Poezi dhe ese me temë atdhetare nga Adelina Qarkaj
Mësimdhënësja Adelina Qarkaj nga SHFMU "Migjeni" ka përgatitur një poezi dhe një ese me temë atdhetare.
Unë thirra Kosovë, unë thirra Shqipni
Edhe kur plumbat m'i diktonin shkronjat
unë zgjodha të ecë nëpër rrugët tua,
me copat e tyre luaja anagram fjalësh
mësohesha të shkruaja emrin tënd,
në gjumë përpëlitesha duke të thirrë Kosovë...
edhe kur ma shuan gazin
më vjedhën fëmijërinë e më vranë kujtimet
Abetaren ma djegën shkrumb,
shkronjat e mësuara m'i hodhën përdhe
më dëbuan e më shanë,
nga ankthet e natës u zgjova duke thirrë Kosovë, duke thirrë Shqipëri...
Edhe kur fëmijë isha, veç fëmijë s'qeshë
në vend të qirinjve gaca fryva për dëshirë,
gacat e çatisë që digjej para syve t'mi...
gaca zemre për ty, për një grimë liri
prapë të ndjeva ty Kosovë
e mornica malli e frike m’ngjethnin mishtë...
e pyeta babën ç’do të thotë Kosovë?
e ai me fytyrën plot flakë kohësh m'u përgjigj:
Kosova është familje e vrarë e larë në pellgje gjaku, bashkë me fëmijët që shkojnë këmbadoras;
Kosova është lot i nanës që s'dinë fikur, sofër e mbetur braktisur, e fëmijë rritur pa njohur aromën e babës t'vet...!
Kosova është gëzim,
përhumbje ndjenjash...
në sytë e fëmijëve
e atyre që e përjetojnë e dojnë Pavarësinë qoftë duke e dëgjuar si emër...!
Kosova është ëndërr
lot, shpresë, gëzim,
gjak pellgjesh, ujitës lirie, mbi të gjitha,
Kosova është gjaku jem që nuk falet.
Mos ma vjedh atdheun, kthema fëmijërinë
E kush më mirë se unë ta njeh plagën qindravjeçare Çamëri!?
Kush më mirë se unë është përkundë nëpër vuajtjen tënde? Në lumin e dalldisur që rrjedh prej tokës sate të djegur prej malllit kam marrë pak ujë t'i fik flakët e shtëpive, flakët e zemrave, të ujis dheun tënd e dheun tim të vjedhur prej kohësh...!!!
Prej kohësh jam veç ëndërr, jam lot i tharë në siluetën fytyrë, jam rrudhë e ngritur prej robërisë...!!!
Heu a ka dhimbje më djegëse se me ta vjedhë Atdheun, me ta vjedhë lirinë? Me ta vjedhë atdheun domethënë me t'i vjedhë ëndrrat, fëmijërinë, rrënjët e shpresën, me ta vjedhë Atdheun domethënë me ta djeg para syve pragun e abetaren, me t'lënë të huaj në tokën tënde andaj sot unë qaj për ty Çamëri, qava edhe dje e kam me qajtë derisa t'pikon gjaku prej syve të djegur për ty....!!!
Vuaj me ty Çamëri, qaj me ty motër Çame, por si ju jam e pakulm e pashtëpi, e ndjekur e sharë, prej kohës kur luaja me litar e gjer sot kur shkruaj për dhimbjen tënde...!!!
Çamëri të ndiej në çdo arterie timen, atje te ti s'kam varre gjyshërish, as plis e urë Ibri s’kam, por kam diçka më shumë atje, një gjak që flet shqip një gjuhë që s'përlyhet edhe këndej nga veriu ku në vend të aromës së blinit, e freskut të Ibrit kam thithë erën e tymit, e të barutit, por sot e mot do qajmë bashkë shqip e do të qeshim shqip.
Le të na vrasin, le të na shajnë, le të na ndjekin...por le ta dinë se s'mund ta shkulin zemrën nga gjoksi, as rrënjët tona s'do t'i shkulin, se kanë mbi miliona trëndafil Çamërie derisa ata kanë hedhë farën e therrës së vet. Unë do të thërras ty, forcë e krenari, përtej largësive tua e pastaj do të ulem në një skaj të urës sime të gjembosur nga telat e do të thërras veç liri këndej nga veriu nga atdheu im i vjedhur...!!!
Çamëri, bashkë me atdheun tim të vjedhur prej kohësh (Mitrovicën) hidhe vallen e krenarisë, se ne do të flasim e punojmë sot që ju një ditë të flisni guximshëm t'i bëni të fala pushtuesve hijerëndë e gjakpirës, t'i thuani lirona tokat tona, se shqip flet veç shqiptari se pragu i shpisë sime s'ju falet e atdheu im kurrë s'bëhet i juaji.
Nga: Adelina Qarkaj, mësimdhënëse në SHFMU “Migjeni”, Mitrovicë
Përgatiti: Era Baliu, gazetare përgjegjëse e Portalit Shkollor Albas për Kosovën
©Portali Shkollor– Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Analizë e veprës “I Huaji”, Albert Kamy
Vjersha për fëmijët e arsimit fillor
“Manushaqja”, tregim nga Iriana Papamihali