Reflektim mbi librin “Kalendari i ëndrrave të mollës” të autores Natasha Shuteriqi Poroçani
“Kush lexon, mendon më mirë”- Reflektim nga prof.as.dr. Helena Grillo mbi librin “Kalendari i ëndrrave të mollës” të autores Natasha Shuteriqi Poroçani. Teksti shërben si një instrument shumë i mirë dhe i rëndësishëm për mësuesit e parashkollorit dhe ciklit fillor.
Nga Prof.as.dr. Helena Grillo
Universiteti “Aleksander Moisiu” Durrës
Libri “Kalendari i ëndrrave të mollës”, fitues i Panairit të Librit 2022, ka hyrë tashmë në shtëpitë e fëmijëve. Libri i këndshëm është ndërtuar mbi një bashkëbisedim imagjinar të pemës së mollës me fëmijët.
Cilat janë ëndrrat e pemës së mollës që rriten muaj pas muaji brenda trupit të saj, për të shpërthyer pastaj në formë lulesh e kokrrash të ëmbla, të kuqe gjak? Janë frutat e saj, mollët që gëlojnë brenda trupit të pemës që në dimrin e vonë, për të shpërthyer në pranverë.
Këtë moshë biologjike të një peme, autorja e paralelizon me gjithë sa ndodh në jetën e fëmijës.
Libri përbën një instrument praktik për të edukuar te fëmijët aftësinë e bashkëbisedimit si dhe zhvillon te ta të menduarit kritik. Në sajë të strukturës së tij interaktive fëmija merr koncepte të shumëfishta: nëpërmjet rritjes biologjike të pemës së mollës, fëmija mëson atë çka ndodh me natyrën, me trupin e tij, dhe me përditshmërinë e tij në komunitetin ku bën pjesë.
Gjuha e thjeshtë dhe e këndshme e librit, konkurron me modesti gjuhën e fëmijëve dhe mënyrën e tyre të të vështruarit të botës.
Ky tekst, gjithashtu shërben si një instrument shumë i mirë dhe i rëndësishëm për mësuesit e parashkollorit dhe ciklit fillor.
Nëpërmjet tekstit “Kalendari i ëndrrave të mollës” mësuesi:
- duke analizuar mënyrën e komunikimit letrar dhe joletrar të gërshetuar në tekst, identifikon një nga rrugët drejt formimit të tij, dhe në aspektin instrumental të letërsisë për fëmijë në veçanti, nis të orientohet në produktet më të afërta gjuhësore për fëmijërinë e hershme;
- duke analizuar simbolikën e figurës së mollës, si dhe duke vlerësuar personifikimin që sjell dialogimi i saj me fëmijën (si individ social), njeh elemente të stilistikës në aplikim si dhe kategoritë pedagogjike të qasjes së letërsisë për fëmijë, apo kompleksitetin e imagjinatës veçanërisht në lidhje me fëmijërinë e hershme;
- njeh dhe zotëron mjete interpretuese që shikojnë pluralitetin e gjuhëve të letërsisë për fëmijë, për kompleksitetin e të cilave fëmija është ende i pavetëdijshëm;
- duke vlerësuar cilësinë e pyetjeve dialoguese me fëmijën-potencial, di dhe është në gjendje të përdorë dhe të thellohet në mënyrë të pavarur në fushat kryesore praktike të referencës, në fushën pedagogjike dhe psiko-pedagogjike në lidhje me linjat e zhvillimit të fëmijërisë së hershme. Po ashtu bëhet i vetëdijshëm për kryqëzimet që i përkasin narrativës letrare për fëmijë;
- njeh kontributet themelore praktike në marrëdhëniet edukative brenda komunikimit gjuhësor të fëmijërisë së hershme;
- nënteksti dhe gjuha e alegorisë së thjeshtë, ndihmojnë mësuesin të planifikojë shtigje narrative të përqendruara në stilet tipike të aleancës edukative në momentin e rrëfimit: dëgjimi i ndërsjellë i rrëfimit,
- rrëfimi me gojë,
- leximi me zë,
- shikimi i ndjeshëm,
- pranimi i gjuhëve verbale, joverbale dhe ekspresiviteti,
- vëmendja dhe përqendrimi;
- kjo përvojë do ta ndihmojë mësuesin të bëjë zgjedhje të informuara në fushën e produkteve editoriale të letërsisë për fëmijë dhe të orientohet në mënyrë kritike dhe të pavarur në shumëllojshmërinë e degëve të rrëfimeve të propozuara nga media.
Për kaq e jo vetëm jo vetëm për kaq: për një prindërit të mirë bashkëbisedues, “Kalendari” nuk duhet të mungojë në bibliotekat e familjeve.
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Shkolla e mesme profesionale "Kolin Gjoka" në Lezhë prezanton projekte inovative dhe artistike
Magjia e fundvitit vjen në Petrelë me "Christmas Market", më 22 dhjetor
Pse duhet të lexosh? Këto 100 thënie për leximin janë për ty...