ESE

STOP BULLIZMIT, ese nga nxënësja Edlira Toçilla

Nxënësja e vitit të dytë Edlira Toçilla, në gjimnazin “Sandër Prosi”, Tiranë, ka përgatitur një ese për t’i thënë “Stop bullizmit”. Eseja me temë “Një dëshirë vrasëse”, u punua në kuadër të ditës kombëtare të luftës kundër bullizmit.

_________________________________________________________________________________

Më shiko drejt e në sy. Ma thuaj tani mendimin tënd. Jam gati për çdo gjë. Sytë po më djegin nga lotët, por nuk do të qaj. Ti nuk më njeh, por ti më gjykon. Kjo pra është ajo çfarë unë quaj paradoks. Por shiko dreqi e mori, nuk je vetëm ti, janë shumë të tjerë pas teje. As ata nuk më njohin. Në fakt tani kam filluar të mos e njoh më as veten. Se di se kush jam. Di vetëm se jam fillikat e vetme. Atje jashtë askush nuk më do. Por a thua e dua unë veten?! A thua e dua aq shumë veten sa të jem e aftë për të thënë MJAFT?! Nuk e di, nuk di asgjë. Kam shumë frikë. Kjo frikë më ka kushtuar net të tëra pa gjumë; net të tëra duke u lutur e duke bindur veten për gjëra të kota. Bindja veten të vazhdoja të merrja frymë; bindja veten të mos ndihesha kot; bindja veten të vazhdoja të kisha dëshira normale. Në fakt unë e kisha një dëshirë. Kisha dëshirë të isha e lumtur. Po e lumtur. Sa dëshirë vrasëse; më e thellë se dhimbja e zemrës. Të paktën vuajtja të thotë zhduku, por dëshira përpiqe amshimin e plotë. Sa më ka marrë malli të shikoj një palë sy, një palë sy që më vështrojnë vërtetë dhe jo vetëm gur prej kalldrëmi. Çdo mëngjes vesh një buzëqeshje të ngrirë në fytyrë, i jap disa porosi vetes, kap flokët, hedh çantën mbi shpinë dhe nisem drejt shkollës. Një ditë e lodhshme më pret. I them vetes: ndihmo po munde, bëj çdo gjë po munde, po në mos qofsh më i zoti të bësh gjë atëherë harro! Kthe kokën dhe mbahu fort! Kapërdije jetën, kapërdije ekzistencën tënde! Do të të duhet kjo jetë. Mbaje mend këtë. Tani mos u vono më shumë. PRIT! Mos harro edhe diçka tjetër. Mos kërko mëshirë! Kundër fyerjeve njeriu mund të mbrohet por kundër mëshirës,  jo! Tani je gati. Nisu! Dil pra! E sheh, është një ditë me diell. Në drekë do të kthehesh në shtëpi. Do të ndihesh e lodhur, por do të lodhesh më shumë duke menduar pse, pse unë, pse pikërisht unë duhet të jem një viktimë? Më mirë merr një sy gjumë. Po ta mendosh kjo është një mënyrë e bukur për të thënë mjaft, sepse aty do të shëtisësh nëpër ëndrra; të paktën aty do të mund të buzëqeshësh. Kjo pra është, gjej një arsye për të buzëqeshur. Në qoftë se arrin ta bësh ke arritur një arsye për të jetuar dhe ti do të kuptosh që je gjallë, ti jeton, ti ja dole. Prandaj hapi sytë e dashur, shkofshin në djall të gjitha paragjykimet. Ngrije zërin dhe le ti themi të gjithë së bashku STOP BULLIZMIT!











                                                    Edlira Toçilla, Klasa 11, Shkolla e mesme “Sandër Prosi”, Tiranë 

4,439 Lexime
4 vjet më parë