Msc.Iriana Papamihali: Domosdoshmëri kultivimi i vlerësimit të traditës dhe i kulturës sonë kombëtare në shkolla!
Bëhemi snobë të gjithçkaje që na ofron bota dhe e quajmë veten “modernë”,ndërsa vlerat artistike kombëtare i lemë në harresën e viteve, të mbuluara nga pluhuri i indiferencës dhe i mospërfilljes.Që ky fenomen të minimizohet, ne si mësues duhet t’ua kultivojmë nxënësve tanë dashurinë për kulturën dhe traditën.
Ndodh shpesh të bëhemi fansa të artistëve të huaj dhe pa e kuptuar i ndjekim hap pas hapi në çdo aktivitet që bëjnë dhe jo vetëm. Sot të gjithë ndjekin platforma të ndryshme sipas interesave që kanë. Studiues të huaj shkruajnë për artistët shqiptarë dhe jo vetëm. Por sa i njohim ne këta shqiptarë që na nderojnë nëpër botë me punën e tyre?
Unë ngre një pyetje që më mundon prej kohësh: Sa e njohim ne traditën kulturore të vendit tonë? Vendi ynë përbëhet nga ne të gjithë, nga familjet tona, fëmijët, prindërit tanë, të afërmit dhe miqtë.
Ka ardhur koha të kthejmë sytë nga tradita në mënyrë që të dimë nga vijmë. Nëse mohojmë traditën popullore, kulturën, apo vendin tonë, ne mohojmë rrënjët tona, mohojmë vetveten. Më vjen ndër mend thënia e Naim Frashërit: “Dashuria për atdheun, lind nga dashuria për familjen”. Bëhemi snobë të gjithçkaje që na ofron bota dhe e quajmë veten “modernë”, ndërsa për vlerat artistike kombëtare i lemë në harresën e viteve, të mbuluara nga pluhuri i indiferencës dhe mospërfilljen e kohës. Shumica nga ne dinë se çfarë veshi apo ku shkoi dikush, ku drekoi apo darkoi, ku i kaloi pushimet, dhe kur i pyet se kush e ka shkruar këtë apo atë roman, kush e kompozoi këtë simfoni apo kush e krijoi këtë vepër arti, çuditërisht ngrenë supet.
Që ky fenomen të minimizohet, ne si mësues duhet t’ua kultivojmë nxënësve tanë dashurinë për kulturën dhe traditën. Jo më kot profesioni i mësuesisë quhet fisnik. Për mua, mësuesi me gjithë qenien e tij, duhet të jetë si ai fari në detin e trazuar nga dallgët, që me stoicizëm qëndron pa lëvizur, për t’i treguar rrugën anijeve. Të gjithë bashkë le të fillojmë të vëmë nga një gur në themelet e diturisë, për ta lënë në dorë të sigurtë trashëgiminë kulturore të popullit tonë.
Trashëgimia kulturore
Trashëgimia kulturore e vendit tonë ka kaluar brez pas brezi, si një stoli e rrallë deri në ditët tona. Në trashëgiminë kulturore bëjnë pjesë vlerat materiale dhe shpirtërore. Trashëgimia kulturore shqiptare, vjen në ditët tona si një ekspozitë, që nga veshjet, stolitë, objektet e përdorimit të përditshëm, punimet e dorës, qilimat, gatimet tradicionale, polifonia, isopolifonia, veglat muzikore, bukuritë natyrore, etj.
Sitet arkeologjike
Nëpër Shqipëri ka shumë site arkeologjike të cilat flasin për traditat e hershme kulturore të vendit tonë, të cilat ndodhen nëpër Shqipëri nga veriu në jug dhe që duhen vizituar.
Veshjet popullore
Thesar kulturor etnografik janë edhe kostumet pupullore shqiptare. Veshjet popullore janë karakteristikë për çdo popull. Një veshje popullore, e stolisur me motive, paraqet një ekspozitë më vete të artit popullor shqiptar. Motivet në veshjet popullore që janë të trashëguar nga kohët e lashta, përfaqësojnë simbole të caktuara dhe më vonë u pasuruan edhe motivet kombëtare. Në Shqipëri ka një shumëllojshmëri veshjesh, që përfaqësojnë krahina të ndryshme të vendit nga veriu në jug.
