Projekt

Vendlindja ime, fshati “Kullaj”

Nëse në planet tuaja të kësaj vere keni në listë edhe vizitat që mund të bëni në fshatra të ndryshëm shqiptar, atëherë ne ju prezantojmë ftesën e nxënësve Erisara dhe Eridona Cekaj, për të shkruar në fshatin “Kullaj” të Shkodrës. Përshkrimi i mëposhtëm i dedikohet pikërisht kësaj vendndodhje.

Lënda: Gjuhë Shqipe

Klasa: X-A

Punuan: Erisara Cekaj & Eridona Cekaj


Në fshatin Kullaj funksionojnë një sërë shërbimesh që shërbejnë për banorët e këtij fshati. Ndër to mund të veçojmë: një numër të madh dyqanesh ushqimore, bar-kafe, shkolla, mulliri për bluarjen e drithërave ushqimore, berberhane, sallon bukurie, baxho për grumbullimin dhe përpunimin e qumështit, fushë futbolli për argëtimin e të rinjve, qendër shëndetësore, transport publik, sistem kanalizimesh për vaditje si dhe për kullim, etj. Të gjitha këto shërbime iu vinë në ndihmë të gjithë banorëve të këtij fshati për përmirësimin e kushteve të jetesës. 


Shërbimi shëndetësor në fshatin Kullaj është përmirësuar shumë dhe po vihen re përmirësime në këtë fushë nga dita në ditë. Çdo banor i fshatit Kullaj e merr ndihmën e parë në ambulancën e fshatit nga mjeku i familjes dhe në raste emergjente dërgohet në spitalin Rajonal të qytetit të Shkodrës. 


Në fshatin Kullaj gjendet edhe një shkollë e vogël ku unë mësova të hidhja hapat e parë drejt dijes. Aty unë mësova ABC-në, mësova të bashkëpunoja në grup me të tjerët, mësova se si t’i respektoja të tjerët, dhe më e rëndësishmja mësova se si të përballem e të mbaj përgjegjësi për veprimet e mija dhe mësova të eci me në këmbët e mia pavarësisht se me çfarë të përball jeta. Tani që unë jam një gjimnaziste i kujtoi me mall dhe me nostalgji ato momente të shkollës sa herë që kaloj pranë saj. 

Shtrirja gjeografike e fshatit Kullaj

Fshati Kullaj në raport me qendrën e Komunës ndodhet pothuajse në veri-perëndim të saj. Ky fshat shtrihet rrëzë malit, i gjithi i shtrirë në fushë, në një distancë rreth 3 km nga qendra e Komunës. Fshati Kullaj në veri kufizohet me malin, në jug me Komunën e Rrethinave, në lindje me fshatin Dragoç dhe në perëndim me Komunën e Gruemirës. Fshati përshkohet mes për mes nga një rrugë kryesore e cila prej vitit 2005 është e shtruar në asfalt. Në këtë fshat janë asfaltuar edhe degëzime rrugësh që çojnë në lagje të veçanta apo institucionet publike të fshatit, si shkolla, ambulanca, xhamia, si dhe te varrezat e fshatit. Gjithashtu e gjithë sipërfaqja e këtij fshati është e futur nën ujë e cila vaditet me anë të një kanali të madh që kalon përmes fshatit.



Bujqësia dhe blegtoria


Fshati Kullaj ka një sipërfaqe toke prej 166 ha. Me ndarjen e tokës në bazë të ligjit 7501, fermerët përfituan nga 1280 m²për frymë. Toka e këtij fshati është e kategorisë së 5-të. Ashtu si edhe në fshatrat e tjera vërehet që toka është mjaft e parcelizuar. Fshati Kullaj para kolektivizimit ka pasur si kulturë kryesore mbjelljen e duhanit dhe misrit, ndërsa në pemëtari fikun. Por, më vonë, në përputhje me lëvizjen e çmimit të tregut dhe të kulturave bujqësore, ka filluar zgjedhja për kultivim të atyre kulturave që japin më shumë fitim. Në kohën e sotme, fermerët e këtij fshati përveç duhanit, kultivojnë edhe perime, drithëra dhe më pak foragjere. Në këtë fshat një numër i vogël fermerësh kultivojnë edhe pjeshkën, kumbullën dhe hardhinë (vreshta). Në këto kultura fermerët kanë arritur të marrin rendimente të kënaqshme. Gjithashtu edhe përdorimi i bimëve mjekësore që ndodhen në malin e këtij fshati janë kthyer në një veprimtari fitimprurëse nga banorët e fshatit Kullaj. 

Një rol të madh në fshatin Kullaj zë edhe zhvillimi i blegtorisë. Shumica e familjeve mbajnë gjelin për nevojat e tyre. Në fshatin Kullaj ndodhet një baxho ku grumbullohet dhe përpunohet qumështi. Ajo ndikon shumë në rritjen ekonomike të familjeve të këtij fshati. Krahas kësaj funksionon edhe mulliri i cili shërben për bluarjen e drithërave të bukës.



Popullsia


Fshati Kullaj ka një popullsi prej 1500 banorësh, të cilët janë të organizuar në 400 familje dhe këto grupohen në 6 lagje (fise), që janë: Bushaj, Bajraktari, Cekaj, Hoxhaj, Bibaj dhe Repaj. Populli i fshatit Kullaj është mjaft punëtor dhe arsimdashës, megjithëse për 50 vjet ju nënshtruan një presekucioni të egër. Një numër i konsiderueshëm i të rinjve të këtij fshati kanë arritur vitet e fundit që të mbarojnë shkollën e lartë në degë të ndryshme dhe tashmë një pjesë e tyre punojnë në pozicione të ndryshme pune. 

