Panairi “10 Dallëndyshet e Rajonit”, përcjellja tek nxënësit e traditave dhe vlerave më të mira qytetare
Panairi i Artit dhe Zejeve i organizuar nga institucionet arsimore në varësi të DRAP Lezhë u mbajt njëkohësisht në sheshet kryesore të dhjetë qyteteve: Lezhë, Kurbin, Mirditë, Shkodër, Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Pukë, Kukës, Has dhe Tropojë. Morën pjesë nxënës nga rreth 200 shkolla 9 vjeçare dhe të mesme.
Panairi i Artit dhe Zejeve i organizuar nga institucionet arsimore në varësi të Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar Lezhë i quajtur ‘10 Dallëndyshet e Rajonit’ u organizua njëkohësisht në sheshet kryesore të 10 qyteteve: Lezhë, Kurbin, Mirditë, Shkodër, Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Pukë, Kukës, Has dhe Tropojë.
Në 10 panairet simulantë morën pjesë nxënës nga rreth 200 shkolla 9 vjeçare dhe të mesme nga gjithë Shqipëria. Në panairin kryesor të zhvilluar në Lezhë është bërë edhe një lidhje e drejtpërdrejtë nëpërmjet një ekrani të madh, me të gjitha panairet njëkohësisht.
Nxënësit, të cilët janë pjesë e Shkollave Qendër Komunitare, prezantuan punimet tradicionale në varësi të zonës së tyre kostume zonale, qilima të punuar me tezgjahë; punimet me penj, shtiza, grepa, punime me argjilë, prodhime instrumentesh muzikore.
Disa prej punimeve nxënësit i bënë në ambientet e panairit si thurje qilimash, punim centro apo me shtiza, punime balte, etj. të ndihmuar nga mësuesit, prindërit apo artizanët profesionistë.
Këto panaire i kanë ndjekur në lidhje të drejtpërdrejtë nga panairin kryesor i Lezhës edhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, Kryetari i Bashkisë Lezhë Pjerrin Ndreu, drejtues të institucioneve arsimore, mësues, nxënës dhe prindër, si dhe sipërmarrës të ndryshëm, të cilët ishin ftuar në këtë aktivitet nën sloganin “Bujaria nuk të varfëron”, për të mbështetur nxënësit me bazë materiale dhe blerje produktesh me qëllim kontribut në bamirësi.
Një risi e këtij aktiviteti ishin edhe punimet e fëmijëve afganë. Të ardhurat e të këtyre 10 panaireve do të shkojnë në mbështetje të fëmijëve ukrainas që kanë ardhur në Shqipëri për shkak të luftës.
Ministrja Kushi në fjalën e saj theksoi se fëmijët kanë treguar kreativitetin dhe pasionin e tyre në çdo punim që kanë bërë në kuadër të programit tonë të madh “Shkolla Qendër Komunitare”.
Kushi falënderoi nxënësit ‘duarartë’, për solidaritetin me fëmijët afganë, pjesëmarrës në këtë panair, si dhe fëmijët ukrainas që kanë ardhur në Shqipëri për shkak të luftës, pasi të ardhurat e siguruara nga punimet e ekspozuara në këtë panair do të shkojnë në mbështetje të tyre.
Gjithashtu ministrja shprehu falënderime edhe për prindërit që i kanë mbështetur fëmijët e tyre në këto punime që përcjellin vlerat më të mira tradicionale dhe të qytetarisë.
“Këto projekte nuk do ishin kaq të bukura, kjo atmosferë nuk do ishte kaq e bukur edhe pa angazhimin dhe pasion e mësuesve që i kanë mbështetur nxënësit ta zbatojnë kaq mirë nismën shkolla qendër komunitare, por edhe nismën e Arteve dhe Zejeve, i cili që nga viti i ardhshëm shkollor do të zbatohet në të gjitha shkollat tona, në të gjithë Shqipërinë”- u shpreh Znj. Kushi.
Më tej Ministrja Kushi falënderoi Drejtorinë Rajonale të Arsimit Parauniversitar të Lezhës për përkushtimin dhe profesionalizmin që po sjell një tjetër frymë, si dhe kryetarin e Bashkisë Lezhë Pjerrin Ndreu i cili ka patur gjithnjë në vëmendje infrastrukturën shkollore dhe mbështetjen e aktiviteteve të nxënësve.
Kaltra Tafani
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Shënohet 22 nëntori, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
"7 Alfabetet e Gjuhës Shqipe" nga Ndrek Gjini
Si të dekorojmë shtëpinë për festat e fundvitit?