punim tjetër duke i nxitur nxënësit, që në një ese për Atdheun, ata duhet të zgjedhin një model të origjinës së tyre, të ndjekin shembullin e tij, se si ka vepruar dhe se çfarë ndihmese ka dhënë për vendin e tij. Çfarë mund të shtojnë ata dhe si mund ta zbukurojnë atë me idetë e tyre dhe jo vetëm duke shkruar me nostalgji për vendet e huaja.
Duhet t`u sqarojmë nxënësve se vendin tonë do ta ndërtojmë vetë dhe jo duke pritur nga të huajt, të cilët akoma po mundohen ku me e marrë/zgrapë edhe një copë. Ata shfrytëzojnë rast me sjelljet tona, përqeshen me mjedisin tonë të pisët ku s`ja përtojmë, duke i hedhur mbeturinat vend pa vend, dhe pasi t`i ndajmë mbeturinat në shtëpi, kur të shkojmë te koshi i mbeturinave, s`kemi mjaftueshëm kosha ku t`i hedhim, në disa vende. Nëse ne i hedhim te koshi i posaçëm shishet apo qelqurinat në vendet e zhvilluara të botës i merr shitësi te dera e supermarketit, i jep edhe lekë për copë duke e motivuar individin në shumë drejtime, mbi të gjitha njerëzit nuk zhyten nëpër kosha mbeturinash, ku fëmijët tanë i shohin shpeshherë këto skena të tilla për të nxjerrë materialin që riciklohet.
Në orën e historisë do t`u kërkosh nxënësve të shkruajnë për jetën e të parëve të tyre, për gjyshërit e tyre dhe do t`i pyesësh, se cili prej nxënësve mund të tregojë histori për persona që edhe pse s`janë më midis nesh ata janë gjallë akoma, pasi me veprat e tyre, kontributet e tyre lanë një emër që s`do ti humbë kurrë, duke u bërë jehonë atyre të origjinës së tyre, ku nxënësit të ndjekin shembullin më të mirë.
Në orën e informatikës do të mësosh se si të hapësh një dosje dixhitale duke e zëvëndësuar me atë dosjen e “famshme” që nxënësit mbajnë gjatë vitit shkollor poshtë bankës, apo në raftin e mësuesit, duke e kthyer mësuesinë më shumë si një sekretari se sa si një klasë, pastaj në fund të vitit gjithë punën e tyre e hedhin në kosh, nga përvoja. Duke e lehtësuar punën në shumë drejtime, duke kursyer kohë, para, punë si dhe nxënësi ka mundësi ta përpunojë më mirë informacionin me vërejtjet e zyshës, dhe jo ta përsëritë siç e përsërisin rëndom, duke dalë nga ora e mësimit apo duke e sjellë radhës tjetër, duke shpenzuar letër, lekë, kohë e nerva, duke i mësuar që as të mos e kenë idenë e kursimit si fëmijë/nxënës, s`duam t`ja dimë nga vinjë apo si vijnë, por ato letra, dosje duhen se vjen një kontroll…
Tek të rriturit është më ndryshe, sepse shkojnë vetë në kancelari, por për të vegjëlit janë një stërmundim dosjet e projektet, varet edhe sa nxënës janë në klasë, për mësuesit është stërmundim. Dhjetat i marrin prindërit në vend të nxënësve.
Më rastisi një mbrëmje të dilja në orën gjashtëmbëdhjetë dhe të shkoja në një kancelari për tim bir, për arsyen e vetme se doja t`i shtoja një “dhjetë” për vlerësimin e dosjes, me pak fjalë ta gëzoja, se vetëm se lë të shkojë për projekte dhe printime, as ditën jo më natën. Ashtu veprojnë dhe shumë prindër me fëmijët e tyre të arsimit fillor. Kur shkoj aty, i gjej kompjuterat të gjithë të zënë nga nxënës dhe prindër për projekte. Këtu paska fillur mësimi, - u thashë, po a i keni lexuar apo përpunuar? Nejse, printova njëzet thënie të shën Terezës copy paste dhe fotokopjova një projekt që e kisha ruajtur me kohë, që kur e kishte sjellë im bir më i rritur nga shkolla në fund të vitit shkollor, pasi ato fletët ishin pak të përthyera. Pagova lekët dhe erdha në shtëpi. I them tim biri në klasën e katërt, urdhëro projektin, do të marësh dhjetë. Ai u gëzua, m`u hodh në qafë dhe e vendosi në çantë. Çfarë po bën? Do t`i lexosh?
