KRIJIM

Unë, një shishe plastike - një shkrim nga nxënësja Jora Çiftja

Jora Çiftja, nxënëse e klasës së gjashtë, në shkollën “Sule Harri”, Elbasan, ka realizuar një shkrim, ku imagjinata e dërguar në një përjetim mjaft të veçantë. Ju ftojmë ta lexoni.

Përshëndetje,


Unë jam shishja e ujit dhe jetoj në një supermarket të quajtur “Marketi im”.  Atje qëndroj në një frigorifer bashkë me shoqet e mia. Sa shumë njerëz vijnë në market, por asnjë nuk na e vë syrin.  Lutem çdo ditë që dikush të vijë e të më blejë sepse kam dëshirë të shikoj çfarë ka në botën përtej frigoriferit. 


Një ditë mrekullia e shumëpritur ndodhi. Një vajzë e vogël erdhi e etur. Ajo kishte luajtur me miqtë e saj dhe ishte lodhur. Fatmirësisht, më zgjodhi mua. Vajza më nxorri nga frigoriferi dhe më çoi tek kasa. Kasa ishte e madhe dhe me ngjyrë gri. Shitësja mori në dorë një mekanizëm të zi i cili bënte një zhurmë të çuditshme dhe lëshonte një ngjyrë të kuqe. Më afroi drejt mekanizmit. Në fillim kisha një ndjesi frike, por më pas frika me kaloi. Shitësja më kaloi te dora e vajzës. Vajza nxorri nga xhepi disa metale rrethore, ku ishin gdhendur disa numra dhe ia dha shitëses. S’e kuptoja se çfarë rëndësie kishin ato metale rrethore.


Ajo doli nga marketi dhe më zbërdheu kapuçin, i cili ishte i shtrënguar fort pas kokës sime. Vajza më mori dhe më mbështeti kokën tek një gotë. Shtiu pak nga uji që kisha brenda. Pasi mbaroi së piri ujin më tërhoqi dhe më futi në një vend shumë të errët, me pak hapësirë. Teksa ajo ecte, unë tundesha dhe uji im po turbullohej… Mua po më merreshin mendtë. Më në fund vajza ndaloi dhe më nxorri nga ai vendi i errët dhe i frikshëm. Më la sipër bufesë. Bufeja e shtëpisë së saj ishte në ngjyrë të errët dhe shumë e madhe. Mamaja e saj e shtiu të gjithë ujin që kisha brenda një gotë ndërsa mua…mua më hodhi tek koshi i mbeturinave. 


Sa u mërzita! S’e kuptova përse mua më hodhën brenda tek koshi i mbeturinave. Pas disa orësh ndieva që më nxorrën s’andejmi. Nga vrima e qeses dallova që e zonja e shtëpisë po ecte drejt një koshi të madh mbeturinash. Ajo e hodhi qesen tek koshi i plehrave dhe iku. Unë dëgjova zhurmën e një makine gjigande. Makina i boshatisi koshat. Ajo i dërgoi mbeturinat në një magazinë ku qëndruam për gati një ditë. Te nesërmen qeset u futën brenda një karroce gjigande. Kur arritëm në një farë vendi qeset u morën një nga një dhe u çanë. Mbeturinat u derdhën të gjitha brenda një mekanizmi. Ai quhej makina e riciklimit. Brenda saj ishte një dritë e verdhë. Unë isha e fundit që hyra në atë gjënë e madhe. Kur u futa brenda ndjeva ngrohtësi dhe pashë që po shkrihesha. Me veten time thashë: “Kjo ishte jeta ime, jetë e shkurtër por e bukur”.


Kjo ishte jeta ime dhe gjithashtu dhe jeta e shumë-shumë shisheve të tjera. Nga plastika ime u formuan plot shishe të tjera të përmasave të ndryshme. Po tani unë jam një shishe e një pije të gazuar… Sa bukur!



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,910 Lexime
4 vjet më parë