Arbërishtja në letërsinë shqipe, si vetëmjaftueshmëri dhe pasuri

"Potencialet te dialektet, kanë të bëjnë me pafundësinë e pasurive gjuhësore që ato u ofrojnë ligjërimeve letrare, përkundër rretheve relativisht të kufizuara të lexuesve që sigurojnë"

Të çdo stadi qofshin, për nga shkalla e elaborimit të tyre letrar, dialektet kanë potencialet, por edhe limitet/caqet e veta, për nga niveli i shprehjes dhe i raporteve të tyre komunikative me receptuesin. Por kësaj lloj sfide, nuk mund t`i shpëtojnë dot as vet gjuhët standarte të aplikuara në letërsi. Potencialet te dialektet, kanë të bëjnë me pafundësinë e pasurive gjuhësore që ato u ofrojnë ligjërimeve letrare, përkundër rretheve relativisht të kufizuara të lexuesve që sigurojnë. Kurse te standarti, dukuria shfaqet po ashtu, me avantazhe dhe disavantazhe-veçse në inversin e tyre. M’u për këtë arsye, përdorimi i dialektit në letërsi, duhet konsideruar si komplementar i të shkruarit në standart dhe kurrsesi kundërvënës me të, sikundër edhe mund të paragjykohet.

Prania e varietetit dialektor të arbërishtes - në letërsinë shqipe, paraqitet jo vetëm si një realitet evident (historik dhe aktual), por që përmes këtij varianti të shqipes, rezulton të jenë përcjellë disa prej kuotave më të larta, nëpër rrjedhat e kësaj letërsie. Funksionimi i tij sistematik, në një hark kohor prej afër pesë shekujsh, mbetet një vlerë jo thjesht muzeale në polisistemin letrar shqiptar, por si gjeratore pasuruese mjaft aktive e tij. Sipas herës, kuptohet, janë vrejtur te ky variant komunikimi gjuhësor, ndikuar prej rrethanash specifike: rrudhje, zgjerime/ekspansion, së brendshmi e së jashtmi, ndikime… të tij – në raport me standartin e shqipes, të asaj italiane, si dhe prej traditës së vet historike. Në tërësinë e tyre, këto lëvizje centrifugale e centripetal (pra hyrëse e dalëse) në nivel gjuhësor, gjithsesi, janë shfaqur të iniciuara e të orientuara në funksion të përcjelljes së shenjave sa më adekuate letrare.

De Rada mbetet padyshim autori, që, përmes arbërishtes, krijoi një nga korpuset më të shquara në letrat shqipe të të gjitha kohëve, krahas autorëve të tjerë si: Serembe apo Zef Skiro. Po atëherë, mund të shtrohet pyetja: Si u bë e mundur të arrihej kjo, po të kihet parasysh gjendja e atij dialekti arkaik e me varfëri të shpjegueshme leksikore, sikundër e vënë në dukje N.Ressuli (Shkrimtarët shqiptarë, 1941) apo dhe A. Pipa (Trilogjia Albanika II, 2013:260).

Te manuali i tij i njohur teorik “Parime të estetikës” (1861), De Rada, mesa duket jo rastësisht, por me tendencë të kalkuluar, përcjell tezën e Xhanbatisto Viko-së, mbi potencialet kreative që mbartin gjuhët, të çdo stadi qofshin ato, edhe ato të cilësuarat si më të hershme/të fjetura e me volume modeste strukturore e leksikore. Pikërisht këtë strukturë specifike të arbërishtes, e ktheu në strategji estetike De Rada dhe krijuesit e tjerë arbëreshë, të cilët, u kujdesën për të gjetur e për të aktivizuar atribute kompensive në raport me mungesat e për t`i kthyer pastaj ato në potenca të fuqishme arti. Dhe pikërisht ato hapësira modeste leksikore (apo boshet dhe gollet), synohet që të plotësohen/kompensohen, sidomos me praninë e dendur të elipsave dhe parabolave, duke endur në tekstet poetike një ligjërim dukshëm të figurshëm, pra, mjaft të rafinuar stilistikisht, që synon dhe arrin të depërtojë në pikat më esenciale e jo në periferitë sipërfaqësore. Prej kësaj poetike, do të thoshim rembrandiane dritëhije (clair-obscur, sikundër ka vrejtur E. Çabej), ka buruar për rrjedhojë edhe ai fragmentarizëm e ajo errësirë prej thellësisë, që mbetën edhe nga pikat aq të debatueshme, sidomos rreth artit deradian, e posaçërisht në shqyrtimin e kryeveprës së tij, “Këngë të Milosaos”.