Arkitektura e spikatur shqiptare
Shtëpi karakteristike ka kudo në vendin tonë. Disa janë në gjendje të mirë, disa të vjen keq t’i shohësh që nga pesha e kohës po humbasin. Qyteti i Gjirokastrës dhe i Beratit janë regjistruar në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESKO-s. Janë qytete me shumë vlera historike, arkitektonike dhe artistike. Shtëpitë karakteristike me dyer dhe dritare, me dollapë muri dhe oxhak, me tavanet e gdhendura me mjeshtëri të lartë artistike, duken si një muze i vogël. Çdo detaj është i punuar nga artizanët me dashuri. Objektet e punuara me dorë janë copëza unike në llojin e tyre. Veçantia e këtyre qyteteve muze është se ndërtimet i shkojnë për shtat relievit ku janë ngritur, duke krijuar harmoni urbanistike.
Të gjitha këto pasuri të traditës sonë kombëtare, prezantojnë me dinjitet dhe finesë artistike krijimtarinë, fantazinë dhe talentin e artistit me emrin popull. Ka një listë të gjatë të elementeve që përbëjnë trashëgiminë tonë popullore. Së fundmi po bëhen përpjekje për të bërë pjesë të trashëgimisë Botërore të UNESCO-s edhe xhubletën. Përpjekjet do vazhdojnë nga specialistët tanë për ta pasuruar akoma edhe me më shumë vlera shqiptare këtë trashëgimi botërore dhe ne duhet të jemi krenarë për këtë.
Ndarja e përvojave
Për të sensibilizuar më shumë nxënësit ndaj trashëgimisë sonë kulturore, mendoj do të ishte mirë që herë pas here të bëheshin takime me specialistë të fushës, në mënyrë që të prezantonin këto vlera dhe thesare kombëtare shqiptare te brezi i ri. Këtë e them nga përvoja ime. Pas një takimi që organizova në shkollë me një specialiste të trashëgimisë kulturore dhe pedagoge, nxënësit dëgjuan me shumë vëmendje për specifikat dhe klasifikimet e kësaj trashëgimie. Në fund të takimit shprehën dëshirën për të bërë një projekt në lidhje me trashëgiminë tonë. Specialistë kemi në çdo fushë, nuk na mungojnë, të cilët mund të ndajnë përvojat e veta me nxënësit tanë. Ne duhet të lidhim urat e komunikimit mes institucioneve arsimore për të shkëmbyer dhe ndarë eksperiencat e mira me njëri-tjetrin.
Lidhja e trashëgimisë kulturore me tekstet shkollore
Në tekstet e artit pamor, trashëgimisë kulturore i është dhënë vëmendje, por mbetet në dorë të mësuesit për ta zgjeruar më tej dhe për ta bërë të prekshme nga nxënësit. Nëse u jepni nxënësve projekte në lidhje me trashëgiminë kulturore, bëjeni duke i ndarë në grupe dhe me zona të veçanta të Shqipërisë. Udhëzojini ta bëjnë projektin si një guidë turistike, si një tablo artistike ku të shpalosen vlerat e vërteta të vendit tonë. Sipas klasave dhe programit mësimor, nxënësve mund t’u jepen sitet arkeologjike, arkitektura e banesave karakteristike, kalatë e ndryshme, veshjet popullore, stolitë, enët e përdorimit të përditshëm, gatimet tradicionale, muzika dhe vallet, instrumentet muzikorë, bukuritë natyrore, etj. Do të ishte me vlerë nëse bëhej projekt ndërlëndor, pasi trashëgimia kulturore, siç e shihni ka lidhje me shumë fusha.
Nxënësit jo vetëm do eksploronin Shqipërinë virtualisht, por do të aftësoheshin në të shtatë kompetencat kyçe: 1. Kompetenca e komunikimit dhe e të shprehurit. 2. Kompetenca e të menduarit. 3. Kompetenca e të mësuarit për të nxënë. 4. Kompetenca për jetën, sipërmarrjen dhe mjedisin. 5. Kompetenca personale. 6. Kompetenca qytetare. 7. Kompetenca digjitale.
Me këto lloj projektesh nxënësit i jepet mundësia të zotërojë kompetencat, që i aftësojnë ata të menaxhojnë situatat dhe të zbatojnë njohuritë e reja, në praktikë.
Iriana Papamihali
Artiste, mësimdhënëse, autore e teksteve shkollore
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Pse duhet të lexosh? Këto 100 thënie për leximin janë për ty...
Mëso si të jetosh vet, mëso edhe nxënësit si të jetojnë
113 vite më parë u çel e para shkollë e mesme shqipe, "Normalja e Elbasanit"