“Premtimi", nga Rajmonda Qose

“Premtimi", është shkrimi letrar i Rajmonda Qose, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.

Pasionin për lëndën e leximit dhe dëshirën për t'u bërë mësuese e kësaj lënde, ma ushqyen mësueset e mia të mrekullueshme të leximit, të arsimit 8-vjeçar dhe të mesëm, për nga mënyra e interpretimit plot patos e teksteve letrare, zelli dhe humanizmi që përcollën tek unë, qysh kur isha vetë një nxënëse. Pikërisht asaj kohe fillova të shkruaja dhe poezitë e mia të para. Teksa unë rritesha, edhe brenda meje rritej ëndrra për t'u bërë mësuese. 


Gjatë rrugëtimit si mësuese kam hasur edhe vështirësi e problematika të ndryshme, por falë pasionit, dëshirës, këmbënguljes e bashkëpunimit ia kam dalë mbanë.


Ndoshta një arsye kyç është edhe të qenët mësuese e lëndës së gjuhës dhe leximit, pasi trajtimi i temave të ndryshme në orët e leximit më kanë dhënë mundësinë e njohjes akoma më mirë të botës së fëmijëve, duke qenë sa më pranë brendësisë së situatave të ndryshme, që ata hasin në marrëdhëniet familjare, ekonomike dhe shoqërore; dëshirat dhe ëndrrat e tyre.


Parimi im gjatë mësimdhënies ka qenë gjithmonë për liri të mendimit e të fjalës, që nxënësit të mos ngurrojnë të shprehin mendimin e tyre, mos të ndrydhen, pasi pezmatimi dhe ndrojtja ngrenë barriera për të ardhmen e tyre në fushat e jetës. 


Të jesh mësuese nuk është një punë e lehtë, por është një punë e bukur, se botën e sheh me sytë e fëmijëve, ku ëndrrat nuk shterojnë dhe kanë ngjyrat e ylberit.


Që të jesh mësues/e duhet të kesh zemër të madhe dhe shumë durim, duke dhënë shembullin më të mirë të mundshëm nga vetja. Fëmijët bëhen pjesë e pandarë e jetës, ndaj dhe nxënësve të mi gjithmonë ua përsëris, se në shkollë jemi një familje e madhe dhe duhet t'i gjendemi pranë njëri-tjetrit në çfarëdo lloj situate.


Kjo ngjarje që po ju rrëfej më ka ndodhur shumë vite më parë, në fillimet e punës sime si mësuese. Ishin ditët e fundit të vitit shkollor dhe temat e mësimit thuajse i kishim përfunduar.


Meqenëse ishim në orën e leximit dhe pushimet po afronin, u jap nxënësve detyrën me temë "Ku mendoni t'i kaloni pushimet verore ?", ndërkohë u ula në tavolinën time të punës për të korrigjuar ca teste. 


Pas disa minutash shikoj se shumica prej tyre e kishin përfunduar detyrën dhe po pëshpëritnin me njëri-tjetrin.


Filloj t'i ngre me radhë për të lexuar detyrën. I pari u ngrit K., djali më i shkathët i klasës. Ai u shpreh plot entuziazëm se do të shkonte te daja në Durrës. Pas tij lexoi S., vajza me flokë të gjatë gështenjë dhe fytyrë të imët. Ajo tha se do të shkonte te motra e saj që ishte e martuar në Divjakë, ndërsa L., një vajzë paksa e ndrojtur, me fytyrë të rrumbullakët e sy plot dritë, kishte dëshirë të shkonte në plazh, se nuk e kishte parë asnjëherë detin. Pas saj u ngrit vajza më gazmore e klasës, që nuk mërzitej asnjëherë. M. tha se e ëma ishte e sëmurë dhe do ta ndihmonte me punët e shtëpisë, ndaj nuk do shkonte gjetiu. Pastaj erdhi radha e E., vajzës me flokët kaçurrelë e sytë e kaltër, që kishte rezultatet më të larta në klasë. Me sytë e përlotur tha se do të shkonte me nënën dhe motrën e saj në Greqi, tek i ati.


"Ndonëse nuk kam dëshirë të largohem nga vendi im, gjyshërit e mi, shokët, shoqet, e as nga ju mësuese, jam e detyruar të shkoj, se këtu nuk kemi të ardhura të mjaftueshme për të jetuar e për t'u shkolluar”, dhe lotët i rrodhën në faqe. Pastaj me gjysmë zëri vazhdoi: “ Të premtoj, mësuese, që sapo të jemi më mirë ekonomikisht, unë do të kthehem përsëri, se dua të bëhem mjeke dhe studimet e larta do t’i vazhdoj këtu, në vendin tim, ku kam një pjesë të shpirtit."