Në studimin e tij shembullor, i natyrës teorike e tekstologjike, dalluar për një akribi shkencore, si rrallë në studimet tona (Trilogjia Albanika, 2013), A. Pipa na dëshmon, pas një hulumtimi të ngulët se, gjithë rrethi i leksikut të Milosaos rezulton të përfshijë jo më shumë se 704 fjalë, ku 19 për qind e tyre janë të huazuara prej greqishtes së re dhe italishtes kalabreze. Pa hyrë në detaje të tjera, që i kanë interesuar studiuesit, natyrshëm mund të lindë habia, sesi në një rreth kaq të kufizuar leksikor, të mund të projektohen pa mëdyshje kryevepra të tilla të fjalës, ku ajo, fjala, përtej konotacionit të njohur biblik (…e para ishte fjala…), mbetet ndërkaq, aksiomatikisht, si e para dhe e fundit në letërsi. Këtë nivel të lartë e ka siguruar doemos talenti i poetit, por edhe aftësia e tij për t`i njohur e pastaj për t`i tejkaluar limitet dhe kufizimet gjuhësore, madje, sikundër u theksua më sipër, duke i kthyer ato në potenca vlerash eksplozive, përmes lojës së pafund me figura stilistike.

Dhe pikërisht këto vlera të larta, e shtynë E. Çabejn ta vlerësonte De Radën, si poetin me frymëzim gjenial dhe poemën e tij, një nga ato fort të pakta vepra të literaturës shqiptare, që e bëjnë atë të përfaqësohet denjësisht në literaturën botërore, pikërisht për atë thellësi të saj, ku depozitohen si në palimpsest tradita letrare epokash të ndryshme, të lashta e të reja (Sh.Demiraj: Eqrem Çabej, 1990). I.Kadare e vlerëson poemën Milosao, si veprën më të konceptuar dhe më novatore në letërsinë shqipe, ku lexuesi, midis vargjeve, ndjen vargjet e pashkruar, midis këngëve, këngët e tjera të pathëna, duke triumfuar kështu gjuha e tij aq sintetike dhe aq e pasur poetike, m’u përmes asaj gjuhe imediate (modeste) që kishte në dispozicion. A. Pipa, përtej mrekullisë që i njeh aktit të ngjizjes së kësaj letërsie, ngritur mbi materien gjuhësore arkaike të arbërishtes, e cilëson po ashtu mrekulli këtë poemë të De Radës, e cila, gjykohet me vendin plotësisht të merituar në panteonin dhe në tryezën e rrumbullakët të republikës së letrave shqipe (cit. po aty, 257)

Përmes letërsisë arbëreshe, duke marrë parasysh veprat më të spikatura të saj, drejt sistemit të letërsisë shqipe, rezulton të jenë përcjellë modele pasuruese, unikale. Veçanërisht është i ardhur prej asaj letërsie modeli puro romantik perëndimor, përkundrejt romantizmit nacional, i cili, ishte zotërues tek autorët shqiptarë, ashtu si edhe tek autorë të tjerë ballkanas të shek.19-të. Kjo poetikë, sigurisht, që e pasuroi tipologjinë e poezisë shqipe, e cila, i shfaq kësisoj të dy kahet: koncepsionin militant dhe koncepsionin meditant të saj.

Është fakt se arbërishtja, vazhdon edhe në kohët e sotme të ushqejë indet e letërsisë në atë areal kulturor, ku ajo ka qarkulluar në shekuj. Për specifikë të atij niveli gjuhësor, gjithsesi të rrudhët - nga pikëpamja e volumeve leksikore, sigurisht që poezia vazhdon të prijë për nga niveli dhe sasia e botimeve, pasi ajo, ndryshe p.sh. nga proza, është e aftë të aktivizojë e funksionalizojë shenja kompensive. Dhe kështu, prej kësaj rrjedhe letrare, poezia shqipe vazhdon të pasurohet me prirje të poetikave, shpesh të rendit estetizant.

Për të gjykuar mbi situatën e sotme, jemi ndalur te dy poetë, për t’i parë veprat e tyre si kampionë hulumtimi. Njeri është Agostino Giordano (Buzëdhelpëri), që vjen nga një përvojë e gjatë krijuese e botuese (qysh nga vitet `60), duke u ndalur te përmbledhja e tij më e fundit poetike “Telet e Zëmrës” (2013) dhe tjetri, Michelangelo La Luna, poet relativisht i ri, me karrierë nga bota universitare, i doktoruar në Universitetin e Kalabrisë me tezën mbi veprën e De Radës dhe që ka botuar përmbledhjen arbërisht-italisht “Vjeshe Arbresh” (1999). Giordano bën me dije në hyrje të librit se dikur, ai ka shkruar në standart për t`iu kthyer më pas, përsëri arbërishtes.

