Studentët e Gjuhë-Letërsisë, takim pa ngarkesa akademike me shkrimtarin Gazmend Kapllani
Shkrimtari Gazmend Kapllani zhvilloi një takim mjaft të ngrohtë me studentët e Gjuhës dhe Letërsisë. Ky takim u moderua nga dy profesorët e letërsisë, Lili Sula dhe Eldon Gjikaj, kështu studentët patën mundësinë të bisedonin nga afër me shkrimtarin.
Shkrimtari Gazmend Kapllani zhvilloi një takim mjaft të ngrohtë me studentët e Histori-Filologjisë, të degës Gjuhë shqipe dhe Letërsi, rreth procesit te tij krijues, fenomeneve letrare dhe librit të tij të fundit dhe të suksesshëm "I keqi i vetes", një botim i shtëpisë botuese "Albas". Ky takim u moderua nga dy profesorët e letërsisë, Lili Sula dhe Eldon Gjikaj. Studentët patën mundësinë të bisedonin nga afër me shkrimtarin, duke u çliruar nga të gjitha ngarkesat akademike.
Profesor Gjikaj ftoi studentët në një bashkëbisedim me shkrimtarin Gazmend Kapllani, rreth romanit të tij "I keqi i vetes", si dhe rreth fenomeneve letrare, për të cilat ato kanë interes, duke e ditur që Gazmendi është profesor në katedrën e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Amerikë, njëkohësisht drejtues i saj. Një bisedë në vazhdën e takimeve që organizon departamenti i letërsisë, për të ftuar shkrimtarë, studiues, krijues, për të komunikuar me studentët, sepse një takim i tillë bën që studenti ta njohë nga afër procesin krijues.
Prof. Lili Sula shprehet "Gazmend Kapllani nuk është një figurë e panjohur. Ka lindur në Lushnjë, aty ku ka marrë edhe edukimin e parë arsimor, në një familje shumë arshimdashëse. Një nga librat më të mirë të panairit 2018, u rendit libri i Gazmendit. Është një libër që merret me diktaturën. Satusi i shkrimtarit në botë, që jeton jashtë arealit shqiptar, sepse vepra ka një narracion dhe një fabul që ngerthen botën shqiptare".
Gazmend Kapllani: Jam autor i katër romaneve, të shkruara jo në shqip, tre romane në greqisht, por tematikat kryesore janë Shqipëria dhe shqiptarët. Nëse do më pyesnin çfarë lloj letërsie bëj, do thoja se bëj një letërsi të tranzicionit. Mund ta quash letërsi të diasporës, globale, të tranzicionit, etj. Është letërsi që bëhet nga shkrimtarë shqiptarë, por që krijojnë në vendet përkatëse. Kjo bëhet edhe për arsye praktike, për t’ju drejtuar publikut lexues në vendet ku jeton. Historia e letërsisë së shekullit të kaluar dhe e këtij shekulli njeh mjaft shkrimtarë refugjatë dhe emigrantë që kanë shkruajtur dhe shkruajnë në gjuhë që nuk janë gjuhët e tyre amtare. Disa prej tyre jane shkrimtarë të mëdhenj, Kundera, Nabokov, Brodsky, etj. Janë shkrimtarë të vështirë per t’i futur në një kategori letërsie kombëtare. Por, unë veten time e konsideroj shkrimtar shqiptar, që kam shkruajtur ose mund të shkruaj në gjuhë të tjera, greqisht, anglisht, frengjisht...
E. Gjikaj: Cili është raporti mes lokales dhe universales, sepse ju krijoni me lëndë shqiptare dhe ia jepni një tjetër lexuesi? A është e mundur të funksionojë ky raport me sukses dhe për një krijues shqiptar?
Pyetje thelbësore për një letërsi, sepse është përmasa globale. Universalja është lokalja së cilës i heq muret, pra e lë ta hapur që ta vizitojë çdokush. Problemi i letërsisë shqipe dhe jo vetëm, mund të jetë kompleksi i provincializmit, për shkak të pozicionit periferik të saj në Europë, por sidomos për shkak të 45 viteve të izolimit stalinist. Letërsia shqipe e viteve '30 është një letërsi universale, europiane dhe shumë vepra të kësaj letërsie i flasin çdo lloj audience, por kjo gjë nuk ndodh më pas vitit '45. Për gjysmë shekulli letërsinë shqipe e pllakosi paranoja e realizmit socialist dhe izolimit.
