Studimet e larta

A duhet të ndikojnë prindërit në zgjedhjen e fëmijës?

Fëmijët janë ata që sigurojnë vazhdimësinë e ciklit të pandalshëm të jetës. Arrijnë në këtë botë përmes nesh, u japim gjithë dashurinë tonë, por kurrsesi nuk mund t'i detyrojmë të pranojnë dhe të mbeten vetëm në kuadratin e mendimeve tona.

A duhet të ndikojmë tek adoleshentët në zgjedhjet që bëjnë për shkollimin e mëtejshëm? 


Fëmijët janë ata që sigurojnë vazhdimësinë e ciklit të pandalshëm të jetës. Arrijnë në këtë botë përmes nesh, u japim gjithë dashurinë tonë, por kurrsesi nuk mund t'i detyrojmë të pranojnë dhe të mbeten vetëm në kuadratin e mendimeve tona. Ata kanë mendimet e tyre, madje shumë më të moderuara dhe me hapin e kohës.


Ka një ndryshim të madh mes drejtimit dhe këshillave që i jepen një adoleshenti për marrjen e një vendimi të rëndësishëm për të ardhmen e tij dhe detyrimit apo nxitjes për të hyrë drejt një shtegu, që hamendësojmë se është më i miri për t’u ndjekur prej tij. Për përvojën që zotëron, sigurisht, prindi është shumë më i informuar dhe i kujdesshëm, por vjen një etapë te fëmijët tanë, që duhet të na bëjë më mendjehapur.


Sa herë që e gjej veten duke këmbëngulur së tepërmi për t’i kërkuar fëmijës tim të përmbushë diçka me çdo kusht, apo s’ndihem aspak e qetë kur ai s’bie dakord që të bëjë një veprim sikurse më pëlqen mua, kthej sytë drejt vetes dhe vështroj me kujdes se cila mund të jetë ajo pjesë e së shkuarës që po përpiqem ta rifitoj përmes tij.


Pyes: A kemi të drejtë të vendosim për zgjedhjet e tyre për të ardhmen? Jo, kurrsesi, nuk kemi asnjë të drejtë të zgjedhim, madje as të shpresojmë që fëmijët tanë të jenë një zgjatim i jetës sonë. Mos, ndoshta, kjo na ndihmon të realizojmë ëndrrat tona të parealizuara, apo të shërojmë dështimin dhe dobësinë tonë?!


Është koha të kuptojmë se, nëse fëmija ynë heq dorë nga të qenët vetvetja dhe nga përmbushja e prirjeve të tij, atëherë atij do t'i duhet të paguajë një çmim shumë të lartë në të ardhmen, por edhe të padrejtë. Nuk ka asnjë dyshim se trysnia që ushtrojnë mbi fëmijët për t'i këshilluar të bëjnë zgjedhjet e duhura, shpjegohet me interesin dhe dashurinë që tregojmë ndaj tyre, por s’duhet harruar se duhet të respektojmë zgjedhjet e tyre, aty ku ata ndihen më të sigurt dhe më të suksesshëm. 


Nuk duhet të frikësohemi dhe t'i pengojmë në aftësitë ku ata ndihen më të sigurt. Mbështetja jonë për aftësitë që ata zotërojnë, do t'i ndihmojë të pranojnë dhe të njohin veten, të bëjnë zgjedhjet apo të marrin vendimet e duhura. Do t'i ndihmojë të bëjnë plane për të sotmen, për të nesërmen, për karrierën - plane që përshtaten me dhuntinë dhe qëllimet që kanë. Mbështetja për zgjedhjen që ata bëjnë, do t'i ndihmojë të modelojnë të ardhmen, të ndjekin ëndrrat e tyre. Do t'i ndihmojë të jenë vetvetja dhe, pse jo, të suksesshëm.


Zgjedhja është tyrja. Nuk na mbetet veçse t’i mbështetim dhe t’i nxitim aty ku ndihen vetvetja. 


(Artemisa Bushi, Portali Shkollor)

2,714 Lexime
6 vjet më parë