(Auto) Kritika e një prindi...

“Vetëtimat” që na ndriçojnë skutat e thella të shpirtit

Dua të them se duhet ta përqafosh me të gjithë forcën marrëveshjen e të qenit prind dhe se të gjitha mundimet, sakrificat, shpenzimet, kursimet që ke bërë për t’iu përmbajtur këtij pakti kanë pasur në thelb dashurinë...

(... e grishur nga biseda me një grup adoleshentësh)


Të jesh prind, është marrëveshja më e shenjtë që na paraqitet në jetë, të cilën disa vendosin të mos e përmbushin. Në fakt, jo pak herë, disa prindër nuk reshtin duke iu qarë fëmijëve për të gjitha sakrificat e bëra, për gjithë paratë e shpenzuara, lodhjen e përditshme. Disa të tjerë, dhe sigurisht besoj janë të shumtë, e përmbushin këtë marrëveshje me dashuri, pavarësisht vështirësive, kufizimeve dhe gabimeve.


Nuk pajtohem me mendimin se një prind ka të drejtë t’u kujtojë fëmijëve gjithçka u ka dhënë apo u jep. Pavarësisht sa prindër janë dakord me këtë, kjo është e vërteta lakuriqe, sepse jo pak prej tyre u japin mesazhin fëmijëve “më detyrohesh”.


Më ka rastisur të dëgjoj një prind që qahej pa pushim për shumat e parave që shpenzonte për të shkolluar fëmijën. Pa m’u dridhur zëri, iu përgjigja se një nga detyrimet që kemi ndaj tyre është që t’i shkollojmë. Sigurisht, pranoi se vendimi për ta dërguar fëmijën në shkollë të shtrenjtë vinte nga dëshira për t’i dhënë shkollimin më të mirë të mundshëm. Po pse duhet t’ia përmendte dhe kujtonte pagesën fëmijës së saj çdo çast?!  Pse duhen fajësuar fëmijët për këto lloj shpenzimesh? 


T’i blesh fëmijës një palë veshje të shtrenjta sportive e t’ia kujtosh përditë sa shumë të kanë kushtuar, t’ua hedhësh ndonjëherë sytë vjedhurazi për të parë si janë vjetruar nga përdorimi e për t’ia kujtuar përsëri sa shumë të kanë kushtuar, atëherë do të kishte qenë shumë më mirë po të mos ia blinit fare.


Kam dëgjuar prindër se u kanë kushtuar çdo çast të jetës së tyre fëmijëve,  duke shpenzuar të gjitha energjitë vetëm për ta. 


Nuk ka asnjë dyshim se të gjithë ne prindërit duam që fëmijët të bëhen njerëz të mirë e bujarë ndaj nesh dhe të tjerëve. Dhe do të jenë vërtet të tillë nëse do të marrin dashuri nga ne, prindërit. Por si mund të japë diçka që ai nuk e ka marrë kurrë, madje as në vitet më të brishta të fëmijërisë? Si mund të mësojë të jetë bujar, kur për gjithçka ka dëgjuar frazën “më detyrohesh”? Si mund të mësojmë të japim, kur nuk marrin?


Nuk dua të them aspak se fëmijëve u duhet plotësuar çdo dëshirë dhe u duhet dhënë gjithçka kërkojnë. Nuk dua të them që të mos u kërkosh kurrë të bashkëpunojnë e të të ndihmojnë, apo të mos u kërkosh të tregojnë mirënjohje, vlerësim e dashuri ndaj asaj që bën për ta apo asaj që u dhuron. Dua të them se duhet ta përqafosh me të gjithë forcën marrëveshjen e të qenit prind dhe se të gjitha mundimet, sakrificat, shpenzimet, kursimet që ke bërë për t’iu përmbajtur këtij pakti kanë pasur në thelb dashurinë.


Të qenët prind, me gjithçka kërkon ditë për ditë ky status, është sa e thjeshtë dhe e vështirë, një nga përvojat më të rëndësishme. Luaje këtë rol në mënyrën më të mirë të mundshme, ndonjëherë duke u përballur me lodhjen e skajshme, me të gjitha kufizimet që e shoqërojnë, me të tëra ndrydhjet personale, gabimet, dyshimet, pasiguritë; me dhimbjet dhe dëshirat e parealizuara që mbart brenda teje; me përpjekjet e pandërprera për të ditur më shumë e për të qenë më e mirë; me dritën dhe hijet e tua, me gëzimin, intensitetin e pasionin tënd; me dijet e me padijen tënde, por gjithnjë me shumë dashuri. 


Çastet kur ndiejmë dashurinë më sublime, të përsosurën, të pakushtëzuarën, janë ato që i kalojmë me fëmijët  - çaste të magjishme, vetëtima të shkurtra që na ndriçojnë skutat më të thella të shpirtit, aty ku jemi të përsosur.


Dhe pasi të mundemi t’ia dalim dhe të përmbushim paktin si prind, ndiejmë se edhe ne jemi rritur përmes tyre.


“Kjo duhet të jetë dashuria e vërtetë dhe e pakushtëzuar.”


(Artemisa Bushi, Portali Shkollor)

2,360 Lexime
7 vjet më parë