“Zemra ime ka rrahur gjithmonë për median”
Prej disa vitesh Eni është pjesë e grupit të prodhimit të programeve televizive si “Britains got Talent”, “Big Brother” dhe “X Factor”
Prej disa vitesh Eni është pjesë e grupit të prodhimit të programeve televizive si “Britains got Talent”, “Big Brother” dhe “X Factor”.
Dëshira për të punuar në media ka qenë gjithmonë pjesë e brendshme e saj. Edhe pse prindërit deshën dhe e nxitën atë të studiojë për ekonomi, ajo të parën vuri median.
“Zemra ime ka rrahur gjithmonë për median në fakt. Sa herë shikoja emisione televizive e mendoja se sa e mrekullueshme do të ishte të punoja aty. Në fakultet studiova media, sepse kjo ishte ajo që unë doja, edhe pse e dija që do ta kisha të vështirë të futesha në këtë industri, veçanërisht duke menduar konkurrencën e këtushme. Për një vit pas studimeve nuk gjeta punë. Kështu prindërit më këshilluan të ndërroj drejtim karriere,duke studiuar për ekonomi”.
Edhe pse mbaroi studime të dyta në ekonomi, aplikimet dhe kërkimet për punë vazhdonin të ishin në industrinë e medias. Nuk la producent pa i dërguar e-mail-e dhe pa e kontaktuar. Nuk la television pa dërguar CV. Prej më shumë se një viti aplikimesh dhe kontrolle e-mail-sh në çdo orë të ditës, se mos ndonjëri/a i ishte përgjigjur më në fund, zonja e quajtur Denise Kelly, producente në ITV i ofroi Enit një vend për të punuar në emisionin “Take me out”. Eni aty do të përshkruante një njeri të famshëm. Kjo ishte dhe pikënisja që i hapi rrugët 26-vjeçares për të punuar aty ku ajo kishte ëndërruar gjithmonë.
“Për më shumë se një vit kam punuar vullnetarisht. Vetëm kështu mund të provoja që isha njeriu i duhur për këtë punë. Edhe pse e papaguar dhe me sakrifica, falenderoj prindërit e mi për mbështetjen. Veçanërisht gjatë asaj periudhe unë i gëzohesha vetëm faktit që punoja në media”.
Më pas Eni punon në emisionin “Got to dance” në Sky One, ku i duhej të ishte gjithë kohës në lëvizje rreth Britanisë dhe Irlandës duke mbajtur audicione në Birmingam, Mançester, Glasgou, Dublin, Njukastëll dhe Londër. Gjatë kësaj kohe asaj i duhej të kujdesej për producentët, vipat dhe pjesëmarrësit. "Absolutisht e pëlqeja atë punë. Ishte gjithashtu një mundësi për të eksploruar Britaninë. Është një vend i mrekullueshëm, pavarësisht motit të lagësht".
Kaq kishte ajo sa për të futur këmbët në media dhe pastaj emisionet e presin në radhë. Pasi eksploron Britaninë fillon të punojë në emisionin e shumë ëndërruar prej saj, "The X Factor". Për atë ishte një ëndërr e bërë realitet. Më pas në “Britains got Talent”, në festivalin më të madh në botë, atë “Glastonbory Festival” në BBC, “Got to dance” në Sky One dhe “Big Brother” në Channel 5. “Në Big Brother” unë e pashë veten një shkallë më ngushtë me punën e ëndërruar. Atje punoja duke përzgjedhur pjesët më të mira të personave Brenda shtëpisë. E kam bërë këtë punë për të paktën dy vjet.
Kur “Big Brother” mbaroi ajo vazhdoi të angazhohetnë role të tjera në Channel 4. Për momentin 26-vjeçarja punon në ITV në show-n e quajtur “Tipping point”. I pëlqen atmosfera në çdo program ku punon, sidomos kur ajo është në studio. Tek e fundit ka ëndërruar gjithmonë për këtë. “Është një ndjesi që nuk mund ta përshkruaj. Të them të drejtën s’më duket si punë, më duket më shumë si gallatë.
Megjithatë ka raste që punojmë me orë të zgjatura nga ora 6 e mëngjesit deri në orën 2 të mëngjesit pasardhës. Por e ndjej lodhjen vetëm kur godas shtratin (qesh)”. Me Enin takohem në London Bridge.
Ecëm gjatë për të gjetur një vend të qetë, pa shumë njerëz, ku mund të pinim diçka e të bisedonim në qetësi, jo vetëm rreth materialit të intervistës, por edhe për pak kujtime të bukura fëmijërie. Jemi nga i njëjti qytet dhe, madje kishim jetuar në të njëjtën lagje.
