Rita Petro, “Amazona” e betejave epike të modernitetit - Profili i një fenomeni social dhe artistik
Rita Petro ndoshta nuk zgjodhi të ishte një Amazonë, por arriti të jetë e tillë çdo ditë dhe çdo copëz të reales, si cilës ajo i përket... Zëri i një bote të ndryshtë jehon. Kjo është Rita që njoh unë, Rita te çdo vullnet dhe ëndërr gruaje.
Ndoshta miti i Amazonave rreket të grish më shumë se kujtesën e kapitur të një të tashme që përpëlitet në zbrazëtinë e motivimeve të epërme, të zgjojë mëkimin e një andje që e shkuara e ka hedh tej në honet ku ngjizen veç kumtime përfytyruese të krijuesve dhe sendërgjuesve të një bote idilike.
Përtej asaj madhështie dhe vibrimit inkandeshent, me të cilin janë endur Amazonat, kjo shkëndi e matriarkatit, pulson gjithnjë shpirti i atij vullneti që ka grishur kunguesit e artit dhe mbërthyer në magjepsje gjithëkohjen e ëndjes për sfida dhe kapërthim lartësishë të garrametshme.
Ndoshta e keni kërkuar sot pas mijëra vitesh një Amazonë, një reale të asaj mitologjie kaq ngasëse dhe magjepsëse. Larg, tej, atje ku vetëm përfytyrimi ose një manifestim forcash eterne munden ta ngjizin dhe me tharmin e një miti të këtillë të endin pëlhyrën e një solemniteti, që u shkon kaq shumë disa grave që kanë zgjedhur vullnetlirë të jenë luftëtare. Njëra prej tyre është Rita Petro. Ndoshta është ajo që ka hyrë në petkun e këtij miti, ose është vetë koha që ka ngjizur në të magmën e një shpirti kaq triumfues, atë të një Amazone.
Betejat nuk janë sajime, ato janë rruga, shtegu, ato janë e mundshmja e matshmërisë së një vullneti për të lejuar brenda vetes ndërtimin e një kështjelle qëndrese.
Rruga nëpër të cilën ecën kjo grua, ndoshta nuk është udhë e zgjedhur, madje hera-herash, e ashpër dhe e pakalueshme, por ajo si një Amazonë, e lindur për beteja, hyn në përballje sapo del nga një luftë. “Masa më e sigurt e çdo force është qëndresa që ajo mposht”, thotë Zvajg. Dhe atë nuk ka ndalim t’a bëjë zap, nuk ka humbje ta rrëzojë kreshtën e krenarisë së saj.
Rita, telegrafisht
Rita Petro u lind më 13 mars 1962, në Tiranë, Në vitin 1980-1984 ka kryer studimet në Universitetin e Tiranës, Dega Gjuhë Shqipe dhe Letërsi. Më 1993-1994 është specializuar në Universitetin e Athinës për Filozofi dhe Kulturë Greke (Philosophical School, Capodistrian University). Që prej vitit 1985 deri në vitin 2000 ka punuar redaktore në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor dhe është aktivizuar në shumë grupe pune për programet, standardet, trajnimet që lidhen me lëndën e gjuhës dhe të letërsisë në shkollë. Në vitin 2000 bashkëthemelon me Latif Ajrullain shtëpinë botuese ALBAS, e njohur vecanërisht për botime shkollore në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Preshevë si dhe diasporë.
Rita Petro është bashkëautore në tridhjetë e gjashtë tekste shkollore të lëndës së gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Aktualisht është drejtoreshë e botimeve në ALBAS. Rita Petro ka qenë pjesëmarrëse në disa festivale poetike brenda dhe jashtë vendit, e përfshirë në me krijimtarinë e saj në disa revista letrare dhe antologji të letërsisë së sotme botërore, e perkthyer dhe e botuar ne frengjisht nga Edmond Tupja, Ardian Marashi, në gjermanisht nga Hans. J. Lanksch, në anglisht nga Robert Elsie dhe Ukë Bucpapaj, në rumanisht nga Marius Dobrecsu dhe Luan Topçiu.
