Panairi i 21 i Librit, aktivitetet që u mbajtën në stendën e “Albas”
Edicioni i 21 i Panairit të Librit “Tirana 2018” përfundoi, duke tejkaluar çdo pritshmëri të botuesve. Në stendën e Shtëpisë Botuese “Albas”, çdo titull i ri u promovua në prani të: botuesve, përkthyesve, redaktorëve dhe autorëve.
Edicioni i 21 i Panairit të Librit “Tirana 2018” përfundoi, duke tejkaluar çdo pritshmëri të botuesve. Në fakt, gjatë këtyre ditëve dedikuar librit, përveç titujve të rinj e çmimeve të leverdishme, një arsye që i solli shqiptarët në Pallatin e Kongreseve, ishin autorët. Botuesit, përkthyesit, autorët… janë njerëzit më të dashur për lexuesit e vërtetë, por kur ata blejnë librin, e takojnë shkrimtarin, ndajnë një bisedë me të, marrin autograf dhe shkrepin një fotografi, kënaqësia është e dyfishtë.
Në stendën e Shtëpisë Botuese “Albas”, çdo titull i ri u promovua në prani të atyre që i janë dedikuar librit: botuesve, përkthyesve, kryeredaktorëve e redaktorëve, dhe padyshim autorëve. Emmanuelle Favier, autorja franceze erdhi në Shqipëri enkas për Panairin e Librit, për të takuar lexuesit e saj, e për të marrë përshtypjet e tyre lidhur me romanin “Guximi që u duhet lumenjve”. Ajo qëndroi për disa orë në stendën e “Albas”, dhe ajo që i bëri më shumë përshtypje ishin lexuesit, që jo vetëm e njihnin, por kërkonin të bisedonin me të në gjuhën frënge.
Primo Shllaku, solli në shqip për këtë edicion të Panairit të Librit “Lulet e së keqes” nga Charles Baudelaire dhe “Metamorfoza” e Franz Kafkës. I pranishëm në stëndën e “Albas”, Primo Shllaku rrëfeu kohën e gjatë dhë përjetimet e këtyre dy përkthimeve.
“Një mal diamanti”, “Parqet Kombëtare”, “Mëkatet e zonjës Ema”, “Xhim Morrison dhe Kerol”, “Frederik Rreshpja”, por edhe shumë tituj të tjerë u promovuan në stendën e “Albas” gjatë pesë ditëve të Panairit të Librit.
Qershia mbi tortë ishin aktivitetet për fëmijë. Sikurse dihet tashmë, “Albas” i ka mjaft përzemër vogëlushët, dhe jo vetëm i ka përkëdhelur me shumë tituj të rinj dhe botime cilësore, por gjatë ditëve të Panairit, aktivitetet dedikuar fëmijëve ishin të shumta. Seria “Më quajnë…” u pasurua me tituj të rinj, klasikët për fëmijë dhe të rritur zinin vend të rëndësishëm në stendë, “Fabulat e Ezopit”, apo libri i fundit i Mark Twain “Rrëmbimi i Princit Oleomargarin” tashmë ndodhen në bibliotekat e vogëlushëve…
(Portali Shkollor)
113 vite më parë u çel e para shkollë e mesme shqipe, "Normalja e Elbasanit"
Si të dekorojmë shtëpinë për festat e fundvitit?
Libri, miku më i mirë i nxënësve të shkollës “Gustav Majer”