Ndahet nga jeta Prof. Dr. Gjovalin Daka, pionieri i algjebrës moderne në Shqipëri
Është ndarë nga jeta një prej mësuesve të nderuar të matematikës në vend, pionieri i algjebrës moderne në Shqipëri, Prof. Dr. Gjovalin Daka, gjithashtu themeluesi i Kolegjit Arsimor "Daka", në Lushnje.
Shkenca shqiptare ka pësuar një humbje të madhe me ndarjen nga jeta të mësuesit të nderuar të shumë mësuesve të matematikës dhe matematikanëve të vendit, Prof. Dr. Gjovalin Daka. Një nga figurat e shquara të arsimit dhe kulturës. Pjesë institucionale e matematikës shqiptare, pionieri i algjebrës moderne në Shqipëri.
Gjovalin Daka lindi ne 4 maj 1954. U diplomua me titullin mësues i lëndës Matematikë ne UT, ku dhe fitoi titullin Profesor po në këtë universitet. Botoi disa libra shkollor për lëndën matematikë. Gjithashtu punoi dhe në detyrën e kryeinspektorit në Drejtorinë Arsimore, Lushnjë. Më pas pasionin dhe përkushtimin e tij për arsimin do ta vazhdonte duke ngritur Kolegjin Arsimor "Daka", të cilin do ta drejtonte nga viti 2006 e në vazhdim! Në periudhën 1996-1998 u zgjodh deputet në Parlamentin e Republikës së Shqipërisë. Pranë Partisë Demokratike, ka mbajtur disa pozicione, ku së fundmi do të zgjidhej Delegat i Kuvendit Kombëtar të PDSH!
Për këdo që e njohu, ai ishte njeriu vizionar, i mençur, demokrati qëndrestar, qytetari i nderuar lushnjar, i përkushtuar në jetën kulturore dhe arsimore, njeriu që i kushtoi gjithë jetën arsimit, ai që mbolli tek të gjithë studentët e tij dëshirën për të ecur përpara, duke i udhëhequr në rrugën e dijes.
Sipas të afërmeve dhe të njohurve të tij, Z.Daka nuk e ndali asnjëherë hapin duke punuar e ndihmuar. Ishte i palodhur, i paepur, i vendosur, plot shpresë dhe besim për jetën.
Në njoftimin e faqes së Kolegjit “Daka” shkruhet:
“Lajmi i ndarjes së parakohshme nga jeta i Profesor Gjovalin Dakës na ka hidhëruar të gjithëve. Nuk është e lehtë ta besosh se kaq shpejt Ju, babai, miku, mësuesi ynë nuk do të jeni midis nesh. Ishe njeriu vizionar që jetën tënde ja kushtove arsimit duke dhënë jo vetëm dije por dhe dashuri prindërore tek çdo fëmijë, prind, mësues dhe më gjerë...
Pikëllimi na ka prekur të gjithëve, ne që të njohëm dhe punuam me Ju në kohë. I paharrueshëm do të mbetet imazhi, zëri, prania juaj në atë ambient ku thure ëndrra dhe i realizove ato. E gjithnjë qenia juaj, jetonte dhe u bë pjesë në jetën tonë gjatë punës në shkollë. Sa e sa biseda tregoje se si do të bëhej shkolla, si duhej të ishte një mësues i mirë dhe se si kërkoje shembullin në çdo kohë. Profesor Gjovalini, lotët nuk na ndajnë nga imazhi juaj. Në tempullin e dijes (siç e thoshe shpesh) keni lënë gjurmën, qenien, zërin, emrin tuaj!
Kolegji Arsimor Daka nuk mund ta mbush këtë boshllëk që na le. Ne shpresonim shumë që do të ktheheshe pranë nesh shumë shpejt, në shtëpinë e dijes, në shtëpinë e ëndrrave tuaja. Ju luftuat deri në fund me të gjitha forcat, sepse gjithmonë ishit luftarak! Do të na mungosh fizikisht profesor! Na fal, zemra nuk na thotë dot Lamtumirë!
Nga familja e madhe e Kolegjit Arsimor Daka!”.
Ndërsa një nxënëse e këtij kolegji ka zgjedhur këto fjalë për ikjen nga kjo botë të profesorit Gjovalin Daka:
“Të pashlyeshme do të mbeten gjurmët tuaja në mendjet e studentëve dhe i paharrueshëm do të mbetet imazhi dhe zëri juaj në atë shkollë ku ngrite mbretërinë e dijes dhe thure ëndrra duke i realizuar ato. Faleminderit që na krijuat mundësinë të kalonim vitet më të bukura të jetës në bankat e Kolegjit DAKA bashkë me dijen që na dhuruat. Faleminderit që i dhatë krahë ëndrrave dhe dëshirave tona, duke na bërë të hynim me entuziazëm në rrugën që secili prej nesh ka zgjedhur sot.
Gjithmonë e përmendim rolin tuaj në formimin tonë e kurrë nuk do ju harrojmë.
Qofsh i parajsës miku ynë i shtrenjtë dhe profesor i nderuar.
Pusho i qetë pranë Zotit!”.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Shkolla e mesme profesionale "Kolin Gjoka" në Lezhë prezanton projekte inovative dhe artistike
Magjia e fundvitit vjen në Petrelë me "Christmas Market", më 22 dhjetor
Përmbledhje e “Ferri”-t të Dante Aligerit nga Drita Topjana