Jo, do t`ia vendosim mësueses sipër tavolinës që t`i vlerësojë, pastaj poshtë bankës e kanë vendin, në dosje. Ç`më duhet mua se ku e kanë vendin, ti lexoje se do të pyesë mësuesja. Mësuesja s`ka kohë për të gjithë jemi tridhjetë e tetë nxënës në klasë, mua s`më vjen radha, jam pyetur radhën e kaluar me projektin e parë, mësuesja njëherë i korrigjon se ja vendosim te tavolina... Shpejt do ta lexosh ose nuk do ta jap projektin me vete në klasë, mësuesja e di vetë se çfarë bën, ndoshta të bie radha se i pyesin disa, që t`i lexojnë apo thonë diçka, ti duhet ta lexosh për vete se çfarë ke te dosja jote. Ulu dhe lexo. Uli kokën, nxori fletët nga çanta dhe filloi t`i shfletonte dhe t`i lexonte njëkohësisht. Kishte shumë, sepse kishte informacion për disa figura të kombit si: Skëndërbeu, Lekë Dukagjini,Veqilharxhi, Ismail Qemali, Naim Frashëri, Luigj Gurakuqi, Isa Boletini etj, pasi ishin festat e nëntorit dhe në fakt dukej se ishin edhe dy projekte. Kishim të shkruar ditëlindjet e tyre, vendlindjet dhe kotributet e tyre në fushat përkatëse, si dhe i kishim vendosur, sipas periudhës së tyre jetësore, kohën kur kanë jetuar. Ai, jo vetëm që i lexoi, por edhe e tërhoqën shumë, s`po i lëshonte nga duart fletët pa i parë dhe lexuar me vëmendje. Kur e pyes, a mësove diçka, a janë të bukura? Po, - u përgjigj. Faleminderit, mami! Çfarë mbajte mend? Atë shprehjen e fundit të shën Terezës, ajo ka shumë thënie, por e njëzeta ishte e fundit për projektin tonë. Si është, ma thuaj. “Po prisja të isha e lirë, por Zoti ka planet e tij”. Shumë bukur, e paske kapur thelbin. Ku dinë fëmijët se ç`është mirë apo keq për ata, e mirë për ata është vetëm loja, telefoni dhe dëshirat e tyre, mësimet nuk është se i mësojnë me dëshirë pa i ulur, apo drejtuar. Ato dosjet për arsimin fillor janë të tepërta për nxënësit, sidomos për klasën e parë dhe të dytë. Deri në klasë të tretë për disa nxënës mësuesit korrigjojnë prindërit, se ja plotësojnë në shtëpi me laps, pastaj i bien me rezervë nga sipër apo s`kanë për të plotësuar dhe diturinë apo librin e edukimit fizik, në klasë të parë, që në fillim të vitit ndërkohë që nuk kishin/kanë mësuar akoma shkronjat, s`kishte rrugë tjetër, përndryshe fëmijët do të kalojnë në stres nga frika se mos u flet mësuesja. A ja keni bërë pyetjen vetes a kanë të gjithë kompjuter në shtëpi?
Dua të kujtoj se me atë projekt im bir, jo vetëm që nuk mësoi “asgjë”, sepse e detyrova të lexojë dhe ajo quhet asgjë në këtë rast për mua, por më shpenzoi lekë, kohë dhe më e keqja u mësua të kopjoj. Ai/ata nuk e përpunoi/jnë dot informacionin, varet ku është komjuteri apo interneti, sa prej tyre i kanë në shtëpi këto kushte, tani mësuesi s`po i jep detyrat për prindërit, që të vërë në punë prindërit, për fëmijët po i jep. Do të ishte më mirë sikur ato thënie të shën Terezës t`i kishte shkruar detyrë shtëpie me shkrim dore jo të gjitha, por mjaftojnë pesë, mund t`i kishte përpunuar dhe do të kishin përmirësuar dhe shkrimin e dorës, pasi tani po i bëjmë nxënësit dhe “disleksikë” në të shkruar, në të menduar e në të folur, sepse shumë detyra me projekte copy paste, dhe harruan apo akoma nuk kanë përvetësuar shkrimin e dorës tek arsimi fillor.
