Poezi

Poezia për nxënësin tim të talentuar, që do të niset në emigrim...

Poezi nga mësuesi Selim Tahiri për nxënësin e tij i cili edhe pse me shumë talente në disa fusha, pas diplomimit detyrohet të largohet nga Kosova.

Edhe Gentriti...


Kur vargjet e Fishtës i recitoje me zjarr

Muret e bankat dridheshin në klasë;

"Ma mirë n’vorr me u kja për mall

Se me nejt nër shkja për t’gjallë’’.


Kur shkolla festonte ditën e saj

Ëmbël i këndoje Besimit tonë;

“Qëlloi shkaun mu në ballë

Armën kurrë tha s’e dorëzoj”.


Kur mbaheshin garat për aktorë

çmime të para gjithmonë ke marrë;

“Pisbuki, me axhen, gjinen i bani hor

Me hi po hinë, po s’po dinë me dal’’.


Talent për recitim, këndim e aktrim

Por as mësimin s'e le pasdore, 

I lumturove prindërit, i mbushe gëzim,

Atë ditë kur ti u diplomove. 


Pastaj u punësove menjëherë

Këmisha e bardhë të kishte hije: 

"Urdhëroni! Mirë se na erdhët! 

Jeni për ushqim apo për pije? ”. 


Si gjithë të tjerëve me mirësjellje

Edhe mua më shërbeje; 

“Ulu prof! Pije një kafe! 

Në shenjë respekti, e ke prej meje”.


Sot, në restorantin me lule shumë

Kafenë ma solli një tjetër kamerier

Më tha, “Nxënësi yt, më s’punon këtu,

Të shtunën niset për kurbet…”.

Nga Selim Tahiri 

© Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,672 Lexime
2 vjet më parë