Erosi në kumtim
Një nga betejat më të “përgjakshmë” të Amazonës, Rita Petro është ajo e erosit. Çdo sherrnajë dhe tërsëllimë, kujisje e klithmë, shtërngim dhëmbësh e skërmitje, mallkim e baltosje, krejtçfarë ka mësyrë Rita Petron poete është terratisje që sekush mundi të hidhte pa ndalim dhe pa u brejtur në ndërgjegje. Gjithëkjo gjamë nuk ishte dhe nuk mbetet një mësymje e ndërkryme ndaj Ritës poete, ndaj “poezisë së saj perverse”, por ndaj ndërgjegjes së një shoqërie.
Mes ithtimit të patriarkales dhe flamujve të reckosur të kapitullimeve të konservatores, përcjellim pikëllueshëm modernitetin, të cilin e pranuam si ritëm dhe e refuzojmë si ngërç. E ku më qartazi e kundojmë këtë shtirje, se sa në ballafaqimin me nevojën për komunikim estetik, në shuarjen e urisë për kjartësi dhe shpengim, në domosdonë për të lëshuar shpirtin në atë fluturim që i mëkon atij thellësi dhe përmasa.
Erosin, duke e refuzuar kaq me tërsëllimë dhe nga ana tjetër duke e pranuar si pjesë e shthurjes larg syve të botës që na vëzhgon dhe është gati të na ndëshkojë, ne nuk bëjmë gjë tjetër vetëm kërkojmë që njeriun e shpellës ta kyçim pas paranojës së një skllavërie moderne që zinxhirët na i bën hajmali.
Rita Petro nuk ishte e para, dhe nuk ka gjas të jetë as e fundit “mëkatare” që “blasfemoi” kaq rëndë ndaj një doktrine hipokrite, asaj të moralit. Sot, një idnividi me kërkesa të ngulmëta për të tejkaluar vetveten e mbetur peng i së shkuarës, nëse nuk ka një armë me të cilën të luftojë dhe një ideal për të cilin të bëhet fli, i mbetet më mirë të dorëzohet si i mundur nën një sovranitet tjetër, ose të dezertojë në kërkim të një të mundshme diku gjetkë, shumë herë më mirë se sa të kudërbojë si një kufomë nën një qiell të ngrysët nën krrakamën ndjellakeqe të korbave.
Pena e Rita Petros ka cekur në skajet më të largëta të guximit, por ajo asnjëherë nuk e ka shitur si një fitore apo heroke këtë pasion për t’iu dhënë një shndërrimi. Ajo ka guxuar të jetë vetja, një vetvete e çliruar nga vargonjt e nënshtrimit, duke u “vetësakrifikuar”. Vragën e gangrenizuar ajo e dogji me zjarr. Lubisë së uritur ajo i vuri përballë sqimën e shpirtit, dlirësinë e përjetimit dhe mrekullinë e shpërblësës së epshit, i vuri njeriun, i vuri një Evë.
Duke u shprehur poetikisht dhe lirisht përmes një komunikimi si përtej një cohe të hollë, duke mëkuar ndjesinë erotike, ajo u rrek të jepte çfarë kishte më të dlirë. Poezia e saj dhe erotika e pikasur nuk erdhi qëllimsisht si ngucamë, si trazim, si yshtje, si turfullim gjakrash, erdhi si një zë jehues i një shpirti dhe lypi të ulej si një pend shpendi në paqen e ndojtur të një vullneti që kishte thyer brenda vetes qiejt dhe fajësonte krahët që ai ende nuk kishte mësuar të fluturonte.
Ajo nuk e pa erotikën në poezi si provokim, por si një epje një dëshire për të bashkëndarë me të tjerët atë çfarë shumë nga ne kemi frikë ta ndajmë edhe me veten. Kumtimi i saj i nxehtë zbriti ngadalë dhe tinëzisht në skutat ku fshehim zjarret dhe ku gjithnjë bën ftohtë, ndoshta jo dhe aq për të çliruar këtë magmë nga ngurtësimi, se sa për t’i mësuar asaj se aty ku shpërthen krijon një botë të re, poterisëse dhe e begatë.