Meqë ra fjala te disleksia, në konferencë do të mësosh dhe do të dëgjosh kohën kur zbulohet disleksia, kush e zbulon dhe si zbulohet, humbjen që kanë shkollat tona nga ata fëmijë, si trajtohet, masat parandaluese të saj, etj. Si dhe do të kuptosh arsyen enkas të zgjedhjes së fotos, të një vajze e cila në moshën dymbëdhjetëvjeçare, në Angli në mos gaboj, (pasi “torturohet” nga prindi dhe mësuesit e saj pa dashje në këtë drejtim, për mungesë informacioni) shkruan një letër me qëllim, që të ndërgjegjësojë mësuesit e saj dhe Ministrinë e Arsimit të atij vendi, që të bëjnë diçka në ndihmë të këtyre fëmijëve në lidhje me këtë problem dhe të mos provojnë mosvlerësimin e vetes, humbjen e besimit siç e kishte pësuar ajo. Disleksia nuk është aftësi e kufizuar, as sëmundje, por një problem kompleks ku përfshin në një farë mënyre të mësuarit dhe të menduarit ndryshe. Në shumë raste është gjeniu i shoqërisë, por që humbet nga mësuesit e patrajnuar në këtë drejtim.
Aty do të përjetosh “sfidën” e jetës, se si një qytet i tërë përballet çdo ditë me pasojat e ndotjes së mjedisit nga nafta, nga “ari i zi”, por që është dhe pasuria kryesore më e çmuar e vendit tonë. Kjo ndotje që është rreziku më i madh i jetës së tyre, se si me vetdije aty njeriu lind, jeton, rritet dhe vdes duke e ditur se sa vite jetë u shkurtohen dhe se çfarë sëmundjesh u shkaktohen, dhe prapë se prapë e duan vendlindjen e tyre. Nuk heqin dorë prej vendit të tyre, por presin që instancat shtetërore t`i kthejnë sytë nga ata, për ndonjë përmirësim jetese, presin dhe nga intelektualët apo shkencëtarët që kanë lindur nga gjiri i tyre, pranë atyre viseve dhe po bëjnë emër në universitetet më të mëdha të botës që të kthejnë sytë nga vendlindja e tyre, për pastrimin e ajrit me metoda dhe teknika të ndryshme, qoftë edhe duke investuar me “pyje orbitale” apo dhe largimin e banorëve.
Në përgjithësi duhet të kthejmë sytë nga vendlindja, pasi ata “të varfër” që s`kanë mundësi të largohen, po mbajnë gjallë fshatin/vendlindjen e tyre akoma dhe të mos harrojmë se “Vuajtja është dhuratë e Perëndisë”, - shkruhet diku nëpër libra dhe se “Librat flasin mes veti”, thekson Umberto Eco, e jo të gjithë kanë kohë të lexojnë, por leximi është terapia kryesore e ripërtëritjes, pra leximi është terapia natyrale e shërimit, e mbrojtjes së kujtesës, trurit.
Aty do të përvetësosh mënyrën e ushtrimit të profesionit qoftë dhe në lëndët më elementare, duke u dhënë nxënësve të çdo klase, në fund të vitit shkollor një listë me libra të cilët duhet t`i lexojnë me çdo kusht gjatë pushimeve verore, dhe duke i pajisur në fillim të vitit tjetër shkollor me një certifikatë fituese/motivuese, sipas shënimeve apo citateve që kanë shkëputur prej librave të lexuar.
