Tirana Gate 2022

Nis Festivali Letrar Ndërkombëtar i të Rinjve, Rita Petro: Krijuesi është si Krishti, mban përsipër dhe mëkatet e të tjerëve

Pjesëmarrëse në edicionin e dytë të Festivalit Ndërkombëtar të të Rinjve "Tirana Gate 2022", poetja Rita Petro në fjalën e saj të rastit tha se “krijuesi është si një lloj Krishti i cili mban përsipër dhe mëkatet e të tjerëve dhe se vetëm këtë tronditje neve mund t’ia transmetojmë edhe lexuesit”.

Nisi sot, në Muzeun Historik Kombëtar, Festivali Letrar Ndërkombëtar i të rinjve “Tirana Gate 2022”, i cili këtë vit do të ketë moto të tijën “Fqinjët”. Deri në datën 7 tetor, Tirana do të kthehet në një vendngjarje të rëndësishme për librin europian.

Kryeqyteti do të mirëpresë autorë të mirënjohur të Ballkanit, nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia, Shqipëria dhe autorë nga Turqia, që në labirintin e një paraleleje mes historisë personale dhe asaj kombëtare do të rrëfejnë histori shtetesh dhe qytetesh, histori qytetërimesh dhe jetësh individuale.

Gjithashtu pjesë e Festivalit do të jenë autorë europianë si nga Sllovenia, Bullgaria, Greqia, Rumania, fitues të çmimit prestigjioz ndërkombëtar Çmimi Europian i Letërsisë (EUPL), ku edhe Shqipëria bën pjesë me 3 autorë të saj.


Veçantia e këtij festivali qëndron në faktin se secili autor do të flasë, diskutojë dhe lexojë në gjuhën e tij, pra do të dëgjohet shqip, turqisht, greqisht, bullgarisht, maqedonisht etj.


Në njërin prej paneleve të sotëm të këtij festivali, ku morën pjesë Kalin Terziyski (shkrimtar bullgar) dhe Stefan Çapaliku e Rita Petro, iu la hapësirë paraqitjes së mendimeve të papërpunuara, për shkrimet e pakapshme, të papajtueshme me askënd dhe asgjë, për rrëfimin e zhveshur nga “Dëshiroj” dhe “Duhet”, ku shfaqen veç mendimet dhe ndjenjat. 


Poetja Rita Petro në fjalën e saj të rastit tha se krijuesi është si një lloj Krishti i cili mban përsipër çdo lloj dhune që i ndodh tjetrit dhe se vetëm kjo lloj tronditje mund t’i transmetohet lexuesit. 


“Problemi më i madh i krijuesit është që ai të shkruaj për gjërat që ai dhe çdo njeri tjetër i mban shumë të thella brenda vetes së vet; i mban aq të fshehta saqë ndonjëherë i duken sikur ato janë turpe dhe përveç kësaj janë si ato ëndrrat e turpshme që ne shikojmë,  që as nuk na kanë shkuar ndonjëherë në mendje. Mendoj se krijuesi është si një lloj Krishti i cili mban përsipër çdo dhunë apo përdhunim që i ndodh tjetrit, i ndodh në trupin e vet. Pra gjithë mëkatet i mban në trupin e vet. Nëse ne nuk do flisnim duke e ndjerë mbi veten tonë të gjithë këtë lloj dhune që na ndodh në realitet, duke u tronditur në veten tonë, atëherë këtë lloj tronditje neve nuk do ja ja transmetonim as lexuesit”, kështu u shpreh shkrimtarja Rita Petro.  

Më pas në panel u fol edhe më tej për letërsinë që trondit e revolton “turmën”, me shkrimtarin e Çmimit Europian Terziyski, që beson se shkruan në “kohën e qenve”, në atë kohë kur shkrimtarët shkruajnë vetëm gjëra të tregtueshme dhe Stefan Çapalikun, që sjell njeriun e epokës moderne ku “secili çmendet në mënyrën e vet”. 


Milena Selimi, drejtore artistike e festivalit, është shprehur se  “Kultura është e vetmja hapësirë pa kufij ku mund të lëvizim pa lejekalimi, ku në vend që të kundërshtojmë  mund të dialogojmë edhe nëse nuk jemi dakord.”

Festivali Letrar Ndërkombëtar i të rinjve “Tirana Gate 2022”, është një projekt i realizuar nga Instituti i Librit dhe i Promocionit në kuadër të projektit rajonal READ (Rrjeti Rajonal për Dialog Ndërkulturor) i mbështetur nga Bashkimi Europian.

Festivali i sivjetmë do të solidarizohet me Ukrainën, në një seksion të dedikuar Ukraine – Stop War, duke sjellë disa autorë përmes krijimtarisë së tyre.

Autori më i ri i festivalit është 26-vjeçari Azem Deliu dhe autori më në moshë, Drago Jančar, 73-vjeçar.



Nanila Allkja Biçaku

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,340 Lexime
2 vjet më parë