Analizë

A do ta zëvendësojë teksti elektronik librin fizik?

Librat digjital në krahasim me tekstet e zakonshme kanë një kosto shumë të ulët dhe studentët do të kenë gjithmonë informacionin më bashkëkohor, pasi versioni digjital e lejon atë. Përdorimi i TIK dhe librit digjital në klasë janë e ardhmja e edukimit.

Është diskutuar dhe vijon të diskutohet për tekstin digjital dhe librin e printuar, kush do të përdoret më shumë se tjetri. Ka nga ata që mendojnë se libri digjital do të dominojë, por ka dhe nga ata që besojnë se libri do t’i rezistojë zhvillimit të vrullshëm të teknologjisë. Më parë diskutohej për mediat online dhe gazetën print, kush do të dominojë tregun, cila do t’i rezistojë kohës. Në të dyja rastet ka argumente pro dhe kundër. 

Teksti digjital takohet rëndom me terma të ndryshëm si “libër elektronik”, “e-libër”, “ebook”, “e-Book”, “libër digjital” ose “libër dixhital”. 


Teksti digjital është një libër i publikuar në formë elektronike dhe përbëhet nga teksti, imazhe, audio, video të lexueshme në kompjuter apo pajisje të tjera elektronike, por mund të jetë dhe një version i librit të shtypur në format të thjeshtë elektronik.

Libri i parë elektronik është Index Thomistikus, një indeks shënimesh elektronike me veprat e Tomas Akuinit, i përgatitur nga Roberto Busa filluar në vitin 1940 dhe përfunduar në 1970.


Në ditët e sotme ekzistojnë dy shkolla mendimi në lidhje me çështjen e teksteve digjitale. E para thotë se letra është shumë më superiore dhe nuk do të zëvendësohet nga ekranet. Ky argument mbështetet më së shumti në cilësitë unike të ndjesisë prekëse të letrës. Libri është libër! (Whaller 1987, f.261)

Ai e mbron këtë mendim duke argumentuar se letra është një bartës i shkëlqyer i informacionit dhe ka një intimitet të ndërveprimit me lexuesin, gjë që nuk merret mes ekranit dhe lexuesit. Për më tepër, miliona libra që ekzistojnë tani, nuk do të thotë se të gjithë do të gjejnë rrugën elektronike duke siguruar ekzistencën e librit letër edhe për shumë vite akoma.


Shkolla e dytë favorizon përdorimin e tekstit elektronik, duke përmendur lehtësinë e magazinimit dhe rikthimin, fleksibilitetin e strukturës dhe ruajtjen e burimeve natyrore si stimuj të mëdhenj. Sipas kësaj perspektive, teksti elektronik shpejt do të zëvendësojë letrën dhe në një kohë të shkurtër, ne të gjithë do të jemi duke lexuar në ekrane. (Ted Nelson, 1987)


Pyetja nuk është se a mund të bëjmë gjithçka në ekran (kompjuter), por kur mund ta bëjmë dhe si mund ta bëjmë këtë?


Qëllimi i rishikimit të këtij debati tashmë, nuk është për të zgjidhur çështjen nëse njëri apo tjetri medium do të dominojë, por për të shqyrtuar në mënyrë kritike dallimet e raportuara mes tyre në drejtim të përdorimit dhe në këtë mënyrë të mbështetet analiza e arsyetuar në debatin tekst elektronik apo tekst letër duke bërë kështu që të nxirren në pah çështje të rëndësishme themelore, përdorshmërinë e një të mesmeje.

Një nga arsyet e këmbënguljes së përdorimit të mjeteve digjitale është kursimi i parave. Librat digjital po zëvendësojnë pak nga pak tekstet tradicionale, sepse tekstet janë të kushtueshëm dhe shpesh herë kanë informacion të vjetruar, kështu që del detyra të ribëhen.


Librat digjital në krahasim me tekstet e zakonshme kanë një kosto shumë të ulët dhe studentët do të kenë gjithmonë informacionin më bashkëkohor, pasi versioni digjital e lejon atë.


