Tregim me titull "Parfumi"
Anisa Nebiu është gjimnaziste në shkollën "Petro Nini Luarasi". Arti i të shkruarit tashmë është bërë pjesë e saj. Më së shumti, Anisa lëvron prozën. Ju ftojmë të lexoni tregimin e saj me titull "Parfumi".
Më kujtohet ende ai mëngjes, kur ngjita shkallët e mermerit rrethuar nga statuja engjësh e krijesash fantastike burgosur nën një qiell të përhimtë. Nën këmbët e tyre kacavirreshin trëndafila të kuq gjak, aroma e të cilëve mbyste lagështinë e vjeshtës. Qëndronin kryelartë si për t’u kujtuar kalimtarëve tokën në të cilën po shkelnin. Tashmë po hyja në botën e luleve.
Fillova të shpejtoja hapat akoma dhe më e emocionuar dhe ndërsa arrita fundin, kopshtin e mbështolli qetësia dhe në ajër dëgjohej vetëm fëshfërima e tylit të fustanit të hollë që mbaja veshur. Ngrita dorën gati për të shtyrë derën gjysmë të hapur, por në atë çast u ndjeva e pasigurt, a thua se dëshira më qe shndërruar në kristal, aq e brishtë sa mund të shkërrmoqej edhe nga tronditja më e vogël. Por ishte tepër vonë, nuk kishte më kthim mbrapa. Tashmë e kisha parë..
Ishte një tempull aromash, një labirint galerish me rafte të larta mbushur me shishe të të gjitha përmasave dhe ngjyrave. Ishte parfumeria që kisha kërkuar... Ajo që kisha ëndërruar.
Ishte si të hyje në një librari të re; të njiheshe me libra e vëllime të rinj; me shpirtin e tyre, shpirtin e atij që e ka shkruar, e atyre që e kanë lexuar dhe ëndërruar përmes tij. Diçka e ngjashme dhe me parfumet. Brenda një shisheje të brishtë qelqi ka me mijëra kujtime e histori. Është magjia e aromës, magjia e luleve...
U enda nëpër ato salla për orë të tëra. E lëshova dorën time të rrëshqiste mbi shishet e pafundme delikate të qelqit, duke ia besuar zgjedhjen ndjesisë së nuhatjes. Trëndafili ndërthurej me xhasminin me lulet e portokallit e të limonit, derisa dhe vetë përcaktimi i aromës kthehej në mister. U ndala dhe zgjata gishtat drejt një shisheje të hollë të tejdukshme me lëng ngjyrë vjollce. Nuk e di nëse isha unë ajo që e zgjodhi apo e kundërta. Tërhoqa tapën dhe sa hap e mbyll sytë e lëshova veten në një shtjellë emocionesh të panjohura e në një botë magjiplote, që dashur padashur më mori me vete.
E gjeti veten në një dhomë të ndriçuar, ku gjithçka ishte e këndshme, veshur me atllas e mëndafsh. Dollapet ishin mbushur me fustane tyli, doreza lëkure, pulovra të buta kashmiri e kuti plot e përplot me kapele dhe këpucë. Kujtimet e çuan te një femër elegante ulur në një tavolinë të vogël franceze duke vënë në secilin vesh nga një perlë. Mbante veshur një fustan të zi, të ngushtë mendafshi me mëngë të gjata dhe një dekolte ovale si pikë loti gjigand që zbukuronte kurrizin e saj nga qafa te beli. Më pas mori disa pika parfum, leu kyçet dhe nxitoi drejt sallës së ballos, ku tingujt e ëmbël të veglave muzikore ndërthureshin me fustanet dhe kostumet elegante të të ftuarve. Por ajo që nuk mund të harrohej ishte aroma e asaj gruaje. Ashtu si shumë vite më parë ajo e pa mamanë e saj të zhdukej nëpër ballo veshur me rroba franceze dhe të linte prapa aromën e atij parfumi. E dinte se ishte po ai që mbante në dorë. Dhe tani i përkiste asaj.
Shkroi: Anisa Nebiu, nxënëse në gjimnazin "Petro Nini Luarasi"
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Njihuni me Stivenin, nxënësin që çdo detyrë e shoqëron me vizatim
"Bukuria e vjeshtës", nga nxënësja Berinika Arsllani
Ese nga nxënësja Aspa Grembi me temë “Njeriu dhe mjedisi”