KAMPIONATI I RADIOAMATORIZMIT

Sportistët elbasanas të 6-ët në botë në sportit e rrallë

Shqipëria është renditur e gjashta në botë gjatë Kampionatit të 17-të të Radioamatorizmit që u zhvillua në Herceg Novi të Malit të Zi. Kujtojmë se sportistët më të shumtë të këtij sporti të rrallë janë nga qyteti i Elbasanit dhe kanë shkëlqyer me performancën e tyre duke lënë pas shumë shtete të Europës.

Radioamatorizmi është një nga sportet më të rrallë në botë, për të cilin pjesa më e madhe e publikut shqiptar nuk ka aspak informacion. 


Ditën e sotme një nga anëtarët e bordit drejtues, elbasanasi Drini Dervishi, ka bërë të ditur se Shqipëria është renditur e gjashta në botë gjatë Kampionatit të 17-të që u zhvillua në Herceg Novi të Malit të Zi.


Kujtojmë se sportistët më të shumtë të këtij sporti të rrallë janë nga qyteti i Elbasanit dhe kanë shkëlqyer me performancën e tyre duke lënë pas Shqipërisë shumë shtete të Europës.


Kuptimi i fjalës radioamatorizëm


Radioamatorízëm- marrje e dhënie shenjash e sinjalesh me aparat telegrafik (alfabeti telegrafik sistemi i shenjave me pika e vija që përdoren në telegrafi për të dhënë shkronjat). 


Çfarë është radioamatorizmi?


Radioamatorizmi është një hobi i shkëlqyeshëm teknik për të gjithë, i cili mundëson aftësimin teknik dhe njëkohësisht shërben për tu argëtuar. Ky hobi aplikohet përmes komunikimit ndërmjet radioamatorëve me radiostacionet që kanë në shtëpi apo klube të veçanta. Një radiostacion amator mund të transmetojë fjalë, kodin e Morsit, të dhëna ose imazhe. Përveç argëtimit, komunikimet me radio janë shërbime të vlefshme publike në raste të emergjencave të ndryshme, kur çdo mjet tjetër i komunikimit dështon.

Radioamatorët janë të shpërndarë, sipas marrëveshjes ndërkombëtare, në një gamë të frekuencave (apo “breza”) që mund t’i përdorin për të komunikuar me njëri-tjetrin. Disa nga këta breza janë më të përshtatshëm për komunikime kryesisht të brezit të shkurtër (nëpër qytet) ndërsa të tjerët për komunikime anë e mbanë botës. 

Disa radioamatorë janë të lumtur të flasin (për çështje personale apo teknike) me amatorë të tjerë në botë, ndërsa të tjerët pëlqejnë aspektet garuese të këtij hobi, si pjesëmarrja nëpër “gara” botërore për të matur aftësitë e tyre operuese kundër të tjerëve në botë. Disa eksplorojnë teknikat e reja të transmetimit dhe radiove, ndërsa të tjerët shijojnë eksperimentimin me dizajnin e ri të antenave.

Mbi të gjitha, ata flasin me astronautë në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar, apo me amatorë të tjerë përmes një numri të satelitëve komunikues amatorë që qarkullojnë përreth botës.

Çdo ditë, mijëra radioamatorë mund të dëgjohen duke komunikuar në valët ajrore, andaj pse të mos dëgjojmë dhe shijojmë radion amatore magjike?


Pak histori


Radioamatorizmi në Shqipëri u krijua në vitin 1952 si pjesë e shoqatës së shumë sporteve. Deri në vitin 1991 ky pasion zhvillohej në ambiente të mbyllura. Transmetimi bëhej me taste vertikale me 19-21 grupe në minutë në shifra dhe 26 grupe në minutë germa. Ndërkohë në marrje me kufje 42 grupe në minutë për shifrat, dhe 32 grupe në minutë për germë dhe fjalë të hapura.

Gjatë periudhës së komunizmit ky sport u zhvillua në mënyrë të izoluar dhe pa asnjë kontakt me botën. Vetëm në vitin 1990, ish presidenti i federatës së radioamatorizmit Myftar Fana, dhe trajneri i Elbasanit Fatos Demeti, këmbyen për herë të parë eksperiencën me Federatën Hungareze të Radioamatorizmit. Për shumë vite u la disi në harresë dhe së fundi radioamatorët shqiptarë po marrin pjesë në shumë aktivitete ndërkombëtare, ku kanë zënë edhe vende shumë të mira në renditje.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.  

2,284 Lexime
3 vjet më parë