PANAIRI I LIBRIT NË PRISHTINË

Rikthehet në Kosovë panairi i librit, edicioni i 22-të do të mbahet nga data 7 deri më 12 qershor në ambientet e Pallatit të Rinisë

Pas dy vjetësh mungesë si pasojë e COVID-19, në Prishtinë po rikthehet Panairi i Librit. Me moton “Libri mbron mendjen”, vjen edicioni i 22-të i kryengjarjes së librit në Kosovë nga data 7 deri më 12 qershor në ambientet e Pallatit të Rinisë. Albas vjen me 40 tituj të rinj librash nga të gjitha kategoritë.

Me moton "Libri mbron mendjen", vjen edicioni i 22-të i kryengjarjes së librit në Kosovë. 


Panairi do të mbahet nga data 7 deri më 12 qershor 2022, në ambientet e Pallatit të Rinisë, organizuar nga Shoqata e Botuesve e Kosovës. 


Ceremonia e hapjes do të bëhet më 7 qershor në orën 12:00. Panairi do të mbyllet më 12 qershor në orën 18:00.  Panairi do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë nga ora 09:00-20:00.


Marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora. SHBK-ja bën të ditur se do të ekspozohet rreth 6,000 mijë tituj librash, prej tyre 2,000 të rinj.


Edhe Shtëpia Botuese Albas do të jetë e pranishme në këtë panair, ku stendës së saj për këtë vit do t’i shtohen 40 tituj të rinj nga të gjitha kategoritë, si për fëmijë, ashtu edhe për të rritur. 


“E veçanta e panairit është se organizohet pas mbylljes totale nga Pandemia. Kjo gjë është shumë e pritur nga botuesit, sepse kanë mundësi t’i paraqesin librat e rinj dhe të kenë kontakt të drejtpërdrejtë me lexuesit”, është shprehur kështu Fatlum Hetemi, drejtues i Albas në Prishtinë.

Foto arkivë 

Panairin pritet ta vizitojnë rreth 40000 vizitorë: studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës. Ky panair përkon edhe me përvjetorë të rëndësishëm që do të shënohen me aktivitete, përkujtime e debate. Do të jenë të pranishëm shkrimtarë ndërkombëtarë e kombëtarë, profesionistë të librit, botues, përkthyes e librarë.


Vetëm Panairi i parë i Librit në Prishtinë është mbajtur mes datave 17 dhe 22 nëntor 1999, për shkak të Luftës së Kosovës, ndërsa të tjerët janë mbajtur në muajin maj ose qershor. Që nga atëherë Panairi ka vazhduar pandërprerë deri më tani. Me kalimin e kohës ky panair është bërë njëra nga ngjarjet më të rëndësishme jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë saj, duke u transformuar në një vend të rëndësishme ku intelektualet dhe njerëzit tjerë promovojnë idenë dhe nevojën për krijimin dhe afirmimin e vlerave të mirëfillta kulturore si dhe për një debat të shëndoshë për librin. 




Nanila Allkja Biçaku 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,461 Lexime
2 vjet më parë