Teatri kombëtar eksperimental

Së shpejti, në teatrin kombëtar vjen “MEDEA”

Teatri Kombëtar Eksperimental po përgatitet për të vënë në skenë tragjedinë e lashtë greke “Medea”, regjisor Dimitris Mylonas nën interpretimin e një kaste aktorësh profesionistë.

Tragjedia e lashtë greke “Medea” bazohet në mitin e Jasonit dhe Medeas dhe u ngjit në skenë për herë të parë në vitin 431 para Krishtit. Subjekti përqendrohet mbi veprimet e Medeas, dikur princeshë e mbretërisë “barbare” të Kolkias dhe bashkëshorte e Jasonit. Ajo sheh se pozita e saj në botën greke është e kërcënuar, kur Jasoni e braktis për t’u martuar me një princeshë greke të Korintit. Medea merr hak mbi Jasonin, duke vrarë bashkëshorten e tij të re, po ashtu edhe dy bijtë e vet, për t’u arratisur më pas në Athinë për një jetë të re.


Kjo tragjedi është një tablo mjeshtërore e pasionit me nënshtresat dhe zgavrat e tij sekrete. Vuajtja dhe ndjeshmëria e dashurisë së vrarë vizatohen fuqishëm, deri sa kulmojnë me veprën e tmerrshme të hakmarrjes. Fuqishëm është ravijëzuar gruaja me joshje të jashtëzakonshme, e cila është njëkohësisht e dobët. Notat e butësisë mëmësore janë patetike në shkallën më të lartë. Lufta e emocioneve, gjeneruar nga pasioni, rrëfehet në mënyrë të admirueshme; dhe mes gjithë stresit nga konflikti i tyre, dhe mes gjithçkaje të sofistikuar dhe iluzive, që gërryen shpirtin, urrejtja dhe hakmarrja fitojnë betejën. Medea është kriminele, por jo pa shkak dhe jo pa forcë e dinjitet. Në dallim nga Eskili epik dhe Sofokliu i përqendruar te ndërveprimi i karaktereve, Euripidi i hapi artit dyert e një bote të re dhe na jep një pamje më të afërt të ndjenjës pasionante, edhe në format e saj më të pastra, edhe në çmenduritë më të egra, të cilat kontrollojnë, pështjellojnë apo shkatërrojnë njerëzit.


Përktheu: Viktor Zhusti

Regjisor: Dimitris Mylonas

Skenograf: Beqo Nanaj

Kostumograf: Sofi Kara

Kompozitor: Pavlos Katsivelis

Koreograf: Gjergj Prevazi

Dirigjent: Dritan Lumshi

As.regjisor: Kris Dumo

Aktorë: Luiza Xhuvani, Alfred Trebicka, Viktor Zhusti, Roza Anagnosti, Ahmet Pasha, Gjergj Mena, Kristian Koroveshi etj.

(Portali Shkollor)

2,871 Lexime
6 vjet më parë