Në një video do të shikosh se si fëmijët e kopshtit kanë mësuar të ecin nëpër rrugët e bardha, do të zbulosh se kë quajnë ata rrugë të bardha, do të shikosh sesi grupet e ndryshme nëpër kopshte krijonë me doçkat e tyre forma të mahnitshme, si e përdorin, shpenzojnë dhe shfrytëzojnë plastelinën, brumin, fletët dhe ngjyrat në artin e jetës, si artistë/arkitektë të vërtetë. Gjithashtu do të gëzohesh kur dëgjon, se si edukatoret e një kopshti organizuan gjithë qytetin që t`u kthenin buzëqeshjen fëmijëve të jetimores, ku aty përfshihen dhe fëmijë të familjeve normale, por që për arsye ekonomike detyrohen t`i lënë një ose dy fëmijë në jetimore, duke i ndarë nga familja dhe nga gëzimi i tyre që është motra apo vëllai.
Do të shtohet dëshira që projektet e mësueseve të anglishtes ta zgjasin sa më shumë minutazhin e tyre duke folur, sepse anglishtja po të thyen veshin, tingëllon bukur për ata që e di në sado pak, pasi në jetën e përditshme s`kemi se ku ta dëgjojmë. Telenovelat dhe filmat janë pa vlerë për nga gjuha e folur, u harruan dhe konkurset e shkollave, të cilat, ne që jemi të dy epokave i kujtojmë me nostalgji dhe me vete themi si ka mundësi shoqëria jonë po falimenton për nga dija, sepse në televizionet tona s`po ambjentohemi dot pasi s`e gjen dot, një emision pa banalitet apo fjalë të pisëta.
Në orën e gjeografisë do t`u kërkosh nxënësve që të nxjerrin në pah bukuritë dhe pasuritë natyrore të vendlindjes së tyre origjinës, si duhet t`i ruajmë, shtojmë apo shfrytëzojmë ato, në mënyrë që t`i rikthejmë sytë nga fshati. Vërtetë jemi grumbulluar në qytet, për arsye shkollimi më të mirë, për arsye shëndetsore apo mungesa të tjera jetësore, por gjithmonë duhet të mendojmë për vendlindjen/fshatin, që është një burim tjetër kryesor për një jete sa më të shëndetshme. Dy-tre orë rrugë larg e kemi. Lëre pastaj që trupi i njeriut e ka të nevojshme një pushim dyjavor ose më shumë në fshat, që t`i pastrohen mushkëritë nga smogu i marrë gjatë vitit, ndër vite, apo dhe nga ndotja akustike. Kur të na bie ndërmend do të jetë shumë vonë, sepse shumica prej nesh që në moshën dyzet vjeçare e kanë mbushur recetën me ilaçe, për stres, diabet, tension, obezitet e lloj-lloj sëmundjesh të tjera, nga jeta pasive.
Ka njerëz që po t`ua falësh, bësh ofertë dy javë pushime në vendet më të bukura të botës s`do ta ndërronin me dy javë pushime në oazin e tyre të fshatit, ku kaluan ditët më të bukura të fëmijërisë, adoleshencës, nën qetësinë e pafundme të ditës, me aromën e tokës, luleve, gjelbërimit, me cicërimat e zogjve, fërshëllimat e gjetheve, zukatjen e gjinkallave, nën pëlhurën e gjelbërt të natyrës ku dhe stina e verës të duket si pranverë, nëpër fushat dhe arat e mbjella bukur dhe me delikatesë. Pse jo, të organizojmë aksione me nxënësit e shkollave për sistemimin dhe pastrimin e fshatrave, dhe me një kokurencë të gjerë të vetë intelektualëve apo emigrantëve që të investojnë për fshatin e tyre, për rrugë dhe pastërti si fillim, se me ato kushte që ka fshati, akoma s`quhemi “njerëz”.
