DISKUTIMI

Nxënësja Adea Nesturi: A është nota e barabartë me suksesin?

Në bankat e shkollës të gjithë jemi të barabartë, të gjithë kemi synimet dhe planet tona për jetën, ndoshta disa janë akoma të paqartë, ndërsa disa e kanë të qartë vlerën e notës, por në fund, asgjë nuk përfundon këtu! Suksesi ynë nuk mund të përcaktohet nga një listë notash.

Në shkollë, ku ne marrim njohuritë dhe kalojmë shumicën e kohës, ndihemi nën presionin e vazhdueshëm për të marrë nota sa më të mira. Kjo, sepse mendojmë që nota është vendimtare për të ardhmen tonë. E shohim notën si një kriter të rëndësishëm, ndaj  përpiqemi shumë, ditë për ditë, pasi mendojmë për të ardhmen. Por kjo notë, me të cilën ne shpërblehemi për mundin tonë, sa e rëndësishme është? Sa vlen për të ardhmen tonë kur të dalim përfundimisht nga bankat e shkollës?


Ne jemi në një moshë delikate, e cila arrin të përcaktojë rrugët e së ardhmes sonë. Mendimet, vendimet për të ardhmen duken të vështira, një hap i madh në të cilin ndodhet frika në qoftë se do t’ia dalim në atë të ardhme që duket e largët. Por, në fakt, koha kalon shumë shpejt dhe jemi përpara zgjedhjeve. Po marr si shembull veten. Vitet e gjimnazit kaluan shumë shpejt dhe tani që jam në pragun e vitit të tretë kam zbuluar se sfida më e rëndësishme është jo midis meje dhe shkollës, por midis meje dhe zgjedhjeve e mendimeve të mia. E rëndësishme është që ne, si adoleshentë, të guxojmë dhe të synojmë drejt fushave ku e gjejmë veten për suksesin tonë. 


A vlen nota për të ardhmen tonë? Për shkak të kushteve të vendosura për aplikim në universitet, patjetër që nota duhet. Një mesatare është kusht. Një lëvizje e vogël pikësh dhe të digjet fusha që ti ke për zemër. 

Shumë nga ne janë ndier të dekurajuar, kur nuk kanë marrë notën e dëshiruar. Por, mendoj se dikush ka një logjikë dhe arsyetim për t’u vlerësuar, por mund të jetë një nxënës mesatar; sikurse një nxënës i ekselencës mund të mësojë robotikisht dhe mekanikisht dhe aftësitë e tij për të vazhduar përpara nuk janë aq të zhvilluara. 


Ne jemi edhe përpara presionit të familjes lidhur me notën. Prindërit duan më të mirën për ne, duan që ne të shkëlqejmë dhe të kemi një të ardhme të mirë. Ndoshta edhe më të mirë sesa ata e kishin të vetën. Ata na duan ekselentë. Shpërblimi i përpjekjeve tona në fund është një notë. Ka edhe raste që nota, për shumë arsye, nuk është e lartë dhe kjo na shqetëson. Pasi për prindërit tanë ajo është vendimtare. Po për ne është e tillë? 


E ardhmja nuk ndërtohet vetëm nga nota. Kjo është një e vërtetë të cilën shumë prej nesh e harrojnë. Ndjekim me mund shpërblimin e lodhjes për të pasur nota sa më të mira, por harrojmë më të rëndësishmen, se në një të ardhme nota s’do jetë ajo që do të na fusë në tregun e gjerë të punës. Arsyetimi, kreativiteti, eksperienca në fusha të ndryshme që mund të hasim, mësimet që do të marrim nga kjo praktikë, si dhe vetë strategjia jonë në zgjedhjen tonë, do të jenë ato të cilat do të na çojnë më përpara e do të na bëjnë më të suksesshëm në jetë. 

Është e vërtetë që gjimnazi të formon karakterin. Të forcon arsyetimin, duke të të përballur me realitetin dhe duke të të vënë në sprova të shumta. Por, varet nga vetë ne se si e kthejmë këtë arsyetim në anën tonë. 


Në bankat e shkollës të gjithë jemi të barabartë, të gjithë kemi synimet dhe planet tona për jetën, ndoshta disa janë akoma të paqartë, ndërsa disa e kanë të qartë vlerën e notës, por në fund, asgjë nuk përfundon këtu! Suksesi ynë nuk mund të përcaktohet nga një listë notash.  


*Mendim i shprehur në emisionin-debat Dimension 4, ku trajtohen tema aktuale për të rinjtë. 


Adea Nesturi 

(nxënëse që hyn në vitin e tretë) 

Qershor 2020 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

5,861 Lexime
4 vjet më parë