INTERVISTË

Vijon nisma “Dhuro, gjej, lexo”, pati ndikim të gjerë publik

Intervistë me përgjegjësen e Sektorit të Politikave në Ministrinë e Kulturës, Irena Prici, sa i takon nismës “dhuro, gjej, lexo”. Sipas Pricit, kjo nismë preku koordinata nga veriu deri në jug të Shqipërisë, me një impakt të gjerë publik.

"Libri i preferuar tashmë i dhurohet një të panjohuri, lihet diku në stol, në park, në autobus, kinema, bashkangjitur me një shënim". 



Ministria e Kulturës e shpalli muajin tetor si “Tetorin e Librit. Nën moton “Dhuro, gjej, lexo” u synua orientimi i shoqërisë drejt kulturës së të lexuarit. Por realisht si u prit kjo nismë? 


Shtrirja që pati “Tetori i Librit”për vitin 2019, preku koordinata nga veriu i Shqipërisë dhe deri në jug. Kjo hartë kishte si objekt dhe subjekt kryesor librin, leximin. Në këtë aspekt, një dukuri e tillë jetike për pasurimin e jetës sociale, përbëri në vetvete një projekt që pati për qëllim të ndërgjegjësonte shoqërinë e sotme, në veçanti brezin e ri, rreth rolit të leximit në emancipimin e klimës sociale dhe përmirësimin e cilësisë së jetës në realitetin e sotëm. Programi i këtij projekti përmbajti nisma, ide dhe  projekte të hartuara nga Ministria e Kulturës nën logon: “Lexo Shqip”. Theksoj që nisma “dhuro, gjej, lexo” u prit shumë mirë, pati impakt të gjerë në publik. Ishte Ministrja Elva Margariti e cila e filloi e para sfidën, duke nominuar tre miq, e më pas zinxhiri vijoi, duke u bërë tashmë virale. Libri i preferuar tashmë i dhurohet një të panjohuri, lihet diku në stol, në park, në autobus, kinema, bashkangjitur me një shënim. Falënderojmë Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për bashkëpunimin në gjithë këto vite. Falënderojmë të gjitha drejtoritë arsimore në rrethe, falënderojmë Bashkinë Tiranë, Shoqatën e Botuesve, Bibliotekën Kombëtare, fakultetin Histori-Filologji si dhe të gjitha klubet e leximit që bënë të mundur realizimin dhe funksionim e kësaj nisme vërtetë interesante. 


Po institucionet arsimore, shkollat e vendit, si iu përgjigjën “Tetorit të Librit”? 


Si asnjëherë tjetër pati aktivitete të shumta në të gjitha shkollat e vendit, me organizime të cilat i kapërcyen pritshmëritë tona. Pati aktivitete pafund, promovime, lexime, dhurime. Mësuesit dhe nxënësit u aktivizuan shumë për të bërë pjesë të orëve mësimore, dhe jo vetëm, aktivitete letrare të larmishme.  


Mendoni se kjo nismë do ta kapërcej kufirin e saj kohor duke qenë se do i përkiste vetëm muajit Tetor?


 "Lexo Shqip" mendoj se do të vijojë edhe në muajt në vazhdim, por kryesisht u përqendrua gjatë muajit tetor, si për të pasur një fillim le të themi. Edhe pse leximi është një proces individual, që shijohet në qetësi, ne duam që ta nxjerrim nga ajo koraca e vetmisë, për ta bërë një motiv të bukur për të qenë së bashku, për të shijuar kënaqësinë që të jep të lexuarit; të ndarit të ndjesive të përjetuara; të ndarit të botëve që kemi zbuluar; të personazheve që kemi njohur; për ndryshimin që jeta jonë ka pësuar, që kur mori në dorë librin e parë. Pra me këtë qëllim mendojmë se publiku do të vazhdoj ta përkrah nismën “dhuro, gjej, lexo”. 


A do reflektojë kjo nismë në zgjedhjen e librave dhe jo të celularëve? 


Zhvillimin e teknologjisë nuk e pengojmë dot, por në Shqipëri lexohet. Te rinjtë lexojnë librin, por lexojnë dhe librin online. 


Keni një mesazh dedikuar të rinjve? 


Dhuroni libra dhe ftoni këdo që të lexojë. Jam e bindur se do t’ju jenë mirënjohës.




(Intervistoi N.A Biçaku, Portali Shkollor) 

2,090 Lexime
5 vjet më parë