Trofe

Zidane, pretendenti kryesor për “trajnerin e vitit” nga FIFA

Ish-mesfushori i galaktikëve, që po mrekullon edhe në pankinë me një mesatare mbresëlënëse titujsh, u detyrua të kënaqet vitin e kaluar me vendin e dytë. Por askush nuk ka dyshim se në Londër do të jetë pikërisht “Zizu” ai që do të vlerësohet.

Zinedine Zidane ka fituar deri më tani dy Superkupa pa nisur ende mirë sezoni, atë të Europës dhe të Spanjës, por asnjë prej trofeve të lakmuar nuk do të llogaritet në përzgjedhjen e trajnerit më të mirë të FIFA-s.


Gjithsesi, francezi i Realit të Madridit mbetet sërish pretendenti kryesor për të triumfuar mes kolegëve të tjerë të pankinës, për sukseset e sezonit të kaluar që kulmuan me triumfin në Champions League.


Ish-mesfushori i galaktikëve, që po mrekullon edhe në pankinë me një mesatare mbresëlënëse titujsh, u detyrua të kënaqet vitin e kaluar me vendin e dytë, pas Claudio Ranierit. Por askush nuk ka dyshim se më 23 tetor, në Londër do të jetë pikërisht “Zizu” ai që do të vlerësohet.


Nëse për fituesin nuk ka dyshime, lufta më e ashpër mbetet për dy shkallët e tjera të podiumit. Massimiliano Allegri përkëdheli “tripletën” me Juventusin deri në finalen e Kardifit, ndërsa të tjerë pretendentë janë Conte, që fitoi Premier League me Chelsea, dhe Jardim, arkitekti i Monacos në fitoren e Ligue 1 dhe ecurisë tejet të mirë në Champions.


Fituesit do të shpallen në bazë të 25% të votave të kapitenëve të të gjitha kombëtareve, 25% nga preferencat e tifozëve, po kaq nga trajnerët dhe të njëjtat mundësi për 200 përfaqësues të medieve.

2,210 Lexime
7 vjet më parë