Zvicër - Hapet pika shkollore në Trübach të Kantonit të St. Gallenit
Shkollave shqipe në Zvicër i bashkëngjitet edhe pika shkollore në Trübbach (Trybah) të Kantonit të St. Gallenit, e cila të mërkurën e kaluar hapi dyert për fëmijët shqiptarë të këtij vendbanimi.
Shkruan: Vaxhid Sejdiu
Në vazhdën e përpjekjeve për të përfshirë sa më shumë fëmijë shqiptarë në gjirin e shkollave shqipe në mbarë Zvicrën, të mërkurën e kaluar hapi dyert për fëmijët shqiptarë edhe pika shkollore në Trübbach (Trybah) të Kantonit të St. Gallenit, e cila iu mundëson fëmijëve të këtij vendbanimi që t`i ndjekin me rregull orët mësimore në gjuhën shqipe.
Një ndjenjë e veçantë, Nxënëset Lorina, Anika, Aliyah, Dilara gjatë orës mësimore në gjuhën shqipe në Trübach
Fakt është se tani më prindërit shqiptarë në Zvicër gjithnjë e më tepër po interesohen që fëmijët e tyre t`i ndjekin mësimet në gjuhën shqipe me qëllim që, ata, ta ruajnë dhe ta mësojnë gjuhën amtare, si një nga obligimet e rëndësishme të mërgimtarëve shqiptarë. Një gjë të tillë me theks të veçantë e këshillojnë edhe institucionet zvicerane si dhe mësuesit dhe drejtuesit e shkollave publike në Zvicër.
Se sa e rëndësishme është gjuha amtare nuk ka nevojë të flasim apo të shkruajmë shumë, por duhet më shumë të veprojmë me qëllim që fëmijët shqiptarë, të cilët lindin dhe rriten larg atdheut t’i orientojmë drejt pikave shkollore. Një gjë të tillë kanë bërë edhe prindërit të cilët banojnë në fshatin Trübach (Trybah) të Kantonit të St. Galenit së bashku me kryetarin e L.A.P.Sh. të Kantonit të St. Gallenit z. Mehemtali Sherifin duke u angazhuar në shërbim të organizimit sa më të mirë të kësaj pike shkollore. Vlen të përmendet se më herët disa prej nxënësve i kanë vijuar mësimet në gjuhën shqipe disa kilometra larg në vendbanimet e afërta në Mels apo Sargans.
Fillimisht ishin disa nxënës të cilët u regjistruan në këtë pikë shkollore, kurse tani për hir të shtimit të numrit të nxënësve mësimi zhvillohet në dy grupe, çdo të mërkure, nga ora 13:15 – 15:15 dhe grupi i dytë 15:30-17:15. Nxënesit e shkollës shqipe: Ditmiri, Agoni, Valdeti, Vlera, Leoni, Arioni, Eliona, Dorioni, Dilara, Anika, Aliyahi, Ledioni, Leandra, Trimi, Lorina, Dijari, Ajana.... ju bëjnë thirrje edhebashkëmoshatarëve të tyre t`iu bashkëngjitën në orët mësimore të gjuhës shqipe.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Shënohet 22 nëntori, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe, prezantohet drafti
Roli i teknologjisë së informacionit në mësimëdhënie