Do të ndiesh kënaqësi kur rastësisht në bisedë e sipër dëgjon, se si një mësuese këshillon nxënësit e saj duke u thënë se në klasën tonë nuk duhet të ekzistojë pyetja; çfarë besimi i përket?, pasi te baba Zoti jemi të gjithë të barabartë, nuk ka racizëm, nuk ka urrejtje jam me këtë apo atë besim, mjafton të jesh njeri dhe të jesh i drejtë, të kesh respekt për të gjithë. Për këtë pyetje dhe vetëm kur ta mendoni do të jepni llogari te baba Zoti, jo më ta thoni me zë dhe me urrejtje. Sado që ta lexosh “Komedia Hyjnore” është shumë e vështirë ta kuptosh Dante Aligerin, pasi është e vërtetë dhe e vërteta kuptohet dhe pranohet gjithmonë me vështirësi. Sepse e vërteta, vërtetë të dhemb, por kur e kupton, e pranon dhe dalëngadalë shërohesh pa e kuptuar. Do ta shohësh veten duke “fluturuar”, sepse sjellja jote, s`të rëndon mbi supe. Do të ndihesh i/e rënduar vetëm nga fakti, se pse s`munde që të bësh dhe më shumë për të tjerët.
Ku me dy-tri orë mësimi në gjimnaz, nxënësve s`mund t`ua sqarosh vuajtjet dhe dënimet e njerëzve sipas sjelljes së tyre kur ishin në jetë, në të nëntë rrathët e Ferrit, uljen e dënimeve dhe lehtësimin e mëkateve, fshirjen e P-ve nga flatrat e engjëjve, në ngjitjen radhë-radhë të rrathëve të Purgatorit, si dhe bukuritë marramendëse të Parajsës. Vetëm në një përmbledhje me pika nxënësit mund ta kuptojnë, gjynah që “sjelljen” s`po mundemi t`ua mësojmë si duhet.
“Padituria jonë sa keq na vret”, “Sa e çmoj fytyrën tuaj vërtetë, e sa të jem gjallë lavdinë tuaj kam me e shpallë. Zoti rrugën ma gjatë do të ma tregojë, as vetë pa e kuptue se ka po shkoj, te visari im atje vendlindja, aty rroj unë e atje verojnë…” (Citate nga Komedia Hyjnore)
Me nderimin e Zotit fillon mençuria e njeriut. Respekti ndaj vetes, të afërmve, të tjerëve, ndaj natyrës. Po harrohet pasuria shpirtërore dhe për ata që e kanë ruajtur, mbajtur gjallë deri tani dhe po zëvedësohet me pasurinë materiale.
Mësuesi është truri i një kombi dhe e ka për detyrë ta pasurojë nxënësin e tij me këtë pasuri shpirtërore, sepse kanë kurrikulën e tillë, lexojnë apo kanë pasur shancin të lexojnë më shumë se ata të profesioneve të tjera, rreth pasurisë shpirtërore. Megjithëse e kanë të vështirë dhe vetë, sidomos ata të vjetrit në profesion se janë rritur dhe edukuar me ideologji tjetër, por larg qoftë në një aksident, të gjithë thërrasin në ndihmë Zotin me mendje dhe me zemër. Duhet t`i lutemi dhe ta falenderojmë Zotin dhe në heshtje për të mirat tona, sepse një lutje e tillë vlen sa për njëmijë të tjera, jo vetëm kur kemi nevojë dhe rast fatkeqësish.
Përse nuk ka një etikë në sjellje? Pse një drejtues e ka të vështirë të drejtojë institucionin e tij? Sepse “nuk mjafton vetëm me qenë i mirë” - thotë Dantja, duhet edhe për të bërë mirë në këtë jetë me vepra, pasi njerëzit e tillë që janë vetëm të mirë, por që janë as me Zotin dhe as kundër Zotit, as mish dhe as peshk, janë njerëz pa rrënjë, ku as qielli nuk i do se ia prishin bukurinë, por as i keqi s`i pranon, se si hyjnë më në punë. Mirëqenia ekonomike dhe bamirësia e çojnë përpara arsimin dhe arsimi e çon përpara një shoqëri, ku familja është “në zhdukje”.
Drita Gjaci Topjana, mësuese, maj 2019
Prindër, kuptoni fëmijën tuaj dhe respektoni punën e mësuesit!
Çdo lloj dhune nuk është bullizëm, por çdo lloj bullizmi është dhunë.
Çfarë mund të bëjë shkolla për të parandaluar bullizmin?