L. Sula: Çfarë është realiteti diktatorial në llibrin tuaj, çfarë është Shqipëria e mbyllur, një histori e pashëmbullt në librin tuaj? Si mund ta lexojë brezi i ri këtë libër? Unë mendoj që brezi jonë e ka për detyrë t'ia përcjellë brezit të ri atë se çfarë kanë jetuar shqiptarët, si memorie letrare, historike, sepse nuk e kanë jetuar dhe mbase as nuk e perceptojnë dot.
Ajo është një periudhe që kam jetuar. Çdo shkrimtar ndërton veprën e tij rreth disa obsesioneve letrare. Dy nga këto obsesione për mua janë kufijtë dhe sistemi totalitar. Ç'ndodhi në atë periudhe, çfarë pasojash kishte në shoqëri. Një kohë mjaft traumatike. Kur e jeton nga brenda regjimin, atëherë e kupton më së miri. Pasojat shihen në dramat dhe tragjeditë familjare, politike, shoqërore, në estetikën e qyteteve tona sot. Kudo rreth e rrotull nesh gjenden pasojat e asaj periudhe.
Studenti: Cili është laboratori juaj krijues?
Mënyra sesi shkruhet një libër ndryshon shumë nga shkrimtari në shkrimtar. Ka shkrimtarë që punojnë në mënyrë shumë profesionale, industriale do thosha, shkruajnë një libër në vit të paktën. Unë nuk jam i tillë. Të shkruarit për mua është çështje frymëzimi, por edhe shumë ushtrim. Kur e kupton që një libër duhet shkruajtur? Një libër ka muzikalitetin e tij dhe është bindja e brendshme që po, ky libër është i duhuri. Shumë ide nga ato që të vijnë në kokë për t'u bërë libër vdesin, vetëm pak ide mbijetojnë. Pra, është një proces kompleks. Ka shkrimtarë që shkruajnë me një strukturë mjaft të qartë ndërtimi të librave, por unë nuk jam nga këta. Une kam një hartë në kokë, di se ku dua të shkoj, por nuk e di si do shkoj atje. Kështu janë shkruar librat e mi. Sigurisht, vijnë nga një punë disa vjeçare, shihen e rishihen. Gjëja kryesore për ata që duan të bëhen shkrimtarë: Duhet të shkruash sa më shumë dhe të lexosh akoma më shumë. Pra, nuk është vetëm çështje frymëzimi. Duhet talent, fat dhe shumë punë. Por, kur shkruan diçka që arrin t'i flasë edhe njerëzve të tjerë është magjike.
Studenti: Sa personal është ky libër. Me se identifikoheni në këtë roman?
Shkrimtari përpiqet të trajtojë disa "fantazma" të brendshme. Letërsia na flet shumë sepse nis nga personalja, nga ajo se çfarë vetë kemi jetuar. Ka në qendër individin. Por, sigurisht që ka edhe përmasën universale për t'i folur të gjithëve, jo vetëm vetes.
Studenti: Në karrierën tuaj si shkrimtar, a keni patur ndonjëherë frikë se mund të dështonit?
Bëhesh shkrimtar nga rastësia. Askush nuk lind dhe thotë unë do të bëhem shkrimtar. Ai është një proces që vjen sa natyrshëm, por aq edhe nga puna. Shkrimtarët edhe dështojnë. Psh, Borgesi, në librin e parë shiti vetëm 40 kopje. Ai është një nga shkrimtarët më të mëdhenj. Por, unë kam pasur fatin që libri im i parë të lexohej jastëzakonisht.
Studenti: Çfarë është "tersi". Pse e keni quajtur qytetin kështu?
Tersi mban në vetvete një lloj fatalizmi. Dhe personazhet e romanit e mbartin këtë fatalizëm. Tersi nuk ekziston vetëm si qytet, por edhe vetë brenda njerëzve. Janë njerëz që vuajnë, sepse nuk kanë mundur dot kurrë që ta kontrollojnë historinë e tyre, ashtu siç ka ndodhur edhe me ne, gjatë sistemit totalitar.
(Përgatiti Parajsa Shtini për Portalin Shkollor)
Shënohet 22 nëntori, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
“Bedri Dedja, gjithmonë për brezat e së ardhmes” – Aktiviteti në nderim të autorit dhe krijimtarisë së tij për fëmijë
Xhamia e Et’hem Beut