“Pse mendon se ti mund të fitosh mbi të tjerët?”
Eseja është shkruar nga Xhavit Matmuja, nxënës i shkollës “Sinan Tafaj”. Ky krijim është përzgjedhur ndër pesë esetë më të mira të realizuara nga nxënësit pjesëmarrës në konkursin “Mësuesi im”.
Që në hapat e parë të shkollës, mësuesi është shembulli që të gjithë përpiqen t’i afrohen sadopak. Mësimet që një nxënës merr nga ai nuk janë thjesht nga ana akademike, por dhe në jetën e përditshme, sepse individi përballet me gjëra që janë të pa përjetuara më parë, por që në mëndje sjellin mësimet që ai merr gjatë viteve shkollore. Këto mësime janë jo të shkruara diku, apo të thëna nga një botues librash shkollor që në një monotoni të përvitshme harron që koha dhe njerëzit ndryshojnë. Ai sjell gjithmonë në vëmendje rregullat dhe problematikat që nxjerrin në pah të gjitha aftësitë e një nxënësi, por mësuesi tregon për vlerat dhe rëndësinë e tyre në jetë dhe në punë.
Admirimi im për mësuesit që kam hasur ka qenë i madh, por vetëm një ka arritur që të fitojë të gjithë autoritetin dhe dashamirësinë time. Në muajt e parë në të cilët u vendosën kontaktet e para me të ishin shumë intensivë dhe shumë frytdhënëse. Për herë të parë filloi të më lindte interesi mbi letërsinë, sepse deri në ato momente e kisha etiketuar si një lëndë mësimore e cila nuk do të më sillte ndonjë dobi.
Mënyra se si ai i përdorte të gjitha njohuritë apo ngjarjet e tij ndonjëherë dhe tepër personale, bënë që të fitoja një dashamirësi për letërsinë por mbi të gjitha për mësuesin. Ai falte gjithmonë të njëjtin respekt dhe dashamirësi ndaj çdokujt dhe thuajse gjithmonë ai merrte dhe nga përsonat më negativë një respekt reciprok, sepse ai kështu ishte gatuar. Mund ta quanin dhe të marrë që i besonte një fëmije gjëra që mund të quheshin tejet të rëndësishme për dikë tjetër, por ai vlerësonte gjithkënd jo se ishte një mendjelehtë, por sepse gjithmonë arrinte të nxirrte më të mirën në pah tek çdo person. Mendimet që ai kishte për njerëzit nuk ndikoheshin nga e kaluara, por te ajo që ata sillnin tek ai, pra vlerësonte personin dhe jo historinë e tij.
Çdo njeri mund të ndryshojë thoshte shpesh ai. Mos e gjyko kurrë dikë pa ditur të dyja anët e medaljes, sepse rezultati final mund të sjellë ndryshim të madh në histori dhe gabimi më i vogël mund të jetë fatal për dikë tjetër. Shikojeni botën sikur një nënë sheh fëmijën e saj. Përpjekjet e tij për të tjerët nuk ishin për përfitime personale, por për zhvillimin e një gjenerate që më vonë do t’i mësonte fëmijëve të tij. Si çdo mësues përpiqej që t'i përçonte nxënësve të gjitha idetë e tij por ai bënte më shumë se aq, ai falte gjithë qenien e tij vetëm që një nxënës të mos dilte nga ora e shenjtë siç e quante ai orën e letërsisë pa përftuar diçka. Kjo mënyrë ishte e paprovuar më parë nga shumica e nxënësve dhe bëri që rritja në letërsi të ishte e dukshme.
Ndodhi rastësisht, në një moment kur atij nuk i kishin ngelur më shumë se dy paragrafë për të shpjeguar thërret emrin tim dhe më drejton një pyetje sa të lehtë por dhe shumë domethënëse. “Pse mendon se ti mund të fitosh mbi të tjerët?” Unë i hipnotizuar nga pyetja, sepse lidhja që ajo kishte me mësimin ishte goxha mikroskopike dhe i përgjigjem si një fëmijë që kishte shumë për të parë e mësuar. “Sepse aftësia ime për t’i manipuluar njerëzit për përfitime vetjake është shumë e madhe”. Mund të duket dhe si një vetëvlerësim i lartë për moshën, por në ato momente doja që të bëja sa më shumë përshtypje në syrin e tij, kështu unë të mund të kisha një shans për t’i shprehur mësuesit sesa kapacitet kisha për t’i kuptuar mësimet e tij dhe t'i vija në zbatim.
Mendimi im ishte krejtësisht i gabuar, sepse ajo që unë shpreha nuk i afrohej aspak përgjigjes së saktë në qoftë se do të kishte një të tillë. Me dashamirësinë më të madhe që mund të kisha parë, apo dëgjuar ai tha: “Ti nuk mundesh të fitosh mbi të tjerët, sepse te tjerët do të duan të të binden ty”.
Ajo frazë akoma nuk më shqitet nga mëndja sepse deri më sot gjithçka që kam arritur ose synoj të arrij e mbështes mbi atë frazë, mbi atë person, që në jetën time ka qenë tejet vendimtar. Fjalët apo veprat e shumta që ka shprehur karshi meje kanë qenë si një udhërrëfyes që nuk njeh kohë apo limit përdorimi, por sjell vetëm të mira. Aftësitë e tij sot e kësaj dite jetojnë tek unë jo si një kujtim i një periudhe të kaluar në jetë, por si një dritare të sigurt drejt së ardhmes, sigurisht duke i buzëqeshur me dashuri të shkuarës.
(Xhavit Matmuja, shkolla: “Sinan Tafaj”, klasa: 11-5)
Analizë e veprës “I Huaji”, Albert Kamy
Vjersha për fëmijët e arsimit fillor
Fëmijëria, koha më e bukur që më është falur