Sport

“Noti është jeta ime”

“Synimet e mia janë të larta dhe eventi i parë që shikoj përpara është Olimpiada Tokyo 2020, një nga eventet që i mungon listës sime. Noti është jeta ime, hobi im, dëshira ime kështu që do t’i përkushtohem deri në fund”

Franc Aleksi është 18-vjeçari i suksesshëm i cili i është dedikuar plotësisht pasionit të tij për notin. Prej 10 vitesh i është dedikuar këtij sporti i cili për të është shumë i rëndësishëm aq sa thotë; “Noti është jeta ime, hobi im, dëshira ime kështu që do t’i përkushtohem deri në fund.”

Ka arritur rezultate të cilat do t’i kishte zili çdo bashkëmoshatar i tij. Franc Aleksi ka përfaqësuar kombëtaren shqiptare në shumë kampionate ndërkombëtare botërore, europiane, po ashtu edhe ballkanike. 

Disa nga këto aktivitete janë: Kampionati botëror Turqi 2012, Kupa Comen 2014, Kampionati botëror Doha 2014, Lojërat e para Europiane Baku2015, Kampionati Botëror për të rinj Singapor 2015, Kampionati Europian London 2016 dhe së fundmi përfaqësoi Shqipërinë në Kampionatin botëror Canada 2016.

“Këto kampionate janë të rangut botëror me sportistët më elitarë që përfaqësojnë shtetet e tyre nga performanca që kanë arritur gjatë vitit nëpër klubet e tyre përkatëse, kështu që në çdo kampionat që kam marrë pjesë kam pasur gjithmonë përmirësim të rezultateve të mia. Sa i përket renditjes së tyre Shqipëria më ka mundësuar të lë mbrapa disa nga konkurrentet e shteteve të tjera”, - shprehet Franci, nxënësi vitit të dytë në gjimnazin “Petro Nini Luarasi” në kryeqytet.

Stërvitet shumë, pasi ky është sporti më i dashur për të. “Vitin e kaluar kam bërë një program intensiv në Los Angelos USA, këtë mundësi ma dha bursa olimpike, ku punoja nga 5 orë në ditë”, - thotë Franci

Teksa bisedojmë për të ardhmen, Franci na tregon se për të ky sport nuk është thjesht një hobi apo pasion i cili mund të ndryshojë më vonë. Ai synon të arrijë majat.

“Synimet e mia janë të larta dhe eventi i parë që shikoj përpara është Olimpiada Tokyo 2020, një nga eventet që i mungon listës sime. Noti është jeta ime, hobi im, dëshira ime kështu që do t’i përkushtohem deri në fund”, - thotë Franci.

(Portali Shkollor)

3,390 Lexime
7 vjet më parë