Ndajmë gjithashtu të njëjtin profesion. Teksa ajo më tregonteme dëshirën e madhe, gjithë çfarë kishte arritur të bënte dhe me sa shumë mund kishte ardhur deri këtu, po mendoja se fillimet e saj do kenë qenë ë lehta përderisa ajo ruan ende kaq shumë energji.
Në fakt fillimet e Enit dhe familjes së saj në Mbretërinë e Bashkuar nuk ishin dhe aq të lehta. Ajo ishte vetëm 10 vjeçe atëherë. Nuk dinte asnjë fjalë anglisht, ashtu sikurse edhe familjarët e saj. Ia nisën çdo gjëje nga e para. Kjo nuk mund të të venitet lehtë nga kujtesa sado arritje të mëvonshme të të presin në karrierë. Ka kaluar pjesën më të madhe të jetës në Angli, por ajo më tregon se sa më shumë vitet kalojnë, aq më shumë ka mall për Shqipërinë.
Nuk e besova, duke menduar se ajo tashmë ka çdo gjë këtu, familjen, shoqërinë, punën, çdo gjë.
Në fakt Eni është shumë patriote, madje ajo, për t’i kujtuar vetes se nga vjen mban edhe një tatuazh, ku shkruhet “guri i rëndë në vendin e vet”. “Mirë, apo keq është vendi nga unë vij. Vetëm shpresoj që të vazhdojë të zhvillohet si vend, më mirë nga sa është bërë deri tani. Ai vend ka plot njerëz të talentuar, edhe këtu në Angli ka plot, por akoma mbeten për t’u zbuluar”, – vazhdon të më rrëfejë Eni me po aq dashuri dhe energji sa dhe në fillim kur më rreshtoi emisionet ku ajo kishte punuar, punë për të cilën tregonte se ndihej dhe krenare, dhe e privilegjuar.
Sa herë që puna i jep asaj ditë të lira pushimi, ajo fluturon drejt Shqipërisë. Për fat të keq, jo në periudha vere, pasi është gjithmonë e zënë me programe. “Edhe kur jam në punë unë s’pushoj duke treguar se sa e bukur është Shqipëria. Njëherë mora një kolegen time në Shqipëri. Ajo absolutisht e pëlqeu atë vend. Tani pjesa më e madhe e producentëve janë kuriozë të shkojnë dhe të shohin Shqipërinë nga afër”, – më tregon më tej Eni. Dhe nga kjo kuptoj se Eni shfrytëzon edhe njohuritë nga ekonomia gjatë punës, duke iu nxitur endjen kolegëve producentë për të vizituar të mrekullueshmen Shqipëri të saj dhe timen. Sipas saj, për të kuptuar se si bota e sotme funksionon duhet medoemos që gjithsecili të ketë pak mendje biznesi dhe ekonomie.
Tani për tani ajo ka si qëllim të marrë titullin “associate producer” për producentët e rinj. Ka ëndërr që në pak vite kohë të arrijë të ketë shown e saj duke u njohur kështu përfundimisht si producente ekzekutive.
Këto janë planet e saj më shpejt të pritshme, meqenëse ajo është e mirëvendosur këtu bashkë me familjen, por nëse një mundësi e mirë pune të mirë do t’i jepet në Shqipëri, ajo është e gatshme t’i thotë “po” ofertës prej andej.“Ndoshta në edicionin tjetër të “Big Brother”-it atje”, – shton më tej. Pas gjashtë vite studimesh në degë të ndryshme, pas gjithë atyre e-mail-ve për të kontaktuar producentë, pas gjithë atyre muajve lëvizje nëpër Britani vullnetarisht, vetëm për të treguar se ajo e do atë punë dhe di ta bëjë, kush nuk do të kishte një mesazh për të dhënë dhe, kush lexues nuk do ta mirëpriste atë si shembull?
“Është e vështirë shumë të fillosh punë në profesion sapo del nga fakulteti, sepse mungon eksperienca, por megjithëkëtë, sa më shumë mënyra provoni, më shumë mundësi do të keni. Gjithashtu, gjithmonë merrni në konsideratë këshillën e prindërve. Ata kanë një jetë të tërë eksperiencë që iu vlen”. Kështu e mbyll rrëfimin e saj 26-vjeçarja, Eni Doda.
(Nga Fjoralba Hysa, The Albanian)
"28 Nëntori"
“Manushaqja”, tregim nga Iriana Papamihali
Atmosfera festive ndihet në çdo skaj të kryeqytetit