Historia

Nxënësit surprizojnë mësuesin, i botojnë librin e lënë në harresë

Ju prezantojmë me historinë e veçantë të mësuesit nga Vlora, Ardi Stefa, romani i të cilit, u botua pa dijeninë e tij nga nxënësit. Mësuesi e ruan këtë si një nga kujtimet më të bukura në jetën e tij profesionale.

Histori të sakrificës së mësuesit për nxënësit janë të shpeshta, por ato të cilat bëhen me shumë dashuri nga nxënësit për mësuesin janë më të rralla. Një histori mjaft e veçantë kjo e romanit të Ardi Stefës “Qyteti në Jug”. Një libër i lënë thuajse në harresë nga autori, derisa një ditë, nxënësit e tij, duke “gërrmuar” nëpër dokumentat e kompjuterit të tij, për të gjetur literaturat që u duheshin për t’u përgatitur për testimet dhe mësimet e rradhës, gjetën librin e tij, thuajse të përfunduar, të pakorrektuar, ashtu siç autori e kishte shkruar në frymën e parë. Ia morën fshehurazi duke i bërë ndoshta surprizën më të madhe, botimin e këtij libri. Këtu nisi edhe rrugëtimi i suksesshëm i këtij libri, duke bërë që njerëz të fushës ta lexojnë dhe komentojnë atë.


Pofesor Ardi njihet për raportet e ngrohta që ka me nxënësit e tij. Profesionalizmi, dëshira për ta përcjellë lëndën e gjuhës dhe letërsisë me sa më shumë pasion, e bëjnë atë një nga mësimdhënësit më të prefuar. Ndaj, një nga kujtimet më të bukura të tij, është botimi i librit, ashtu si në origjinal, dorëshkim, me plot gabime, të cilat vetë ai i konsideron “gabime të bukura”. 


Në një ribotim të këtij libri, redaktorja Artemisa Bushi shprehet: 

“E kam lexuar romanin në dorëshkrim dhe, që të mos humbja asgjë nga gjurma që më la stili dhe mënyra e të shkruarit, i rendita mendimet në një shkrim të detajuar: Mbresa pas leximit të romanit "Qyteti në jug", që u botua pa hezitim në një gazetë letrare. Sot, e rilexoj, por tashmë të botuar dhe të pasuruar me mendime dhe detaje të reja. Dhe ndiej të njëjtën gjurmë ngacmuese, që të lë forca dhe mendjemprehtësia e fjalës dhe e mendimit tënd. Qyteti ku ti jeton, është kaq befasues, mbresëlënës për vizitorët kalimtarë. Por në këtë roman ti ke rrëfyer gjithçka, shumëçka për Të... (Të kërkoj ndjesë që mes fletësh kam nënvizuar fraza të tëra - e bëj këtë tek të gjithë librat që ia vlen t'u rikthehesh ndonjëherë.)

Edhe një herë përgëzime të sinqerta. Lexova në romanin “Qyteti në jug” për qetësinë, trazimin dhe thellësinë e një Qyteti, por mbi të gjitha lexova oqeanin e mendimit tënd”


Vetë profesor Ardi shprehet:

"Ishte një surprizë e bukur botimi i këtij libri. Po të mos e kishin botuar nxënësit e mi nuk e di nëse do ta kisha botuar ndonjëherë. Ishin ata të cilët i dhanë zë kësaj vepre, ndoshta ndër më modernet të letërsisë shqipe, sepse në këtë roman kam lëvruar teknikën e përroit të ndërgjegjes. Pra vepra nuk ka një personazh apo një fabul kryesore, ndaj e kategorizoj si moderniste. Nuk mund të mohohet, sigurisht, as ndikimi nga stili kadarean. Të gjithë e njohim romain “Kronikë në Gur”.


Dhjetëra personazhe në një. Të tërë lindin, rriten dhe vdesin si qeliza të Vlorës. Kanë identitetin e vet sepse është Vlora. Vlora, me portretin, dallgët e shpirtit, arteriet. Vlora e depërtuar në qelizat e saj. Në kohë e vendndodhje të ndryshme brenda qytetit. Apo brenda guvave të shpirtit të autorit?


Struktura e kësaj vepre thyen tabutë. Është quajtur roman ndërsa nuk ngjan me romanet e tjerë. Kjo risi sjell vështirësinë e përceptimit nga lexuesi i traditës. Madje, as lexuesi i sotëm (aq i tkurrur dhe i paktë sa është) nuk e ka të lehtë të eci në një “udhë” pa korsi, pa fanarë, pa shenja orientuese.


Nga ana tjetër, parashtrimi i tillë i lëndës i jep kohë lexuesit të meditojë, të përzgjedhë, të veçojë, të bashkojë copëzat dhe të krijojë “romanin” e vet për Qytetin. Për Qytetin e prekshëm dhe të çuditshëm njëkohësisht, për Qytetin që “fillon te burgu dhe mbaron te çmendina”, që “njomet nga deti dhe dielli i shfaqet prapa malit”


Libri fillon me një FUND, me papagall që vetvritet dhe varroset duke mos i dhënë mundësi maces të demonstrojë instiket e saj. Vazhdon rrugëtimin në gjurmët e banorëve “të sotëm dhe të lashtë, autoktonë apo ardhacakë. Ndalon tek meditimet filozofike për të pafundmen, për nocionet Kurrë dhe Askund. Mbyllet me apologjinë e përmbledhur në epilog.



(Përgatiti P.Shtini: Portali Shkollor)

1,659 Lexime
5 vjet më parë