Profil

Pasionet e nxënëses Aria Kërraj

Aria është një vajzë e vogël nga Durrësi dhe është 7 vjeç. Ajo mbaroi klasën e parë me rezultate të shkëlqyera. Tani është në klasën e dytë. Aria na thotë që është shumë e lumtur që po ndan pasionet e saj me ne.

Si çdo vajzë e moshës së saj ajo ka shumë dëshirë të luajë dhe të vrapojë me vëllanë e saj Arti dhe me shoqet. Gjatë pushimeve verore ajo i kalon në plazh, sepse nuk mund të rrijë dot larg detit. Aria noton dhe vetëm noton nën rrezet e diellit dhe luan me valët e detit blu. Ndoshta prandaj i ka sytë blu si deti dhe flokët e verdha si dielli.


Dita e Arias


Përparësi për Arian gjatë vitit janë mësimet dhe detyrat të cilat përpiqet mos ti lerë pas dore asnjëherë. Shkolla i pëlqen shumë, sepse atje ajo ka shokët dhe shoqet e klasës që i do shumë. Ndonjëherë ka patur edhe ndonjë zënkë të vogël, por që ka kaluar shpejt. Mësueset i ka shumë të mira dhe i dëgjon me vëmendje. Ushqimin e merr nga shtëpia, sepse mami i saj kujdeset për shëndetin e dy fëmijëve. 

Pas mësimit, Aria bën një shëtitje buzë detit bashkë me gjyshen e saj, e cila e shoqëron kur prindërit janë të zënë me punë. Mami i saj është arkitekte dhe Arias i pëlqen shumë, kur i tregon kombinimet e ngjyrave, mobilimet e mjediseve të ndryshme etj.

Pasi çlodhet pak nga dita në shkollë, ulet të bëjë detyrat. Në fillim lexon mësimin në libër dhe pastaj bën detyrat me kujdesin më të madh, sepse në klasën e parë ka shumë rëndësi shkrimi, thotë Aria. Asaj i pëlqen shumë, kur në bërjen e detyrave përfshihet edhe vizatimi, ngjyrosja, p.sh: kur ka ilustrimet e përrallave dhe tregimeve, kjo është pjesa e saj e preferuar. Nuk ngrihet nga tavolina pa i mbaruar të gjitha detyrat. Në fund bën çantën gati për ditën e nesërme dhe e ndjen veten shumë të lehtësuar. Pasditen e ka të zënë me kurset që ndjek. 


Koha e lirë


Kur nuk ka kurs Aria luan me vëllanë e vogël që e do shumë edhe pse ndonjëherë kanë zënka mes tyre. Pasditja dhe mbrëmja janë shumë të bukura për Arian, sepse bashkë me prindërit ata luajnë. Vizaton për vete edhe për vëllanë kur ai kërkon ndonjë ndihmë nga Aria. Luan edhe në piano në shtëpi kur studion dhe ka publikun më të mirë në botë, prindërit dhe vëllanë e saj. Shpesh bëjnë edhe karaoke ku secili, përfshi këtu edhe prindërit, këndon këngën e preferuar, duke kënduar të gjithë bashkë. Aria ka edhe një mikrofon që i pëlqen shumë. Ashtu nën tingujt e muzikës në sfond, Aria dhe vëllai i saj shkojnë në dhomën e tyre të qetë dhe sytë ju mbyllen menjëherë.

Pasionet e Arias


Prindërit e mbështesin Arian në çdo hap që hedh. Asaj i pëlqen shumë të pikturojë, të këndojë, të kërcejë, të luajë në piano, të notojë. Ndjek kursin për piano dhe balet për të përmirësuar teknikat e ndryshme. Asaj i pëlqejnë shumë këngët e vjetra italiane dhe njërën e ka regjistruar në radio. Kishte shumë emocione, por i jepte kurajo mami që qëndronte pranë saj. 

Ka dalë edhe në skenë duke kërcyer dhe përpara saj kishte shumë spektatorë, gjë që ja bënte zemrën t’i rrihte më shpejt. Tani Aria është mësuar me skenën.

Aria i do shumë kafshët dhe mërzitet shumë kur dikush i keqtrajton. Bashkë me familjen e saj ka vizituar vende ku ka shumë kafshë. Mban mend kur ishte e vogël prindërit i sollën një lepur dhe një breshkë. Ka edhe një peshk në akuarium. 

Nga Iriana Papamihali

Artiste, mësimdhënëse, autore teksteve shkollore


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

989 Lexime
2 vjet më parë