Shikim në bardhësi

Abdyl Hajredini: Të falem mësues Salih Kolgeci!

A ka gjë më të bukur për një mësues se sa të mbesë përjetë në mendjen e një nxënësi, për modelin që ka transmetuar! Abdyl Hajredini shkruan plotë mirënjohje për mësuesin e tij pas 60 vitesh këtë dedikim kaq emocionues...

Të falem Mësues Salih Kolgeci! Të falem se ti ishe i veçantë (Salih Kolgeci nga Vraniçi i Suharekës na dha mësim - gjeografi dhe histori - më 1966 në Mushtisht). Ishe i veçantë sepse na mahniteshe me fjalët dhe njohuritë që na i transmetoje për gjeografinë, për historinë, për artin, për jetën dhe… dhe për gjithçka. 


Më kujtohet kur ne ishim të tmerruar nga mësimet e hoxhallarëve se brenda tokës është Ferri që na priste. E ti kur na shpjegove për planetet, krijimin e tokës, morëm frymë thellë dhe u çliruam nga ankthi se një ditë Ferri do të na përpinte në zjarr. 


Më kujtohet kur na mësove për lashtësinë, për luftërat, për rendet shoqërore, për “Iliadën” dhe ‘’Odisenë’’ e Homerit. Më kujtohet kur na porosite ta shikonim në kinema Filmin “Lufta e Trojës”. Më kujtohet kur na flisje për luftërat dhe fatin tragjik të shumë popujve gjatë historisë. Dhe, na flisje edhe për historinë dhe fatin e popullit shqiptar. Atëbotë, këtë atëherë e kishe të ndaluar nga regjimi pushtues por ti rrezikove, na diktove 6 orë mësimore për Ilirët dhe na the: “Ruani këto shënime! Ndoshta ndonjëherë do t’u duhen”. Më kujtohet kur na kontrolloje detyrat - vizatimin e hartave të shteteve që mësonim. E, sa herë që ndonjë nxënës ishte pa detyra, ne na vinte turp e ty të vinte keq. Por, ti si Migjeni, e zgjidhje problemin duke na dhënë kurajë e shpresë se nuk është gjithçka e humbur. Kishte gjasa për përmirësim. Për çudi, të gjitha këto na i thoshe aq seriozisht e me konsideratë sikur të ishim të rritur. Dhe ne e ndienim se me praninë tuaj vërtet po rriteshim. Mrekulli! 


Në Janar të këtij viti, pasi u informova se Mësuesi Salih Kolgeci ishte gjallë, 87 vjeç, me  një ish koleg, mësuesin Ali Semanaj nga Savrova dhe ish shokun e klasës, Zeçir Ramadanin, nga Delloci, vendosa ta vizitoja. E gjetëm në Prizren. Na priti me po atë qëndrim prej mësuesi sikur para 60 vjetësh. Fytyra e tij shpërfaqte thellësi mendimi, gatishmëri për të thënë dhe për dhënë gjithçka që kishte në mendjen e tij. Pasi u falëm me të e u njohëm e u pamë pas 60 vjetësh, i shpreha mirënjohje e përjetësisht respekt për gjithë atë që kishte bërë, për mua dhe për gjithë ata breza që kishin kaluar nëpër duart e tij të arta prej mësuesi. E ai, me modesti na tha: “Kam frikë se ndoshta nuk kemi bërë sa duhet”! O jo, Mësues Salih, Ju keni bërë shuuumë, shumë, aq sa nuk ka peshë me të cilën mund të matet puna juaj! S’ka si Mësues Salihi! - thonim para 60 vitesh dhe themi përsëri - S’ka!

Andaj, të falem e të përulem, shkëlqesia juaj, Mësues Salih Kolgeci!


Nga Abdyl Hajredini 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

622 Lexime
10 muaj më parë