Organizimi i veçantë i nxënësve të shkollës “Lidhja e Prizrenit”, Pejë, për realizimin e Festës së Abetares
Mësuesja Valbone Bakraçi, e shkollës ”Lidhja e Prizrenit”, Pejë, arriti të realizonte një festë abetareje të veçantë, duke përfshirë disa institucione njëkohësisht, për t’i falenderuar dhe për të shprehur mirënjohje ndaj tyre. Ju ftojmë ta ndiqni!
Pas një kohe të gjatë izolimi, u bë e mundur lëvizja e lirë e qytetarëve, brenda normave dhe kufizimeve të caktuara. Pikërisht në këtë moment, mësuesja Valbone Bakraçi, e shkollës ”Lidhja e Prizrenit”, Pejë, mendoi të realizonte një aktivitet ndryshe, duke përfshirë disa institucione njëkohësisht, për t’i falenderuar dhe për të shprehur mirënjohje ndaj tyre.
Aktiviteti mban titullin “Çdo fillim ka një mbarim”, sepse pas çdo të keqeje vjen një e mirë. Fëmijët kishin kohë pa e takuar njëri-tjetrin dhe falë këtij aktiviteti me grupe prej pesë apo gjashtë nxënësish, ata arritën të bashkohehsin sërish dhe të realizonin një kujtim të bukur. Mësuesja ua ka shpjeguar me kujdes situatën, duke i motivuar, me shpresën se ditë më të mira do të vijnë dhe ata do të kenë mundësi të rikthehen sërish në bangat e shkollës.
Mësuesja na rrëfen se disponimi i nxënësvë ishte maksimal, ashtu si emocionet e tyre të papërshkrueshme, të cilat paqyroheshin më së miri përmes buzëqeshjes së ëmbël të secilit. Takimi me mësuesen dhe shokët e shoqet e klasës i bënin të fluturonin nga gëzimi.
Përmes këtij organizimi dhe një skenari të kopsitur mjaft kujdesshëm nga mësuesja, nxënësit e vegjël shpërndanë mesazhe kuptimplota, pasi përfshihen elementë si familja, shoqëria, dashuria dhe respekti për të tjerët, libri, virtyti, synimet e jetës, etj.
Veçantia e këtij organizimi qëndronte te përfshirja e policëve dhe mjekëve. Ata pranuan me kënaqësi ftesën e mësueses dhe nxënësve. Një hapësirë e tërë, dedikuar heronjve të heshtur të kohës së pandemisë, të cilët sakrifikuan shëndetin dhe familjet e tyre, për një të mirë të përbashkët. Ky gjest human, ishte thelbi i këtij aktiviteti. Fëmijët, duke ndjerë mirënjohje, i falenderuan për punën e bërë.
Në një periudhë kufizimesh ku secili ndihet si një “zog në kafaz”, e kupton më mirë rëndësinë e lirisë. Ky ishte dhe mesazhi i pjesës së fundit, përcjellë nga nxënësit. Ata u çliruan nga kafazet e tyre, drejt një bote të lirë, duke na bërë me dije se liria është një privilegj dhe një e drejtë në të njejtën kohë.
Ju ftojmë të ndiqni këtë aktivitet përmes videos së mëposhtme.
Përgatiti: Parajsa Shtini
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Njihuni me Stivenin, nxënësin që çdo detyrë e shoqëron me vizatim
"Bukuria e vjeshtës", nga nxënësja Berinika Arsllani
Ese nga nxënësja Aspa Grembi me temë “Njeriu dhe mjedisi”