Ajo jeton poetikisht, shijon erotikishit dhe nuk di gjuhë tjetër të komunikojë me ata me të cilët kërkon të flasë. Të heshtësh, për të nuk është dakordësi as ujdi, është dritë që zgjedh të shuhet. Ndaj ajo flet me poezi dhe poezia e saj me erotikë, por jo vetëm, më çiltërsi dhe dlirësi, me njerëzoren, atë gjithqysh është, gjithsi ka ardhur, gjithëçmos kërkon të jetë.
Rita poete
Në një moment ekuilibri të prishur edhe unë për pak u gjenda i përfshirë nga ajo valë e ndërkryer paragjykimi për Rita Petron poete. Më ra të kafshoj gjuhën para se të hyja nën zgjedhën hekakeqe të pendesës. Shfletova, lexova, mendova… u përpoqa të isha një reale e flakur tej nga vërshimi i ububushëm i turmës dhe u përfshiva nga poezia, u këndella prej asaj puhije ledhatare e ngasëse.
Rita, dukshëm mëton se ka ardhur në traditën e poezisë shqipe me një zë të vetvetshëm. Ajo ngjet me të gjithë dhe askush nuk përngjet në të. Ka lexuar kaq shumë, i pëlqejnë të gjithë dhe kur ngjyen penën e nis të shkruaj, dëgjon vetëm pëshpërimën e zërit të saj.
Ajo i ka shkuar nga pas një ushtrie idhujsh, ka fjetur me poezitë e Eseninit nën jastëk, ka recituar vargjet e Poradecit, gjen veten në urtësitë e Gibran, është magjepsur nga lirikat e tragjikut të poezisë Migjenit, është ngasur dhe joshur, pikëlluar dhe shastisur, mallëngjyer dhe trandur, ka jetur si poete, është gazmuar dhe ka vuajtur, ka deliruar dhe është zhgënjyer, ka mëkatur dhe është përulur, është rebeluar dhe ka ngritur zërin. Gjithçka e kësaj magme i është dhënë vërshimit nën thirrjet e kahershme për epje të forcave dhe shpirtërores. Çdo gjë në jetën e saj është poezi dhe ajo jeton në çdo varg dhe strofë, mëkon prej çdo metafore dhe shpërthimi, gjithnjë duke mbetur vetja.
Ndoshta egoizmi i një amazone nuk e ka lënë këtë të bjerë pre e çfarëdo joshje dhe ngacame. Nuk ka dëshiruar dhe duket se ka zgjedhur që në këtë magji komunikimi të jetë vetja, kurrqysh zgjatim e një kreshte kryelartë apo rrapi madhështor, dritë e një shkrepëtime apo terri i një vikame. Mish e shpirt ajo është aty pa huajtur asgjë veç dashuroren prej korifejve.
E vetme përballë të gjithëve
Ndoshta ajo është e patëdytë në zotërimin e asaj mjeshtërie, e cila e ndihmon atë ti bëjë ballë një stuhie gojimesh të ndyta, logjikimesh të përçartuna, shfrimesh dhe mllefesh, urrejtjesh dhe hakërrishë që bartin si lëndë plasëse, si forma vetanake komunikimi kryengritëse, grishëse dhe shkarkuese. Gjithqysh ajo është aty, ballaz, tu tregojë se sa forcë mposhtëse ka e drejta e saj, ajo legjitime për të qenë e lirë.
Nuk e di pse gjithnjë në ne ka një arsye të motivuar për sherr. Shpesh kemi të bëjmë me njerëz që i ngjajnë një barre ngarkuar me urrejtje dhe pezëm. Kjo jo krejt një reflektim të asaj gjendje të trazuar, e cila nxiton të gjej një të çarë për të nxjerrë njëherash gjitha bartjen e helmit që është grumbulluar në kohëpaskohje nga një jetë e tëhujatur, se sa edhe si një mënyrë protagonizmi, një trajtëzim i asaj forme të përçudme në syprinën e së cilës pasqyrohen. Për ta nuk ka asnjë sfidë që kërkon të ndeshet me vërshimine e përpjekjes, nuk ka asnjë altar që lyp ti blatohet, s’ka asnjë yshtës që t’i flasi përdhunshëm në zjarrin e një shndërrimi, përveçse era e mbetjes së një gosti sovranësh që i fton në zilepsjen e hujenës.
