Varfërimi i gjuhës shqipe
Ky është realiteti i përditshëm me të cilin kemi bërë pakt bashkëjetese të gjithë në heshtje. Po "varrosim" gjuhën shqipe e shumë shpejt do të vajtojmë pasojat e një humbjes së identitetit...
Atdheu shkatërrohet, kur harrohen të respektohen etërit tanë. Ata që luftuan për flamurin, gjuhën dhe kombin mbarë. Janë pikërisht ata që kanë vënë atdheun në plan të parë nëse ishte e nevojshme edhe sakrifikimi i jetës, por ku jemi sot? Ku është Shqipëria pas më shumë se 100 vjet shtet, ku është gjuha shqipe sot pas kaq shumë vitesh?
Në një kohë kur gjuha shqipe mund të pasurohej, po varfërohet çdo ditë e më shumë e bukuria, e saj po venitet nga momenti në moment. Ato që kujtohen për gjuhën shqipe janë shumë pak.
A mund të ketë pasuri më të madhe se gjuha amë?
Shoqëria shqiptare po e shkatërron atdheun, pasi mospërdorimi i gjuhës shqipe në përditshmëri dhe zëvendësimi i saj me fjalë nga gjuhë të tjera po hedhin në humnerë pasurinë kombëtare. Po shkatërron bazat e kombit e të gjithë po heshtim. Sipas opinionit tim shkatërrim është edhe kur ngatërrohen fonemat "ç" me "q" apo "xh" me "gj", për të mos përmendur këtu raste edhe më të rënda se kaq.
Nëse nuk dimë të flasim e shkruajmë si duhet gjuhën ëmë, çfarë gjuhe mund të zotërojmë tjetër dhe a meritojmë të quhemi shqiptarë? Mendoj se nuk mund të quhet shqiptar/e askush që pretendon se në 2019 është më i/ e bukur po zotëroi një gjuhë të huaj se gjuhën e kombit. Nuk mund të quhen shqiptarë, sepse etërit tanë nuk na kanë ushqyer këtë frymë, por dashurinë për t'a ruajtur, mbrojtur e pasuruar atë, ndërsa ne bëjmë të kundërtën ku në vend të themi "faleminderit" themi "thanks", "grazie" apo edhe në gjuhë të tjera.
Nuk meriton të quhet shqiptar asnjë që nuk dallon shtresat e leksikut shqip.
Si mund të quhet shqiptar dikush që gjithë ditën dëgjon "hite", ku gjuha shqipe deformohet? Është shumë e thjeshtë për t'u kuptuar, po shtrembërohet identiteti e ne qëndrojmë indiferent, në luftë të përditshme për t'i dhënë sa më shumë pëlqime këngës me modifikime më të mëdha gjuhësore të shqipes, ku në fakt duhet të bëjmë të kundërtën. Kur teknologjia në vendin tonë po njeh etapën e shkëlqimit, gjuha shqipe po sheh një etapë të errët.
Pa diskutim nëse në një intervistë me të rinj dhe adoleshentë në 100 fjalë e sigurt se 70 fjalë janë në gjuhë të huaj ose të modifikuar, por që vetëm shqip nuk janë, ashtu siç ne fakt duhet të ishin. Kjo vjen si pasojë e keqpërdorimit të teknologjisë, përdorimi i dendrur i celularit (rrjetet sociale) dhe lënia në harresë e librit që është elementi bazë për të mbajtur gjuhën gjallë.
Alfabeti shqip ka 36 shkronja, ku kohët e fundit dy prej tyre, përkatësisht "ë" dhe "ç" kanë pësuar eleminim prej shumë kohësh duke zbehur fjalët në të cilat duhet të përdoren (sipas rregullave të drejtshkrimit e drejtshqiptimit).
Pse duhet të themi "flm" kur mund të themi fare mirë "faleminderit", apo "çpb" në vend të "ç' po bën", kështu qindra raste të tjera. Padyshim që shkurtojmë kohë në dërgimin e një mesazhi, por në të njëjtën kohë po shkurtojmë edhe gjuhën e kombit.
Ky është realiteti i përditshëm me të cilin kemi bërë pakt bashkëjetese të gjithë në heshtje. Po "varrosim" gjuhën shqipe e shumë shpejt do të vajtojmë pasojat e një humbjes së identitetit.
(Elsa Sula; Portali Shkollor)
Mëso si të jetosh vet, mëso edhe nxënësit si të jetojnë
113 vite më parë u çel e para shkollë e mesme shqipe, "Normalja e Elbasanit"
Pse duhet të lexosh? Këto 100 thënie për leximin janë për ty...