Vatra arsimore “Shkolla Shqipe” në Zvicër hapi edhe një klasë në Feuerthalen, në kantonin e Zyrihut
Këtë javë vatra arsimore “Shkolla Shqipe” në Zvicër hapi edhe një klasë për mësimin e gjuhës e kulturës shqiptare në Feuerthalen, në kantonin e Zyrihut. Mësimin do ta mbajë çdo të mërkurë prof. Isuf Ismaili, në një nga klasat në shkollës “Stupmenboden” në Feuerthalen, nga ora 16:00 – 17:45.
Vizioni i “Shkollës Shqipe” në Zvicër (që të hapim sa më shumë pika shkollore dhe të përfshijmë sa më shumë nxënës në orët mësimore të gjuhës amtare) gjithnjë e më tepër jo vetëm që po bëhet realitet, por edhe është shembulli më i mirë, që duhet ndjekur nga të gjithë.
E kush më mirë se mësimi në shkolla mund të na e ruajë gjuhën e kulturën shqiptare! Në kuptimin e kësaj që e thamë, po veprojmë e punojmë me përkushtim, si mësimdhënës të gjuhës shqipe, këtu në mërgim, ndaj po i hapim sa më shumë dyert e shkollave për mësimin e gjuhës sonë. Kështu edhe të mërkurën më, 15 mars 2023 vatra jonë arsimore “ Shkolla Shqipe” në Zvicër hapi edhe një klasë për mësimin e gjuhës e kulturës shqiptare në Feuerthalen, në kantonin e Cyrihut. Mësimin do ta mbajë çdo të mërkurë prof. Isuf Ismaili, në një nga klasat në shkollës “Stupmenboden” në Feuerthalen, nga ora 16:00 – 17:45.
Si zakonisht, çdo hapje e klasave shkollore shoqërohet me gëzimin e papërshkrueshëm të nxënësve, të cilët posa marrin librat në dorë, dallohen për nga buzëqeshja, e cila është e veçantë, sepse më në fund edhe atyre iu jepet mundësia ( edhe pse janë larg atdheut) që ta mësojnë gjuhën e nënës.
Nxënësit: Rioni, Dori, Amari, Ermali, Seiti, Jasini, Mirlandi, Omeri, Uthmani,Mirlandi, Sandra, Nilayi, Leyahi, Medini, Medina, Ahili dhe Ajani u bëjnë thirrje bashkëmoshatarëve të tyre që ata t`iu bashkëngjiten në rrugën e diturisë. Vlen të përmendet, se më të gëzuarit në këtë ditë, kur edhe i filluam orët mësimore në gjuhën shqipe, ishin prindërit, të cilët i sollën fëmijët e tyre në oborrin e shkollës. Ata premtuan që do të kontaktojnë edhe me prindër të tjerë, me qëllim që numri i nxënësve shqiptarë të vijë duke u shtuar në Feuerthalen dhe kështu të ketë mundësi të fillojmë edhe ndarjen e nxënësve në grupe.
Ky qe një fillim i mbarë, ku nxënësit patën rastin të ndjekin shpjegimet e prof. Isuf Ismailit rreth punës dhe detyrave në këtë tremujorësh, me qëllim që ata të përvetësojnë sa më parë mësimin e gjuhës sonë: shkronjat, fjalët, drejtshkrimin dhe drejtshqiptimin e fjalëve dhe kështu këta fëmijë do të kenë mundësi të lexojnë dhe të shkruajnë sa më bukur në gjuhën shqipe.
Nxënësit e “Shkollës Shqipe” në Feuerthalen, të Kantonit të Zyrihut, tani më kanë filluar me orët mësimore në gjuhën shqipe.
Mësimi i mirë i gjuhës shqipe është detyrë e secilit shqiptar që e do vendin e tij, kulturën e tij dhe zanafillën e tij! Ndaj poeti ynë i madh,bilbili i gjuhës shqipe Naim Frashëri te vepra e tij për nxënësit shqiptarë “Mësime” ka shkruar kështu:
“Gjuha e bashkon kombin, e ndriçon, e nxjerrë nga errësira, shpirtin e mendjen e lartëson, vetitë i zbukuron, vetëdijen e të njohurit i lulëzon, vëllazërinë shton e miqësinë e shumon.”
Shkruan: Vaxhid Sejdiu
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Pse duhet të lexosh? Këto 100 thënie për leximin janë për ty...
Mëso si të jetosh vet, mëso edhe nxënësit si të jetojnë
113 vite më parë u çel e para shkollë e mesme shqipe, "Normalja e Elbasanit"