OPINION

Të (mos) jesh pjesë e turmës

Mendon se e shkëputur nga rrjeti social të bën të ndihesh më mirë. E kështu, vendos që të rikthehesh për të mos i shpëtuar gravitetit... edhe pse në dilemë, nëse duhet apo jo të jesh pjesë e turmës...

Mendon se e shkëputur nga rrjeti social (i çfarëdo lloji qoftë), të bën të ndihesh më mirë... E, në fakt, kupton se s’është mënyra e duhur. Ti nuk bën dot pa kuptuar se sa i bukur apo i shëmtuar është perimetri në të cilin ke vendosur të ndash mendimet dhe të përftosh ide...


Dhe vendos të rikthehesh, sërish aty nga e ke nisur, sërish aty ku e ke lënë. E di se do të gjesh po ata njerëz të mirë, me përplot mendime të vyera, plot jetë, plot pozitivitet.


Do të lexosh vargjet dhe rreshtat e shkruesve që s’kanë asnjë hapësirë për t’i skalitur ato në faqe të bardha, për t’u renditur në cepat e ndonjë librarie. Por ti kupton se në ato vargje gjen një nga ata poetët apo shkruesit, aq shumë të pëlqyer për ty (e ç’kishin më shumë ata, pyes veten, sesa këta shkrues të rinj plot vizion e mendim?).


Do të lexosh një pafundësi informacioni mediatik (të vërteta dhe të pavërteta, madje ndonjëherë do ta quash “media vrasëse”, që vret sërish e sërish vetëm e vetëm që të fitojë lexueshmëri).


Do takohesh virtualisht me ata që të kujtojnë se ka patur edhe etapa të tjera në jetën tënde, janë ata, miqtë e tu me të cilët je rritur, dhe ke kaq mall, dhe me mendje kthehesh e rikthehesh aq sa mundesh dhe, sikur (ah sikur) të mundje ta jetoje edhe njëherë atë kohë, me këtë gjykim dhe pjekuri moshe dhe gjithçka do të ishte ndërtuar ndryshe, ndryshe...


Do të ndiesh neveri nga gjithçka gjysmë të zhveshur, aq shumë të pëlqyer edhe për ata njerëz që ti ke menduar se janë kaq të ekuilibruar. Por cilit sy nuk do t’i tërhiqte vëmendjen e bukura e skalitur mjeshtërisht nga aparatët e fundit?! Madje, çdokujt nga ne i pëlqen të fshehë ndonjë rrudhë, aty në cep të syrit...


Do të lexosh copëza nga përditshmëria e ndokujt, aq thjesht të rrëfyera... dhe do të qeshësh nën buzë. Ndoshta edhe ndonjë mllef të shkarkuar publikisht (“çlirim hormonal”, do ta quaja), thua se kjo do ta bëjë të ndihet më i qetë.


E si mund të jesh e shkëputur nga gjithë këto vlera dhe antivlera që gjen? Kjo “lumturi”, fasadë e përsosur realiteti?! Njëkohësisht kjo shëmti e zbukuruar, sikurse ato pikturat abstraksioniste, ku “piktori modern” tjetër gjë kërkon të na përcjellë, e ti tjetër përfton…

Nuk mundesh!


E kështu, vendos që të rikthehesh për të mos i shpëtuar gravitetit... edhe pse në dilemë, nëse duhet apo jo të jesh pjesë e turmës...

2,010 Lexime
5 vjet më parë