Gjithashtu librat elektronik përmbajnë kuice, filma etj. gjë që i tërheq nxënësit. Me anë të tabletave, nxënësit mund të kenë në dorë një librari të tërë.

Zëvendësimi i librit të printuar me librin elektronik është shpërndarë gjerësisht dhe do të vazhdojë akoma të përhapet me shpejtësi të madhe në të ardhmen.

Përdorimi i TIK dhe librit digjital në klasë janë e ardhmja e edukimit.

Tani pyetja e ditës në shumë shkolla është se si do të përgatitemi për këtë ndryshim.

Gjëja e parë e rëndësishme është pajisja e shkollës me infrastrukturën e duhur: internet me kapacitet të mjaftueshëm dhe shpejtësi të lartë, mësues të trajnuar, kompjuter, projektor, smartboard dhe sistem sigurimi.


Përvoja botërore me tekstet digjitale

Në fjalimin e vitit 2011 të State of the Union, presidenti Obama tha: “Unë dua që gjithë nxënësit të jenë në gjendje të mësojnë me librat digjital”.


Nxënësit, sot, po rriten si përdorues natyral të teknologjisë dhe informacionit. Teknologjia është pjesë e pandashme e jetës së tyre të përditshme, kështu që nuk ka kuptim që të mos u japësh përparësi përdorimit të mjeteve digjitale si mjete mësimore të nxënësve, kur ata tashmë janë të interesuar dhe i përdorin lehtësisht ato. Edhe në periudhën e tanishme të sapolindur, teknologjitë digjitale kanë provuar tashmë përfitimet për nxënësit dhe mësimdhënësit (https://odl.mit.edu/value-digital-learning.)

Lidhur me këtë, duket sikur bota është e ndarë në dy pjesë që mendojnë në kundërshti: Pro dhe kundër librit digjital, pro dhe kundër tabletit. Një studim i ProCon.org në shumë shkolla në USA ka dalë në këto përfundime në lidhje me përdorimin e tekstit digjital.


ProKundër
- Tableta i ndihmon nxënësit ta përvetësojnë materialin më shpejt. Instruksionet e dhëna përmes teknologjisë e shkurtojnë kohën që i duhet nxënësit për të arritur objektivin e të mësuarit në 30-80%, duke iu referuar Departamentit të edukimit në USA.

-81% e mësuesve nga klasa 1-12 besojnë që tableta e pasuron mësimin në klasë.

- 77% e mësuesve mendojnë që teknologjia e rrit motivimin e nxënësit për të mësuar.
- Tableta mund të mbajë qindra tekste, plus detyrat e shtëpisë, kuicet etj.

- Tekstet elekronike në tableta kushtojnë mesatarisht 50-60% më pak se librat dhe çmimi i tabletave po vazhdon të ulet duke i bërë ato të përballueshme për masën e gjerë të nxënësve.

- Tableta ndihmon nxënësit të arrijnë rezultate më të larta në testet standarde.

- Tableta përmban shumë karakteristika teknologjike që nuk mund të gjenden në tekstet e shkruara. Ajo u jep mundësinë përdoruesve të editojnë e të mbajnë shënime pa e prishur tekstin për përdoruesit e tjerë.

- Tableta lejon të bëjnë kërkime, të lexojnë në dritë të dobët, përdorin diagram interaktive, video duke rritur motivimin, kreativitetin dhe pjesëmarrjen aktive në klasë.

- Tekstet shkollore janë më të rënda dhe shkaktojnë dëmtime të nxënësve, ndërsa tableta peshon 500 g deri në 1 kg.

- Tableta i ndihmon nxënësit të jenë të përgatitur për një botë që është e zhytur në teknologji.

- Në tabletë, tekste elektronike mund të bëhen update me informacione te reja.

- Tableta shkurton shpenzimet që duhen për letër shtypi dhe duke mbrojtur mjedisin.

- Tableta lejon që mësuesi ta përshtasë më mirë mënyrën e të nxënit për çdo nxënës.
Në tabletë ka mijëra aplikacione tutorial që mundësojnë individualizimin e metodave të të nxënit.

