Tri poezi dashurie nga mësuesi Selim Tahiri
Përveçse një mësues profesionist, Selim Tahiri nga Kosova ka pasion të shkruaj edhe poezi. Në kuadër të ditës së të dashuruarve ai ndan me ne tri poezi, të cilat i ka shkruar që në moshën e rinisë.
Në sytë e tu
Në sytë e tu:
i harroi ngjyrat ylberi
Në sytë e tu,
lëshon rreze dielli
Në sytë e tu
la një copë qielli.
Në sytë e tu
rrjedhë kroi i kulluar
Në sytë e tu
dashuria rri zgjuar
Në sytë e tu
shndrit hëna me yje
Në sytë e tu
fryn një fllad magjie.
Në sytë e tu
pranvera në blerim
Në sytë e tu;
Një shigjetë,
rëndë e plagosi shpirtin tim.
Nesër
Sonte tërë natën zgjuar do të rri
E llambën në mur ndezur do ta mbaj
Do të vështroj hënën si lëshon flori
Në kopsht jargavanit erën do t'ia marr.
Mbi fletë të bardhë ca rreshta do t'i shkruaj
Do t'i zbres yjet të thurë një gjerdan
Se nesër agimi do më gjejë të zgjuar
E vesës së mëngjesit do t'i ulem pranë.
Nesër, kur dielli mbi kodër do të dalë
Unë do të marr udhë fushës me blerim
Në krojet ujë akull faqet do t'i laj
Po po, nesër, do të vijë në t'tëndin përqafim.
Rrugën kur kalove
Të pash sot, e bukur moj, rrugën kur kalove,
Dielli ishte skuqur n'perëndim.
Me ata sy të kaltër vështrimin ma hodhe
Pastaj u largove, vrave shpirtin tim.
Me lëng floriri fytyra jote e praruar,
Trëndafile e çelur, veç për ty mendoj,
Zemrën e kam prush e jam duke kënduar,
Por lotët më rrjedhin se shumë të dashuroj.
Shtojzovalle e bukur, dua të t'i them dy fjalë,
Se ti u bëre mbretëreshë e ëndrrave të mia.
Ndoshta ti do të thuash, "Je çmendur more djalë?"
Jo! I çmendur nuk jam unë! E çmendur është dashuria...
Poezi nga Selim Tahiri
profesori i gjuhës shqipe në shkollën profesionale Abdyl Ramaj, në Suharekë
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Detyrë klase: Dhoma ime
“Manushaqja”, tregim nga Iriana Papamihali
Analizë e veprës “I Huaji”, Albert Kamy