Sikundër shprehet vet ai: Sepse kam besë se gjuha e Arbëreshve t`Italisë, çë folet ka pesë shekuj e gjymës, është adhe bëgatë. Dhe shpëtohet mësegjithë ture e shkruar. Jo vetëm ture e folur… Ky është një vizion i drejtë për të qëndruar e vazhduar tek të shkruarit e tyre në artin poetik - përmes arbërishtes, edhe pse atyre, mund të mos u mungojë përgatitja filologjike për t`i krijuar ato tekste përmes standardit. Por po të ndiqej kjo rrugë, atëherë, do të humbte e do të tretej arbërishtja, e cila, megjithë bjerrjet e saj, vazhdon të ruhet si gjuhë komunikimi, pra, si gjuha e zemrës, krahas asaj të bukës, italishtes, e për pasojë, si mundësi shprehjeje dhe përcjelljeje e shenjave specifike letrare, që vijnë me prirje pasurimi, në drejtim të letërsisë shqipe.

Nisur prej krijimtarisë së këtyre dy krijuesve bashkëkohës, mund të konstatohet se: 1.Arbërishtja vazhdon të përcillet/mbijetojë si gjuhë komunikimi letrar. 2. Vrehen të jenë tashmë në nivel gjithnjë e më minimal te këto krijime italianizmat, kur prania e tyre ka qenë më e zgjeruar kohëve të mëparshme. 3. Për ekuilibër të rrudhjes së leksikut italian, si dhe të zbehjes e mospranisë/mosfunksionimit të zhvillimeve të brendshme gjuhësore të arbërishtes, vrehet në këtë ligjërim letrar hapja, gjithsesi e përmbajtur, ndaj standardit të shqipes, jo prej ndonjë autoriteti tjetër, veçse si proces i natyrshëm kompensues prej rrudhjes, bërë i mundur pastaj ky kompensim prej ndikimeve që kanë mbi të aktualisht mediet shqiptare, elitat intelektuale vendase, tashmë në shumë komunikime me botën shqiptare, si dhe kontaktet e emigracionit të ri shqiptar.

Ka pasur ndonjë pikëpamje, kohë më parë, për ta orientuar lëvrimin aktual të kësaj letërsie drejt standardit, por shpejt u kuptua se me këtë zgjedhje, në fakt do të goditej në themel statusi i saj dhe atëherë, nuk do të kishim më një letërsi arbëreshe, sepse me braktisjen e variantit ligjërimor të arbërishtes, ajo do ta humbiste këtë atribut. Sinjalet e para të alarmit sos për fikjen e tij, sigurisht që po ndihen, por ai çast i pritshëm/ i mbramë do të vijë si një proces natyral i asimilimit e përmbylljes së ciklit të kulturave.

Ky moment, në fakt po sillet/endet, nga pikëpamja motivore, si një klithmë mjelme në shumë poezi të sotme arbëreshe. Po sjellim në këtë rast në vëmendje një poezi elegji të M.La Luna, kushtuar pader Xh. Frankos, këtij mjeshtri të tij, të cilin, i riu, e pat ndjekur me venerim prej dishepulli, në jetë e në studime. Humbja e këtij njeriu, që pati drejtuar edhe revistën e njohur “Zjarri”, e çon në nivel parabole ankthin e fikjes së zjarrit të botës arbëreshe…këtë kulturë ç`është e vdes…, siç shkruan poeti. Dhe përmes efektit homonimik, nga rimarrja frekuente e vargut apelitiv: Ku je, oj zo`, ku je…, krijohet fjala kuje, si shënjues drame të thellë, ku përcillet droja prej fikjes së pritshme të një gjuhe dhe të një kulture, bashkë me të. Por, pa bërë orakullin për procese që do t`i vendosë vetëm koha, këtu mund të cekim edhe problemin e qëndrimit që duhet mbajtur ndaj këtij varianti gjuhësor, në botime e tekste shkollore, i bërë jo pak herë objekt diskutimi e debatesh në raste të ndryshme.

Veçse këtu, duhet theksuar, pa farë luhatjeje se, tekstet letrare në arbërisht nuk duhen përcjellë veçse në strukturat e tyre origjinale. Varianti i përshtatjeve, i aplikuar ndonjëherë me to, do të çonte në fakt në prezantim veprash autoriale krejt të tjera, duke cenuar/tradhtuar kështu vullnetin e autorëve gjegjës. Varianti tjetër i mundshëm, ai  i përkthimeve prej italishtes (pasi shumë nga ato vepra kanë qenë botime dygjuhëshe), do të sillte te pritësi veçse përkthimin dhe jo origjinalin. Prandaj, dhënia e teksteve në variantin e tyre origjinal, mbetet e vetmja rrugë dhe, disa vështirësi që sjell specifika e ligjërimit të arbërishtes, është e mundur të kapërcehen, përmes shoqërimit të tyre me glosarë shpjegues. Vetëm kështu, mund të shijohet së brendshmi aroma e atyre krijimeve origjinale dhe, nga ana tjetër, jepet rasti që vet arbërishtja, si varietet ligjërimi, të hyjë drejt lexuesit shqiptar, në një sistem sa më të plotë komunikimi dhe ndikimi: gjuhësor e letrar.

(Ymer Çiraku, Shekulli)

2,721 Lexime
8 vjet më parë