M'u mblodh një lëmsh në fyt dhe ndonëse nuk doja ta jepja veten, sytë m'u mbushën me lot.


I afrohem pranë për ta qetësuar e për t'i dhënë kurajë. I kaloj dorën mbi flokë dhe i them, se ne jemi si farat që nga të na çojë era, mbijmë. E rëndësishme është se në tokën ku do të mbijmë, të rritemi si lastarë të fortë dhe kurrë të mos harrojmë rrënjët e trungut të pemës së madhe shekullore nga e kemi prejardhjen, duke ruajtur gjuhën tonë të bukur shqipe, traditat dhe zakonet.


Meqenëse kishim ende minuta në dispozicion, u them nxënësve që të shkruanin në një fletë kujtimin më të bukur që kishin kaluar me E.


Hija e trishtë që pak minuta më parë is kishte mbuluar fytyrën bardhoshe, iu fashit si me magji teksa lëvizte kokën sa majtas-djathtas duke parë sesi shokët e shoqet e saj nxitonin që t'i dhuronim ca çaste të bukura, që do ta shoqëronin në vazhdimin e udhës së jetës drejt një toke tjetër.


 Këto copëza kujtimesh nga shoqet e shokët e klasës, si dhe përqafimi i ngrohtë, ishin buqeta e përcjelljes që ajo mori me vete për të mos na harruar dhe të mbante të ndezur zjarrin e mallit.


Pas disa vitesh, kur edhe te ne kishin mbërritur telefonat celularë, më vjen një mesazh nga E.


"E dashur mësuese, 

Unë e mbajta premtimin. Tani jam mjeke dhe kam shumë dëshirë t'ju takoj".


Oh, sa u lumturova! Ajo ia kishte dalë mbanë duke e mbajtur premtimin e dhënë.


Kjo është kënaqësia dhe emocioni që të fal puna e mësueses, se nuk përcjell vetëm dije te brezat, por kultivon edhe vlera njerëzore, dashurinë për vendin dhe kontributin që duhet të japë gjithsecili, që e ardhmja të jetë më e bukur në Atdhe.



Rajmonda Qose 


Rajmonda Qose, u lind në qytetin e Kuçovës. Ka kryer studimet e larta për gjuhë shqipe dhe letërsi në Universitetin "Aleksandër Xhuvani", Elbasan. Ka mbrojtur në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, në Tiranë, gjuhët: anglisht, frëngjisht dhe italisht. Punon si mësuese prej 23 vitesh në qytetin e Beratit. Poezia e ka shoqëruar përgjatë gjithë rrugëtimit të jetës së saj. Pozitë i dërgonte në programet e radios dhe në gazetat e asaj kohe, si: "Zëri i Rinisë", "Drita" etj. Pas një periudhe shkëputjeje nga krijimtaria për shkak të angazhimeve familjare, e rifillon sërish më fuqishëm duke botuar poezitë e saj në gazeta e revista letrare, si: gazeta "Destinacion", gazeta "Ciceroni", gazeta "Nacional", gazeta "News Albania", gazeta "Dritare", gazeta "Qendra Press", revista "Mirdita", revista "Dardania", revista "Shqipëria natyrale", revista "Fjala", revista "ILLZ", revista "Nositi", revista "Obelisk", revista "Dituria" etj. Është bashkautore me poezitë e saj edhe në Antologjinë letrare "Kuçova-Unicef", Antologjinë "Dua të flas me lule", Antologjinë "Poezia nuk njeh kufi", antologjinë "Ora e Pavarësisë", antologjinë "Sofra poetike Boras 2023" në Suedi, Antologjinë Botërore "OPA Anthology of Poetry 2023", ku u përzgjodhën poezi prej 100 poetëve nga e gjithë bota, Antologjinë e Poeteshave Shqiptare etj. Ka fituar çmimin e tretë në Klinë-Kosovë, në konkursin letrar "Ora e Tahir Deskut"; çmimin e dytë në Kuçovë, në konkursin "Për ty, Kuçovë fisnike" dhe ka marrë pjesë në shumë konkurse me poezi duke u vlerësuar me certifikata mirënjohje e falënderimi. Ka qenë e ftuar në emisione radiofonike, ku ka prezantuar krijimtarinë e saj. Ka botuar dy libra me poezi: "Mos u dorëzo!" dhe "Harrojmë të puthim vesën”. Është duke punuar me librin e saj të tretë me tregime për fëmijë.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

16,841 Lexime
1 vit më parë