"Mësuesi ka në duart e tij të ardhmen tonë"
Eseja është shkruar nga Gilbert Hoxhaj, nxënës i shkollës “Sinan Tafaj”. Ky krijim është përzgjedhur ndër pesë esetë më të mira të realizuara nga nxënësit pjesëmarrës në konkursin “Mësuesi im”.
Sot do të shkruaj, si për të nderuar midis rreshtash, një profesion aq te paçmueshëm e që i reziston kohës si të ishte një cilësi mbi çdo funksion njerëzor. Më kujtohet dita e parë e shkollës, nje rrugëtim i gjatë që më kthen mbrapa në kohë, të cilën do ta mbaj gjithmonë nën lëkurë, si një kujtesë me emocione foshnjore brenda. Impakti i parë me një mësuese, rastis që të të përngjajë sikur të ishte një “ndarje” shpirtërore nga një nënë natyrale, duart e së cilës të kanë mësuar me rehati dhe ngrohtësi, në duart e rrudhura nga mundi i të gjithë brezave që ka shoqëruar deri tek bankat e shkollës, i një nëne “te dytë” tanimë, e cila ka një mision krejt të ndryshëm nga ajo çka ti ke përjetuar deri në atë moment.
Për dikë që e sheh nënën si simbolikë absolute mbi identitetin e tij, është një rrënim ideali, pasi t'i përqafon një tjetër ide, që në të vërtetë është realiteti, modeli dhe frymëzimi që çdo individ duhet të ketë, të mësuarit. Nga A-ja e parë e deri tek Zh-ja e fundit, kujtoj durimin dhe përkushtimin, dëshirën dhe përqendrimin e një njeriu që më bindte dita-ditës për bukurinë dhe veçantinë e marrëdhënies nxënës-mësues. Nuk mund të qëndisësh gjë tjetër në uniformën e një nxënësi, përveçse dashurisë për dijen dhe respektit për mësuesin.
Dashuria qëndron mbi çdo vlerësim që mund të marrësh në këtë jetë, por vlerësimi më konkret që mund të realizojmë nga sot e tutje është se dhe mësimdhënia është pasion dhe talent si çdo fushë tjetër e jetës. Pavarësisht se anti-vlerat po zëvendësojnë virtytet njerëzore, gjendemi përpara një figure që në çdo kohë e në çdo vend duhet lartësuar si vlera më e lartë e një shteti dhe të ardhmes së tij. Edukimi i individit duhet të jetë parimor dhe ideal i shoqërisë e si i tillë të shihet dhe profesioni i vyer i mësuesisë. Mjaft të shohim se si në vendet më të zhvilluara, e vlerësojnë me të mira materiale si dhe me mjaft privilegje një mësues, për shkak të rëndësisë që ka ai në duart e tij, të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë në një të ardhme jo të largët.
Në mes të një larmishmërie problemesh dhe mungesash kapacitetesh në arritjen e zhvillimit të orës së mësimit, e vërteta është se arrin të mbijetojë, falë punës së palodhur të këtyre njerëzve dhe për këtë jemi të gjithë të vetëdijshëm. Në këtë epokë teknologjike që ne kemi hyrë, forma që krijon nxënësi se si duhet të jetë një mësues i mirë lidhet ngushtë me aftësinë që ka ai, pra mësuesi, që ende në këto ditë të kohëve post-moderne ta bëjë sa më interesante dhe të mbajë gjallë retorikën e folur. Sa më shumë kohë kalon, aq më e vështirë bëhet që të vlerësojmë këta njerëz që i dedikohen me mish e me shpirt dhe pa kushte detyrës së shenjtë që kanë.
Në fakt do të ishte me vend që të hiqnim epitetet që krijohen nga iluzionet e prindërve të cilat mund t’i kenë nga përvojat e tyre individuale dhe që më pas ua transmetojnë në mënyrë të pavetëdijshme fëmijëve të tyre. A nuk do të ishte më mirë që t'i shihnim thjesht si mësues të palodhur e jo t’i ndanim në të mirë dhe këqij, në pasionantë dhe jopasionantë, në të duruar dhe të paduruar, në të reja dhe me përvojë? Tek e fundit në përditshmërinë e tyre ata janë njerëz si të gjithë ne, por në syrin dhe në perceptimin tonë, ata janë mësuesit e së djeshmes, së tashmes dhe të brezave të rinj që po vijnë. Për aq kohë sa kemi qenë dhe do të jemi përballë tyre me regjistrin hapur ndërkohë që bëhet apeli i nxënësve, me falënderimin dhe mirënjohjen më të thellë nga ana e të gjithëve, për mua çdo ditë do të jetë dita e tyre, 7 mars.
Mësuesi është dhe do të ngelet një formë e përhershme dhe e pandashme e realitetit tonë dhe për këtë arsye modeli i tyre ngelet gjithmonë i njëjtë. Ato do të jenë aty me përparësen e bardhë veshur e me një duzinë fëmijësh që nuk u rritën kurrë. Sot ata fëmijët e djeshëm janë me duar të rrudhura dhe me kujtime të njoma duke çuar fëmijën e tyre në ditën e parë të shkollës tek nëna e tyre e dytë, e kështu do të jetë derisa të ketë jetë.
(Gilbert Hoxhaj, shkolla: “Sinan Tafaj”, klasa: X-1)
Vjersha për fëmijët e arsimit fillor
Analizë e veprës “I Huaji”, Albert Kamy
Detyrë klase: Dhoma ime