Atë grua luftëtare, atë Amazonë të kurajshme, e sulmuan siç di të bëjë gjithnjë një masë kokëprerë dhe e ndërkryer e një vërshimi të uturishëm që zbret për të kërkuar prehje. E paragjykuar, e treguar me gisht, e qëlluar me gurë, e anatemuar si një heretike.
E nuk u nginjën së ndërsyeri e së skërmituri, së kafshuari e së shtërzyeri nën peshën e rëndë të vetvetes që duke i vënë përfundi, zë e rrokulliset duke i marrë me vete.
Dhe përballë gjithë kësaj ngrehine të sertë trazimi, ajo i vë faqaz qëndresën dhe mirëkuptimin. Çdo budalliku e kokëkrisje i vuri përballë urtësinë dhe përkorjen. Çdo mllefi dhe paranoje, tërsëllime dhe mrryle e pa dhe e trajtoi si një rivlerësim i trajtës dhe formës së vetvetes ballafaquese. Lirinë i propozon si skapullim çdo skllavërie dhe robërie të nxënë me tharm të prishur.
Kuraja për tu ndeshur është tek ajo motivim për sfidë. Nga një zjarr del në shpuzën e një zemërate hyn. Gjithçka përtej kësaj është një paqe, një ambroz që mëkon, një e zakontë gruaje, nëne, mikeje dhe bashkëpunëtore, që kërkon të fluturojë, në qiellin e saj.
Amazona e …
Si një amazonë, ajo shquhet për shumëçka, ndër ta, cilësitë e një “luftëtareje” të lindur, por përmbi të gjitha personalitetin. Të zgjedhësh se cila/cili do të jesh, ndoshta nuk është dhe aq një dëshirë e rrokshme e një kapaciteti zotërues. Ajo është e tillë, sepse është një përkatësi fati, një e tashme e atij pjalmi, me të cilën është ushqyer, e atij pllenimi të cilin mëkon.
Sinqeriteti i saj është ai i një fëmije. Nën parmendën e kujtimeve ajo është tafti i tokës, është afshi i asaj ndjesie që përtërin gjendjen dhe gjerat. Ikën dhe vjen nëpër skutat e viteve të mbetura pas dhe rikthehet ashtu lozonjare dhe hokatare, e shkujdesur dhe delikate. Kalamendur ndër deriçkat ikanake të viteve, ndërmendet dhe përfshihet, ngjethet e frymëmerr e zoritur, bëhet me turp dhe përflaket.
Nëpër këto përhumbje, sa herë zgjedh të përmendet dhe rizgjohet në rijetimin e gjithçkaje që harrimit i ka shpëtuar nga zhbërja. Zgjedh të jetë çdo gjë që atë e bën të ndjehet Rita, në puls dhe vërshim, në ëndje dhe meditim. Asgjë dhe gjithçka është shumëçka që pranon atë ashtu siç ajo ngulmon të jetë.
Liria tek ajo është e lirë
Pa patur frikë si nga përmasat ashtu edhe nga barra, ajo e rrok me gjithë peshën e adhurimit dhe përkushtueses këtë epje ngadhënjyese blatimesh. Ka zgjedhur të jetë e lirë dhe këtë legjitime ta meritojë. Liria e saj nuk mbërrin asnjëherë nga liria e dikujt tjetër, edhe pse gjithëpoaq ky altar idhujtarishë i ka cunguar zotërimet. Liria siç ajo e jeton është ajo siç ajo e ofron si model, si filozofi. Ndoshta në të është derdhur koncentrati i asaj lirie që ndjehet e lirë në bashkëndarjen e hapsirës me të. Edhe pse i është dashur të shkulë pendët si dëshmi e të qenit zog, ajo gjithnjë ka ditur të fluturojë. Për të liria nuk është e kundërta e robërisë, se sa është nevoja për frymëmarrja në shtresime të epërme. Të lindësh zog dhe të jetosh si zog nuk është domosdo një shkas për ata që hiqen zvarrë të mallkojnë fluturimin si zeje dhe të linçojnë lirinë, si blasfemë.