- Tekstet elektronike ruhen lehtësisht në server “cloud” nga ku mund të hapen në mjete të tjera.

- Përdoruesit e tabletave lexojnë një numër më të madh librash në krahasim me ata që përdorin tekstet.

- Përdorimi i tabletës është intuitive dhe nxënësit e shkollës fillore i përdorin edhe pa u dhënë udhëzime.

- Mësimi digjital i mundëson nxënësit që t’i kuptojnë konceptet në mënyrën më të shpejtë dhe më të plotë duke lidhur teorinë me zbatimin me zhdërvjelltësi dhe i angazhon në një të mësuar më të lehtë, përmirëson teknikat udhëzuese dhe lehtëson shkëmbimin e gjerë të dijes.


- Pajisjet teknologjike që mbahen në dorë janë të lidhura me një sërë problemesh shëndetësore si lodhjen e syve, dhimbje koke, tendosje të muskujve si dëmtimi i muskujve të kyçit të dorës, dhimbje e qafës etj.

- Krijimi i infrastrukturës si: pajisja me teknologji, wi-fi , tablet, etj. kushton më shtrenjtë se tekstet.

-Përdorimi i tabletës në klasë sjell shumë shqetësime, sepse nxënësit mund t’i kushtojnë vëmendje më të madhe lojërave, filmave etj. dhe mund të mos përqendrohen në mësime.

-Personat që lexojnë tekste të printuara kuptojnë, mbajnë mend dhe nxënë më shumë se ata të cilët lexojnë tekste digjitale. Truri i interpreton tekstet e printuara dhe ato digjitale në mënyra të ndryshme. Njerëzit në përgjithësi lexojnë një tekst digjital 20-30% më ngadalë se atë të printuar.

- Një pjesë e mirë e nxënësve në shtëpitë e tyre nuk kanë internet të një shpejtësie të lartë që është i domosdoshëm për të përdorur tabletën dhe kryer detyrat e dhëna.

- Prodhimi i tabletave është i dëmshëm si për mjedisin dhe për shëndetin e njerëzve. Sipas gazetës "New York Times", efektet negative që ka prodhimi i një tablete të vetme mbi shëndetin e njeriut mendohet të jetë 70 herë më i lartë se ai i prodhimit të një libri.

- Riparimi i tabletës kërkon teknikë me përvojë që mund të jetë e kushtueshme dhe merr kohë, ndërsa riparimi i një libri bëhet me mjete të zakonshme.

- Tekstet tradicionale nuk thyhen, prishen, ngrijnë etj. Në ndryshim nga tabletat, tekstet nuk paraqesin asnjë rrezik ndaj viruseve apo vjedhjes së informacionit personal.

- Jetëgjatësia mesatare e baterisë së një tablete është më e shkurtër se koha e qëndrimit në shkollë.

- Tableta është më e rrezikuar ndaj vjedhjeve.

- Tableta i mëson nxënësit që t’i bien shkurt duke anashkaluar leximin dhe analizën e teksteve, pasi ata mund të gjejnë informacione të ndryshme në internet me shumë lehtësi.

- Kostoja e lartë e tabletës margjinalizon nxënësit që vijnë nga shtresat e varfra. Pra tableta thellon më shumë dallimin mes shtresave të popullsisë.

- Tableta mund të paraqesë vështirësi për nxënësit që nuk janë të dhënë pas teknologjisë.

- Tableta e zhvendos fokusimin e të mësuarit nga mësuesi tek teknologjia. Ky ndryshim margjinalizon përvojën shumëvjeçare të mësuesit në favor të një teknologjie që nuk është e provuar.

- Shumë tekste nuk janë në formatin digjital. Deri në vitin 2012 vetëm 30 % e teksteve mësimore janë të digjitalizuara.

Sot, shumë shkolla në gjithë USA po i shohin përfitimet e përdorimit të mjeteve të teknologjisë dhe informacionit.

(Nga: Drita Kolndreu)

14,963 Lexime
8 vjet më parë