PROFIL

Ori, nxënësja që po rritet me edukatën e punës që në vogëli, pa lënë pas shkollën

Në një kohë që shumë të rinj ankohen se nuk kanë çfarë të bëjnë, ka edhe raste të atyre të cilët marrin përgjegjësi dhe rriten me edukatën e punës dhe të dijes. E tillë është Ori, nxënëse e klasës së 9-të. Ju sjellim një profil të saj!

Teksa mund t’ju rastisë të futeni te një ambient privat lodrash për fëmijë, që ndodhet përball parkut të qytetit të Elbasanit, do t’ju bëjë përshtypje një vajzë e cila kujdeset për fëmijët në atë kënd. Me një aureolë mirësie i buzëqesh të vegjëlve duke i folur apo duke i mbajtur kur janë ca të vegjël!


Ajo quhet Orjeta Qose, shkurt Ori, dhe është vetëm 15 vjeçe! Pas shkolle ka zgjedhur të punojë sepse sipas saj kjo gjë e disiplinon më shumë si njeri, përveç faktit që i do fëmijëtBëhem kurioze dhe e pyes se si arrin të punoj ndërkohë që ka edhe për të mësuar! 


 “Po ja arrij, sepse gjatë punës ka një orar kur nuk ka fëmijë dhe unë bej detyrat, ndërsa kur shkoj në shtëpi mësoj”, thotë Ori, nxënëse e klasës së 9-të në "Rahma School ". 


Por a është për të e vështirë puna me fëmijët? 

"Është pak e lodhshme, por edhe kënaqem, sepse unë përgjithësisht i dua fëmijët, plus mendoj se ndikon edhe fakti që jam bërë katër herë teze dhe kjo ma lehtëson disi punën", thotë Ori.  


Kur e nxita të flasë diçka më tepër për veten, Ori  e pranon me modesti se është nxënëse me nota të mira dhe se di tri gjuhë të huaja. 


“Jam një nxënëse me nota mesatare, pra 8,9,10. Unë di tri gjuhë të huaja. Greqisht, pasi kam jetuar 4 vite atje; anglisht, pasi kam bërë kurs dhe e kam pasur lëndë në shkollë dhe turqisht të cilën e kam mësuar nga televizori”.


Ajo dëshiron që në të ardhmen të bëhet veterinere. Por për të dashuria për kafshët nuk do të shterojë asnjëherë edhe në rast se kjo dëshirë nuk realizohet një ditë.


“Unë i dua shumë kafshët, prandaj gjithmonë kam dashur të bëhem veterinere. Ndoshta me kalimin e kohës mund të zgjedh një profesion tjetër, por kjo nuk do të thotë se nuk do vazhdoj t’i dua kafshët edhe pse profesionalisht nuk do të jem e lidhur me ta”, thotë Ori, e cila si ëndërr ka të udhëtoj nëpër botë për të parë vende të reja, njerëz të rinjë dhe për të mësuar gjuhë të tjera. 


Asaj i pëlqen shumë të lexojë.


 “Më pëlqejnë të gjithë zhanret e librave, por më shumë më pëlqejnë ata që brenda kanë aksion, dramë dhe histori. Së fundmi kam lexuar ‘Hamleti’-in e Uilliam Shekspir. Ai fliste për luftën për pushtet brenda një familjeje dhe kishte një fund tragjik të personazheve”.


Në përmbushjen e kësaj vajze të vogël, por me një botë të madhe, veçohen edhe marrëdhëniet që ajo ka me shokët/shoqet me mësuesit por edhe me familjen e prindërit. 

 

“Mund të them se jam një tip social. Unë mendoj se kam miq shumë të mirë që më këshillojnë dhe më bëjnë të qesh kur jam e mërzitur. Po kështu edhe unë i dua dhe jam e gatshme t’i dëgjoj e ti fal dashuri. Përsa u përket mësuesve, unë i dëgjoj këshillat e tyre dhe nuk i kundërshtoj për gjërat që ata kanë të drejtë. Po kështu edhe me prindërit, me të cilët kam marrëdhënie shumë të mira. Ata gjithmonë i respektojnë vendimet e mija. Ndërsa motrave u tregoj çdo gjë në mënyrë që të marrë prej tyre këshilla. Mund të them se jam vërtetë me fat që kam një familje të tillë”, ka thënë ajo. 


Kur e pyes se pse, ndër të tjera, ka zgjedhur të praktikojë fenë islame, ajo përgjigjet: “Feja islame është një fe ku njeriu e ndjen në shpirt kënaqësinë dhe qetësinë për Zotin. Unë që në momentin e parë që  kam hyrë në xhami e kam ndjerë këtë qetësi, kënaqësi dhe lidhjen me Zotin”. 


Ori, ndan edhe një këshillë për moshatarët e saj: "Do t’i thosha që gjithmonë t’i dëgjojnë prindërit, t’i respektojnë, por edhe t’i ndihmojnë ata, sepse prindërit janë gjëja më e shtrenjtë në jetë!".  



(Përgatiti Kaltra Tafani, Portali Shkollor) 

3,007 Lexime
4 vjet më parë