Rita biznesmene
Barazia gjinore si shtresim i transformimeve të botkuptimit, e mëtuar si detyresë përmes sanksioneve dhe praktikave insistuese ligjore, gjithnjë më është dukur si maska më e shëmuar e modernitetit. Do të ishte naivitet të përjashtoje diskriminimin e gruas, sikurse do ta konsideroja të patolerueshme pranimin si normë të këtij rreziku. Rita është grua, por gjithçka që ajo është, gjithëçfarë që ajo ka arritur, gjithëçmos që ajo synon, nuk kanë patur si stimul apo si ngasës këtë sajesë bajate, pas së cilës struket vullnete të fjetura grash ankimtare, prej të cilës ka përfituar dhe vijojnë turlilloj vetegjimet parazitare.
Rita Petro është një Amazonë. Ajo i atribuon gjithçka vetvetes, duke mos hezituar të jetë mirënjohës çdo mundësie, së cilës ajo i ka lënë dorzanë energjinë e saj të pashtershme, atë prekje alkimisti që shndërron gjithçka në ar.
Rita në këtë shënjim, është pjesëz e asaj panorame suksesi të vajzave dhe grave shqiptare, të cilat kanë ditur të jenë bashkëshorte të përbetuara, nëna të përkushtuara, mike të devotshme, sikurse dhe faktorë konkurues në xhunglën e biznesit shqiptar.
Sinonim i emrin Rita Petro, është “Albas Publishing House”, kontelacion i yjësisë së suksesit në fushën e botimeve shkollore, atyre për fëmijë, artistike dhe shkencore. Si çdo ngjarje tjetër “galaktike” mëton domethënien e kësaj qasje ngulmëtare për të manifestuar në gjithë madhështinë e vet, atë më delikaten, atë më shprehësen, tharmin e kësaj ngjizje, Rita Petron. Pas këtij emri të bujshëm, këtij fenomeni shkundullimash të kijametshme, shpërfaqet realja e poroztë e një gruaje të kurajshme, qëndron e gjithë ajo ngarëndje për të kapur ritmin e kohës. Në themel të kësaj ngasje qëndron një sy kureshtues, një ëndje sqimatare, pulsi i një ritmi të rrëmetshëm, struket ai gurrim llave. Kërkesat gjithnjë në rritje të këtij beznesi e kanë gjetur Ritën dhe bashkëpunëtorët e saj në tehun e valës vërshuese.
Se kush është arritja e saj e deritashme, këtë e tregon kush më mirë se puna dhe publikimet cilësore, përzgjedhja dhe vlerësimi i lëndës dhe përsonaliteteve, të cilët kanë ardhur me logon “Albas” si një vlerë e shtuar e pritshmërive. Ajo ka ditur të jetë dhe të mbetet një Rita, ndryshe nga gjithë ajo masë sipërmarrësesh dhe sipërmarrësish. Beson te bashkëpunëtorët dhe punëmarrësit, siç është vlërësuese dhe mirënjohëse atyre, si pjesë vitale e suksesit, e arritjeve, që dukshëm ajo nuk i konsideron të sajat, por tonat.
Epilog
Rita Petro ndoshta nuk zgjodhi të ishte një Amazonë, por arriti të jetë e tillë çdo ditë dhe çdo copëz të reales, si cilës ajo i përket. Është grua dhe kjo nuk i ka privuar asaj asgjë në realizimin e ëndrrës për të bërë dhe për dhënë, siç di ajo dhe çfarë është obliguese për të. Njerëzorja jeton kaq brishtë me të, me këtë bina emri, nami e fame, me krejtëçfarë ajo është. Dita e saj është një mundësi. Arritjet që mbajnë emrin e saj, janë shumë, shumë përpjekje, gabime, rrëzime, ringitje. Në të nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, por prej thellë, atje ku shkohet nga sytë, zëri i një bote të ndryshtë jehon. Kjo është Rita që njoh unë, Rita te çdo vullnet dhe ëndërr gruaje.
(Albert Vataj, publicist)
Shënohet 22 nëntori, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Për herë të parë një Kuvendi Kombëtar për Gjuhën Shqipe, Manastirliu: Bashkë për të mbrojtur dhe forcuar trashëgiminë tonë gjuhësore
Pse duhet të lexosh? Këto 100 thënie për leximin janë për ty...