Populli i fshatit Kullaj ka qenë gjithmonë i gatshëm për të mbështetur lirinë dhe pavarësinë e vendit, gjë e cila ka dëshmuar në shumë etapa të historisë së tij. Banorë të këtij fshati kanë marrë pjesë në luftën kundër Malit të Zi, duke luftuar me trimëri të rrallë në vitet 1912-1914. Gjithashtu më pas në vitet 1939-1944 banorë nga ky fshat morën pjesë në luftën Nacional Çlirimtare për çlirimin e vendit nga pushtimi Italian dhe Gjerman pasi luftën për çlirimin e vendit e quanin një luftë të drejtë. Por çfarë ndodhi më pas? Fill pas çlirimit të vendit nga një luftë që quhej dhe ishte e drejtë në pushtet erdhën forcat komuniste duke vendosur një regjim diktatorial. Mirë po populli Shqiptar në përgjithësi dhe populli i Kullajve në veçanti nuk ishin dakord me këtë regjim. Dhe pa humbur kohë në bashkëpunim edhe me njerëz të tjerë të pakënaqur nga ky regjim në qytet dhe në fshat organizuan me 9 shtator 1946 “Lëvizjen antikomuniste të Postribës”, të cilën e paguan me gjakun e 9 banorëve të rënë në këtë lëvizje në këtë fshat. Pavarësisht se lëvizja e Postribës nuk ja arriti qëllimit të saj ajo krijoi ndjenjën e kundërshtimit të këtij sistemi gjakatarë duke arritur ndjesinë në popull që gjaku i derdhur nuk shkon kot. Mbas afro 45 viteve të këtij regjimi barbar në vitin 1990 u bë realitet ëndrra e Postripakëve në përgjithësi dhe Kullajxhive në veçanti që kjo përpjekje antikomuniste e 9 shtatorit 1946 nuk shkoi dëm. 



Xhamia e Kullajve


Xhamia Kullaj, ndodhet në zonën e Postribës në fshatin Kullaj i cili përbëhet nga 400 familje të gjitha me përkatësi islame. Pas rilejimit të besimit islam në vendin tonë, xhamia është e ndërtuar në vitin 1995. Ndërsa rindërtimi i saj me parametra bashkëkohorë është realizuar në korrik, 2016. Kanë shërbyer si imamë dge mësues të mësim-besimit në periudha të ndryshme: Eqerem Ademi, Elez Bajraktari ( Brahimi ), Seit Hoxha, Ekrem Abdiu, Altin Nikshiqi, Ermal Dibra, Jetmir Braqi, Shukri Taka, Kujtim Cufaj dhe aktualisht Ardin Selhani. Xhamia e re në fshatin Kullaj është e ndërtuar po në të njëjtin vend ku ka qenë xhamia e vjetër. Iniciatorët për ndërtimin e xhamisë ishin vete banorët e fshatit Kullaj në bashkëpunim me myftiun e Shkodrës Muhamed Sytari, fondacionin “Mirësia” dhe me një familje nga Kuvajti. Xhamia e Kullajve është xhamia me minaren më të madhe në Shkodër. Minarja e saj është afërsisht 36 metra. 

Parku Rinia


Në fshatin Kullaj ndodhet pylli i gështenjave i shpallur “Parku Rinia” në qeverisjen e monizmit. Ky është një kashnjet me mjaft vlera, që krahas prodhimit të gështenjave ofron një ambient mjaft të këndshëm, çlodhës dhe argëtues. Në këtë park mbizotëron gjelbërimi. Gjithashtu ajri dhe mjedisi janë shumë të pastër. Ne e dëgjojmë shumë shprehjen “Pyjet janë mushkëritë e një vendi” dhe unë mund ta them me plot gojë që “Parku Rinia përbën mushkëritë e fshatit Kullaj”. Ju ftoj të gjithëve te vini e të vizitoni Parkun Rinia dhe më besoni qe do të mahniteshit nga bukuria dhe mjedisi qe ofron ky park. Jam e bindur qe do të kënaqeshit dhe argëtoheshit pa mase dhe do të kishit dëshirë ta vizitoni dhe të kaloni kohën e lirë edhe shumë herë të tjera. 

Fshati Kullaj është një fshat shumë i bukur. Në fshatin Kullaj ka një popullsi shumë bujare, mikpritëse dhe besimtare. Ky fshat pavarësisht të gjithave ka arritur ti ruajë më së miri traditat e veta duke i përcjellë nga njëri brez në tjetrin, pa harruar edhe detajet më të vogla. Çdo banor i fshatit Kullaj është shumë mikpritës në çdo aspekt. Po ta vizitonit fshatin Kullaj do të ndiheshit si në shtëpinë tuaj dhe kjo gjë vjen falë mikpritjes së banorëve të këtij fshati. Gjithashtu ju do të mahniteshit nga bukuritë natyrore që zoti i ka dhuruar këtij vendi. Ju do të kënaqeshit duke shikuar gjallërinë e këtij fshati dhe duke shikuat fëmijët që luajnë të buzëqeshur në çdo rrugë dhe në çdo lagje. Në këtë fshat mbizotëron gëzimi, lumturia dhe hareja. 


Duam ta mbyllim këtë përshkrim me një fjali të vetme duke thënë se jemi me fat që jemi banorë të këtij fshati. Të tjerat do t’jua lëmë ju në dorë dhe ju garantojmë se po ta vizitonit këtë vend, na besoni që këto fjalë që kemi shkruar për këtë fshat janë shumë pak me atë që është në të vërtetë.

Nga Erisara Cekaj & Eridona Cekaj


©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.  

3,398 Lexime
3 vjet më parë