Vlerat, shoqëria dhe institucioni i edukimit/ Shkrim nga Ledjo Zeneli, student i Sociologjisë
Shoqëria shqiptare mund ta shlyej “mëkatin” e saj vetëm atëherë kur të arrijë të kuptojë se rezistenca psikologjike që bën një njeri i ndershëm për të mos u ndikuar nga e keqja e bën atë shumë më të fortë dhe më të vlefshëm se një njeri që dëshmon dobësinë që e karakterizon sa herë që pranon të flirtojë me të
Shoqëria është një koncept analitik që përdoret në shkencat sociale me qëllim të kuptuarin e botës shoqërore. Si çdo koncept social edhe shoqëria përkufizohet në mënyra të ndryshme. Në sociologji shoqëria më shumë sesa një grumbull individësh, i referohet vlerave, normave dhe rregullave të përbashkëta që këta individë përfaqësojnë. E thënë më saktë, shoqëria përbëhet nga sjelljet e institucionalizuara të individëve që e përbëjnë atë. Kjo është arsyeja se përse dëgjojmë shpesh koncepte si “shoqëri e kulturuar” , “shoqëri e zhvilluar” e tjerë. Edhe pse në dukje ajo që shohim janë individët që sillen në forma të caktuara, nëse e analizojmë këtë situatë në mënyrë më sociologjike do vëmë re se janë pikërisht normat e institucionalizuara ato që prodhojnë jetën shoqërore në një shoqëri të caktuar. Natyrisht që edhe individi si faktor veprues ka kapacitetin për të ndikuar për mirë ose për keq mbi këtë strukturë normash. Megjithatë, një analizë e fokusuar vetëm mbi indivdin si aktor që vepron në mënyrë plotësisht të vullnetshme, do ishte e mangët dhe shumë larg perspektivës shkencore.
Një nga elementet më të rëndësishme të shoqërisë janë vlerat e saj. Vlerat janë shtysat ose njësitë matëse të veprimit njerëzor, por edhe vetë veprimi gjithashtu. Për shembull drejtësia, ndershmëria, bujaria, respekti, ndihma etj., janë disa vlera të cilat mund të mendohen si universale; pra në kuptimin që pranohen si të pëlqyeshme dhe të dëshirueshme në çdo shoqëri. Në këtë kuptim drejtësia është një vlerë që nxit veprimin e drejtë, por dhe vetë veprimi i drejtë pranohet gjithashtu si i vlefshëm. Ka debate të shumta në lidhje me atë nëse janë apo jo objektive vlerat njerëzore. Por meqë kjo analizë tejkalon qëllimin e këtij shkrimi nuk duket e udhës që të përfshihet në të.
Nisur nga kjo kornizë konceptuale që u dha më sipër edhe shoqëria shqiptare ka vlerat dhe normat e saj. Ashtu si çdo shoqëri edhe ajo është e ndërtuar mbi bazën e disa vlerave të caktuara; bazë kjo e cila përcaktohet nga vlerat dominuese të hiearkisë së vlerave. Në këtë kuptim, një nga problemet më thelbësore që shfaqet dhe të cilin e hasim pothuajse çdo ditë në mjedise të ndryshme sociale, është theksimi dhe vlerësimi i antivlerës. Pavarësisht faktit që kjo është një situatë tepër komplekse dhe që kërkon studime të mirëfillta shkencore për tu teorizuar si duhet shkencërisht, observime të thjeshta na tregojnë pikërisht vlerën që ka fituar antivlera në shoqërinë tonë.
Sot jetojmë në kapitalizëm dhe në një shoqëri e cila cilësohet si moderne apo postmoderne. Sistemi ekonomik dhe kulturor ku jetojmë ka prodhuar disa vlera të panjohura më parë; të paktën jo në kuptimin që njohim sot. Individualizmi ekstrem, konsumi, karriera personale, pavarësia vetjake, fama e vlera të tjera që i referohen më shumë kristalizimit të individit në shoqëri, në shumë kontekste sociale janë dominuese deri në atë pikë saqë antivlerën e transformojnë në vlerë. Ky fenomen duket shpesh në grupet shoqërore të të rinjëve, por jo vetëm. Besoj se të gjithë kemi dëgjuar sesi të rinjtë cilësojnë si “të shkathët”, “të zgjuar”, “të aftë” dhe “të fortë” ata individë të cilët i kanë arritur sukseset (në përgjithësi ekonomike) e tyre duke mashtruar apo duke i vjedhur të drejtën të tjerëve.
Si është e mundur që një individ i tillë dhe rrjedhimisht akti i tij social të vlerësohet më shumë se një njeri i cili punon në mënyrë të ndershme?
Si është e mundur që shumë individë të shoqërisë sonë e legjitimojnë këtë akt vetë me gojën dhe energjinë e tyre emocionale dhe më pasdalin e ankohen për situatën?
A nuk e kuptojnë vallë hipokrizinë dhe kontradiktën që shoqëron qënien e tyre sociale?
