“Rreze drite” nga Petrika Demirllari

“Rreze drite” është shkrimi letrar i mësuesit Petrika Demirllari, me të cilin ai merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.

Mëngjes!

Zgjimet e hershme, tashmë ishin bërë rutinë.

Çasti i kalimit nga nata drejt lindjes së diellit, dukej si një kohë ku mund të fusje brenda saj madje edhe një shekull të tërë...

Ose ose...ky ishte thjesht një moment reflektimi, simbolik.

Simbolika e dritës, besoj.

Sa shumë kemi nevojë për të...

Por duhet të shkoja përsëri në punë, veçse sot ndryshe nga më parë, tek një shkollë tjetër diku larg vendbanimit tim dhe për këtë isha i përgatitur.

Po mendoja gjithçka,

...rrugën, dimrin e sapo ardhur... shkollën, e vendosur ajo përbri kreshtës së një mali i cili përveçse emrit të tij, dukej se në pjesën tjetër nuk kishte lidhje aspak me emrin "të Thatë", përkundrazi gjithçka qëndronte në harmoni me natyrën.

Si shëmbëlltyrë e një vullneti të lartë, ku me pak kosto mund të bësh gjithnjë gjëra të mira ose më së paku të drejta... 


***


"Për pesë minuta arrijmë" dëgjoja bisedën e disa kolegëve tek udhëtonim, a thua se këtë bisedë po e bënin posaçërisht për mua...

Çuditërisht asnjë gjë nuk më linte të kuptoja se po mbërrinim diku.


Por isha mësuar të qëndroja i durueshëm sepse kisha qenë gjithnjë një gabues i mire i kohës dhe ashtu rezultoi.

Pas pak në të djathtë të një kthese të fortë gjithçka dukej se luante bukur në atë imazh që shfaqej para nesh ku në skajin më të largët të tij përbri kreshtës së malit ndodhej shkolla, në të cilën dukeshin qartazi rrezet e para të dritës që binin mbi të, rreze këto të cilat pata menduar që herët në mëngjes...

Gjithçka e ka një shpjegim, mjafton që brenda saj  të ketë gjithnjë vërtetësi.


Duke qenë se deri diku kisha lëvizur në disa shkolla, prezantimet dhe largimet isha mësuar t’i bëja sa më formale dhe ashtu ndodhi.


Pas javës së parë ajo që vija re dhe më bëri përshtypje kishte të bënte me klasën e nëntë dhe konkretisht me një nxënës i cili gjithnjë orët e para vinte me një përgjumje në klasë.


Ai qëndronte në bankë të parë duke hedhur rripat e çantës përbri mbështetëses së karriges gjë e cila krijonte një lehtësi për marrjen e librave, fletoreve, mjeteve të tjera që mbase mund t’i nevojiteshin.

Por diçka e tillë ndodhte rrallë...


Si të thuash ishte një nga ata nxënës "që nuk të prishin punë" gjatë orës mësimore, por që reflektojnë diçka të pazbuluar brenda tërheqjes së tyre.


Midis dyzimit të një djali të grupmoshës së tij duke ndjekur modele sjelljeje për të qenë në qendër të vëmendjes  dhe për t’u evidentuar brenda një "konkurrence" absurde, por të kuptueshme mes shokësh dhe kjo kryesisht për shkak të moshës, ai zgjidhte gjithnjë këtë të dytën: "Te mos përzihej ".

Në mësim përgjigjej shkurt.


Po përse duhet të ndodhte diçka e tillë ...?!

Pa njohur realitetin në të cilin je duke vepruar priresh gjithnjë të gabosh...

Në dukje, kjo mënyrë sjelljeje tingëllonte si një revoltë.

Si një revoltë e brendshme, mbase edhe kundërvënie.

Por ndaj kujt?! 


Nxënësi e sfidon herë pas here mësuesin por nuk më dukej ky rasti.


Mbledh detyrat e shtëpisë dhe shoh që data e fundit në fletoren e tij përkonte me dy orët e mëparshme.

Teksa largohesha nga banka me bie në sy veprimi tek xhepi i xhaketës së tij.


Thashë me siguri ai është duke bërë ndonjë prapësi, por çfarëdo qoftë ajo unë duhet ta dija, kështu që i kërkova të tregonte se çfarë mbante të fshehur tek xhepi i xhaketës, sepse të gjitha veprimet ishin të përqendruara atje.


Ai hezitoi, por kërkesa ime vazhdonte të ishte po e njëjta dhe në atë moment përballë një heshtjeje të vendosur në klasë, ai u ngrit në këmbe dhe nxori nga xhepi një qese...


Një qese plot me biskota, duke i drejtuar duart nga unë si për të treguar se po gaboja me të ...

I thash t’i hiqte prej atje se nuk ishte e lejuar gjatë orës së mësimit, megjithëse ato ishin ende  të pa hapura ose në dukje të tilla... 


Nuk të paska zënë gjumi për biskota?!- I them me shaka dhe i buzëqesh, sepse kuptova që isha sjellë pak ashpër me të në lidhje me akuzën që pretendoja për ç'ka mund të kishte në xhep.

Ai u skuq lehtë në fytyrë dhe buzëqeshi duke vendosur bërrylat mbi bankë... 


Çiltërsia e fëmijëve flet vetëm të vërteta dhe të vërtetën unë e mësova orën e ardhshme kur Grigori  mungonte  dhe nxënësit e klasës më thanë se ai ngrihej herët në mëngjes pasi i duhej të punonte për të ndihmuar familjen. Në pamundësi të punës së kryefamiljarit ai tashmë e kish marrë vetë këtë detyrë, megjithëse në moshë shumë të hershme.


Duhej më së paku dy orë që ai të përfundonte këto punë të përditshme dhe më pas kur nata shkonte dhe rrezet e para të dritës fillonin të binin, ai vinte në shkollë.


U shtanga!

Më e pakta që mund të shpreh...

Gjithçka dukej si një skenë ku kujtimet luanin dramën e tyre pafundësisht...

Disa të vërteta njeriu duhet t’i mbajë gjithnjë për vete.


Por di të them që reflektimi është pjesë e një misioni i cili ka në qendër jo vetëm dijen dhe tejçimin e saj por mbi të gjitha të ndiejmë dhe të kuptojmë.

Këto u japin jetë vlerave të vërteta njerëzore dhe të nesërmes më të mirë.

Unë nuk pata asnjëherë guximin ti kërkoj falje Grigorit!

Kjo edhe për shkak të qëndrimit tim atje, jo për një kohë  të gjatë.

Por mendoj se diçka të tillë duhet ta bej sot! 

“Greg, unë të kërkoj falje për gjithçka s'munda të bëj...!”



Petrika Demirllari

Petrika Demirllari ka lindur në Korçë. Studimet e larta i ka kryer në degën Gjuhë-Letërsi në Universitetin "Fan S. Noli". Aktualisht është mësues në shkollën "Mustafa Jashari", rrethi Korçë.


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

3,650 Lexime
1 vit më parë