Për 2023? Më shumë Rita Petro, Mimoza Ahmeti, Helena Kadare në çdo grua e në çdo burrë, sidomos
Për këtë Vit të Ri 2023, do të ishte e mrekullueshme që te çdo grua, por edhe te çdo burrë sidomos, të kishte shumë nga Rita Petro, Mimoza Ahmeti, apo Helena Kadare. Nga çlirimi, paqja, poezia dhe proza që sjellin ato. Shkrim nga gazetarja Alba Malltezi.
Provoni të ulni zërin e televizorit dhe të bëni një kalim me telekomandë nga një kanal televiziv në tjetrin. Sidomos në mbrëmje. Atëherë kur mendimtarë të ndryshëm të vendit intervistohen nga gazetarë të njohur, me eksperiencë të gjatë. Mos dëgjoni se çfarë thonë, qofshin të ftuarit politikanë, gazetarë, sociologë, specialistë të fushave të ndryshme, vetëm vëreni gjestet që bëjnë disa prej tyre. Dhe mimikën.
Është interesante të shohësh format shpërthyese të mimikave dhe lëvizjet e mëdha të duarve, përtej atyre të natyrshmeve. Dikush i ngre ato lart, si deri në qiell, sikur kërkon ta stërmadhojë imazhin, një tjetër, krijon plastika të shumta në krahasim me fjalët që thotë: çdo muskul i fytyrës është tepër i lëvizshëm, gati-gati të shkojë në drejtim të kundërt me vendin ku ndodhet, duke krijuar, në më të paktat e sekondave, imazhe alla Francis Bacon. Por çka spikat më shumë, është ngurtësimi: në pozicion e në fjalë dhe mbyllja, tkurrja, vetëmbrojtja dhe sulmi ndaj kujt është përballë.
Njerëzit e televizioneve, qofshin ata politikanë, profesionistë, gazetarë, janë më të ekspozuarit. Në një farë mënyre, ata janë fasada jonë. Ata janë si fasadat e pallateve tona të viteve të para pas demokracisë, që nisën të ndryshojnë, të transformohen, të zmadhohen e shtohen. Nisën të shpërthejnë nga trysnia e hapësirës së vogël ku kyçeshin ëndrra çiftesh, të vegjlish e të moshuarish; familjesh me dy apo më shumë kurora në pak metra katrorë, dhe me një banjë të vetme.
Nëpër televizione, qëndrimet nëpër kolltukë, karrige, tavolina janë të ngërçta, vetullat të ngrysura; veprimet, sikur të jenë shpata, shtiza, topuzë, çekanë që kundërshtarin duan të qëllojnë si në betejat më të ashpra. Të ashpër edhe kur nuk ka kundërshtarë. Edhe pa zë, figurat tona nëpër ekrane janë përherë shumë të zhurmshme. Por ndryshe nga çdo furtunë “e llahtarshme” në çdo oqean, kurrë nuk qetësohen më pas, kurrë nuk arrijnë paqen e ndërthurjes së të ndryshmeve dhe të kundërtave. Në 30 vite mbeten ashtu, si të ishin dallgë të larta, të gdhendura, të ngrira, pa arritur dot të bien, të dorëzohen në breg si çdo dallgë. Apo si një brumë që nuk vjen kurrë, me gjithë tharmin e hedhur nga gatonjësja.
Pastaj shikoni Rita Petron, poeteshën, shkrimtaren tonë. Duart e saj hapen drejt dëgjuesit, trupi qëndron në paqe me veten dhe me të tjerët, përherë e më shumë, nga viti në vit. Ngrijeni zërin e televizorit, apo të celularit tuaj nëse shihni në youtube, për të dëgjuar dhe zërin e saj: është një vibracion i duhur, i qetë, i këndshëm, i buzëqeshur, edhe kur flet për dhimbje, për tension.
Pastaj lexoni disa nga krijimet e saj. Niseni me “Vrimën” që “turpëroi” një shoqëri që nuk dinte, që nuk ishte lejuar, që nuk kishte parë, që kishte vetëm pësuar pa bërë fjalë. Të njëjtën gjë dhe me librin e saj të fundit: “Lindur së prapthi”, i thanë, por në të vërtetë, edhe së prapthi mund të gjesh rrugën, të shohësh dritën, të shijosh lirinë, të shkruash poezinë e të ndihmosh çlirimin dhe lëngëzimin e shpirtrave. Të njëjtën ndjenjë do të përjetoni me një tjetër poeteshë tonën, me Mimoza Ahmetin, apo me një tjetër shkrimtare, Helena Kadarenë. Përbërja e tyre është si e një brumi të bardhë, të butë, të ardhur. Pavarësisht temave që trajtojnë, ato mbeten Qendra.
Gjërat dhe njerëzit vijnë në kohën e duhur, për të bërë të duhurën, ndaj për këtë Vit të Ri 2023, do të ishte e mrekullueshme që te çdo grua, por edhe te çdo burrë sidomos, të kishte shumë nga Rita Petro, Mimoza Ahmeti, apo Helena Kadare. Nga çlirimi, paqja, poezia dhe proza që sjellin ato.
Modestish, si përvit, një urim nga "Periferi", kjo rubrikë e imja në këtë këndth të Shqiptarja.com, nga ku vëzhgoj, dëgjoj me dëshirën e madhe që edhe unë vetë përvit të ndryshoj, të përmirësohem, të dashuroj, të kritikoj, por kurrë, të ofendoj. Gëzuar!
Nga Alba Malltezi, gazetare
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
“Litar të kambanës” nga Myrto Hysaj
Shënohet 22 nëntori, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Artistët shqiptarë të periudhës së Pavarësisë