Me shumë mundësi që jo! Madje as që e çojnë ndërmend diçka të tillë. Sepse dhe vetë ato janë të etur për të kapur të njëjtat nivele me të njëjtat rrugë dhe mënyra, por as nuk janë të aftë intelektualisht për të bërë një analizë të tillë. Për më tepër këtu del në pah edhe paafëtsia e institucioneve edukuese.
Ky fenomen nuk nënkupton që vlerat kanë humbur plotësisht apo që të gjithë janë të tillë; përkundrazi ata ekzistojnë por kanë filluar të humbasin fuqinë për të prodhuar detyrime morale që i shërbejnë rendit, të drejtës dhe sigurisë. Pra pavarësisht faktit që janë dhe përfaqësohen nga njerëzit kanë filluar të humbasin rolin kryesor që duhet të kenë; të drejtojnë jetën sociale. Fatkeqësisht vihet re një tehuajësim ndaj vlerave; më keq akoma vlerat po bëhen gjithnjë e më shumë viktimë e logjikës intrumentale, e cila i qaset vlerave duke i parë ato si mjete dhe jo si qëllime. Prof. Dr. Ahmet Inam, në një inerviste të titulluar “Vlerat janë vetë jeta jonë. Ne jemi vlerat” shprehet se është e pamundur të shpëtojmë nga vlerat, kjo nuk është diçka që varet nga ne. Pra për aq kohë sa jetojmë brenda një shoqërie jemi të detyruar të jetojmë me vlerat e saj. Por jo të gjthë i jetojnë vlerat, pra jo të gjithë e përcaktojnë jetën e tyre në bazë të vlerave. Në këtë kuptim ka një dallim të madh mes të jetuarit me vlerat dhe të jetosh vlerat; sa më pak individë që nuk i jetojnë vlerat, aq më shumë probleme sociale do shfaqen, aq më shumë do thellohet anemia sociale.
Rendi dhe siguria në shoqëri mund të ekzistojë vetëm nëse vlerat e institucionalizuara kontrollojnë dhe masin veprimet e individëve. Vlerat janë filtri i vetëm social për të pastruar pluhurin që mbulon cilësitë e bukura të qënies njerëzore. Nëse rripi i sigurimit, pirja e alkolit gjatë udhëtimit, mashtrimi e shumë e shumë veprime të tjera negative shmangen nga frika e dënimit ligjor dhe jo sepse shmangja e tyre perceptohet si vlerë dhe e mirë për nga natyra atëherë ky fenomen tregon se tehuajësimi apo dhe instrumentalizimi i vlerave është real.
Megjithatë duhet thënë se ky është një fenomen i cili vjen disi edhe si pasojë e vetë sistemit ku jetojmë; pra nuk varet plotësisht nga individët. Pavarësisht kësaj ajo që është më shqetësuese këtu, ka të bëjë me paaftësinë e institucioneve tona të edukimit për të prodhuar individë të aftë mendërisht që të mund të shohin pak më gjerë dhe përtej ndikimeve negative të këtij sistemi.
Një nga hapat e para që mund të ndërmerren për të zgjidhur këtë problem, mendoj se është vendosja disa lëndëve në sistemin parauniversitar që kanë të bëjnë me trajtesën e vlerave të shoqërisë, pra një lëndë që të merret posaçërisht me analizën sociologjiko – filozofike të vlerave.
Pra instalimi i metodave në këto institucione për të theksuar veçanërisht vlerat tradicionale si altruizmi, ndihmesa, vetëkontrolli, ndjeshmëria, empatia dhe sensi i përgjegjësisë sociale. Aktualisht, duke qenë se intitucioni i familjes për arsye të ndryshme e ka të vështirë të kryej një funksion të tillë, i takon institucioneve të edukimit ta bëjë këtë. "Individi kalon një pjesë të madhe të jetës së tij në këto institucione dhe është e pamundur që të mos shohim rezultate pozitive nëse socializimi aty kryhet në këtë bosht dhe me qëllim kryesor prodhimin e një individi të tillë; një individ i cili jo vetëm jeton me vlerat por edhe i jeton ato".
Ndikimi i situatës aktuale mund të na bëjë të mendojmë se edukimi nuk e ka këtë fuqi, se kjo është thjeshtë një utopi e paarritshme, por në fakt nuk është aspak e vërtetë. Intitucionet edukuese duhet të fokusohen urgjentisht në përhapjen e këtyre vlerave. Përndryshe është e pamundur të shohim rezultate të shëndetshme në kuptimin e ndërtimit të një shoqërie më të mirë.
Shoqëria shqiptare mund ta shlyej“mëkatin” e saj vetëm atëherë kur të arrijë të kuptojë se rezistenca psikologjike që bën një njeri i ndershëm për të mos u ndikuar nga e keqja e bën atë shumë herë më të fortë dhe më të vlefshëm se një njeri i cili dëshmon dobësinë që e karakterizon sa herë që pranon të flirtojë me të.
Nga Ledjo Zeneli, Student i Sociologjisë
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Shënohet 22 nëntori, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
"7 Alfabetet e Gjuhës Shqipe" nga Ndrek Gjini
Si të dekorojmë shtëpinë për festat e fundvitit?