“Një shikim i veçantë...” nga Trandafile Malshi
“Një shikim i veçantë...” është shkrimi letrar i mësueses Trandafile Malshi, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.
“Një shikim i veçantë...” është shkrimi letrar i mësueses Trandafile Malshi, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.
Ishte një ditë si gjithë të tjerat! Atë mëngjes si gjithmonë shkova në punë me autobusin që na transportonte çdo ditë. Në oborrin e shkollës gjeta pak nxënës, të cilët po bisedonin së bashku. Duke i përshëndetur u drejtova te salla e mësuesve si çdo ditë. Nxora regjistrat dhe i vendosa mbi tavolinë. Më pas mora zilen dhe dola në oborr për të pritur dhe kolegët dhe nxënësit që të mbushnin oborrin e shkollës. Atë javë kisha dezhurnin e radhës dhe duhej të kryeja detyrat sipas rregullores. Ndër to t’i bija dhe ziles për të hyrë nxënësit nëpër klasa.
Pak nga pak oborri po mbushej me nxënës dhe nxënëse.
Në orën 8 pa 10 i rashë ziles dhe në rresht një për një nxënësit hynë nëpër klasa të udhëhequr nga mësuesit kujdestarë.
Nuk shkuan as pesë minuta kur një nxënës i klasës sime kujdestari erdhi tek salla shumë i shqetësuar.
– Mësuese, më ndihmo, – më tha, – kam pasur në qafë një varëse me kryq prej argjendi dhe nuk e kam më. Afër bankës në tokë gjeta vetëm kryqin. Dikush ma ka marrë varësen, mësuese. Ma kanë dhuruar për ditëlindje, mësuese. Si t’i shkoj mamit në shtëpi?!- – më tha duke qarë.
– Mos u mërzit, – i thashë. – Do ta gjejmë.
Menjëherë vrapova në klasë. Iu tregova ndodhinë dhe kërkova ndihmën e tyre.
Të gjithë varnin supet dhe thoshin se nuk e kishin parë varësen që i kishte humbur shokut të tyre.
Nxora dy nxënës të kërkonin nëpër oborr.
Pas një kontrolli të imtësishëm të oborrit nxënësit u kthyen duarbosh.
Gjatë kohës që flisja me nxënësit, vura re që njëri prej tyre nuk ndihej mirë.
Si me magji më erdhi në mendje një histori me një mësues dhe një nxënës për një orë dore të humbur.
Ai mësues falë zgjuarsisë së tij arriti të gjente orën dhe nxënësit mos ta merrnin vesh kurrë se kush e kishte marrë orën.
“Pse mos ta provoj dhe unë?” – i thashë vetes.
Mbylla derën e klasës dhe urdhërova të gjithë nxënësit të vinin mbi bankë çantat me libra.
I urdhërova të mbyllnin sytë të gjithë dhe fillova kontrollin e çantave dhe kontrollin fizik të nxënësve.
Nxënësve u thashë se dhe unë do t’i mbyll sytë dhe nuk do të shoh asgjë. Nëse dikush preferon ta nxjerrë varësen, unë nuk do ta shoh se kush është.
Me radhë fillova kontrollin dhe, pasi kisha kontrolluar disa nxënës, kur u afrova te një bankë, një nxënës me tha në vesh:
– Mësuese, e kam gjetur unë në tokë, por pata frikë dhe turp ta nxirrja.
E mora varësen gjithmonë me sytë mbyllur dhe nuk reagova fare, por vazhdova kontrollin.
Më pas urdhërova nxënësit të hapnin sytë duke u thënë që të më falnin për kontrollin, por duhej.
– Isha e bindur se ju nuk e kishit marrë.
Dola nga klasa dhe ashtu kot fillova të kontrolloj nëpër korridor. Po kontrollonin dhe nxënës te tjerë, sepse ngjarja u mor vesh nga të gjithë, se jemi shkollë e vogël.
Dola në oborr dhe bëra sikur u ula në tokë për të marrë diçka.
Menjëherë thirra gjithë gëzim:
– E gjeta!
Aty erdhën disa nxënës dhe më përgëzuan.
U ktheva në klasë dhe i dorëzova varësen nxënësit duke e porositur që të ketë kujdes madje mos ta merrte në shkollë, sepse nga pakujdesia mund t’i humbte.
Asnjë nga nxënësit nuk e mori vesh se "dikush" që e kishte marrë atë varëse, kishte dashur ta dorëzonte, por i vinte turp ta bënte, sepse do ta quanin "hajdut".
***
Shpeshherë me nxënësit duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm për të zgjidhur situata të cilat mund t’u mbeten përjetë në kujtesë. Dhe këtë gjë duhet ta bëjë një mësues. Ndoshta një menaxhim i duhur i një situate bën që te fëmija të krijohet jo vetëm besim, por edhe siguri, se dikush e mbron dhe kujdeset për të kur gjendet ngushtë. Të jesh mësues, jo gjithmonë është e lehtë, por është një mision që kërkon shumë punë e që në këmbim të jep buzëqeshjen e çiltër dhe dashurinë e këtyre fëmijëve që na bëhen shumë të afërt. Përqafimi i ngrohtë i nxënësit tim kur i vura në qafë varësen e gjetur, ishte gjëja më e bukur që mund të ndodhte. Sytë e pafajshëm dhe falënderues të nxënësit që më dha varësen ishin shikimi më i veçantë që kam parë. Me ata sy më thoshte: “Mësuese, më shpëtove!”
Mbeten në kujtesë këto momente që na bëjnë ta duam profesionin dhe punën tonë.
Trandafile Malshi
Trandafile Malshi (Kola) ka lindur më 25 shkurt të vitit 1976 në fshatin Tale të Lezhës. U rrit në fshatin Shënkoll të Lezhës, ku ka kryer shkollën fillore, tetëvjeçaren dhe gjimnazin. Studimet e larta i ka mbaruar për Gjuhë-Letërsi në Shkodër, në universitetin "Luigj Gurakuqi". Për 25 vite me radhë ka punuar në disa shkolla nëntëvjeçare të rrethit të Lezhës si mësuese e gjuhë-letërsisë. Misioni si mësuese, ashtu dhe të shkruarit, janë pasionet e saj që e mbajnë gjallë dhe e bëjnë të vazhdojë përpara. Ajo i është përkushtuar krijimeve letrare dhe ka botuar një vëllim poetik me titullin "Duke ardhur me tinguj zemre". Po kështu i është përkushtuar dhe punës redaktuese, duke punuar si redaktore e vëllimeve poetike të disa autorëve. Është duke punuar për realizimin e një monografie si dhe të një vëllimi poetik që shpreson të botohen së shpejti. Po ashtu i kushton shumë kohë aktiviteteve të shumta artistike-letrare me nxënësit.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
“Sjellja zbukuron çdokënd” nga Drita Gjaci Topjana
“7 Marsi ynë” nga Behare Kasa
“Gërshetat” nga Fatime Ejupi Jashari